Që Daniele Adani nuk është një admirues i madh i Massimiliano Allegrit, kjo ishte kuptuar që në të kaluarën. Sidoqoftë, tani, pas eliminimit të Juventusit nga Liga e Kampionëve, analisti sportiv u tregua i ashpër me trajnerin bardhezi. Nga studio e “Sky Sport”, Adani filloi të flasë për stilin e lojës së Juventusit:
“Thuhet se lojtarët i fitojnë ndeshjet, por nuk përmenden idetë, që duhet të vijnë nga trajneri në çdo kohë. Juventusi nuk ka plan B, nëse nuk luan Mandzukic. Unë nuk shoh një ide ndryshe nga trajneri. Juventusi, në këto katër ndeshje të Championsi-it, pas fazës në grupe, ka pasur vetëm një aksion futbolli të denjë për Liverpool, Manchester City, Barcelona, Tottenham, Arsenal, Napoli. Ky aksion i përket golit të Ronaldos në Amsterdam”.
Pastaj, ai hyn më në detaje të analizës dhe komenton deklaratat e Allegrit, pas ndeshjes në Torino, i cili u justifikua me disa lojtarë të dëmtuar (Douglas Costa, Cuadrado, Mandzukic, Chiellini etj): “Në atë aksion të denjë, që përmenda më parë, protagonistët ishin Bentancur dhe Cancelo, përveç Ronaldos. Kundër Ajax-it, në çerekfinalen e kthimit, ata mbetën në stol. Allegri nuk mund të justifikohet me lojtarët e dëmtuar në një përballje me Ajax-in. Këtë sezon, Juventusi ka humbur 4 ndeshje nga 10 të tilla në Ligën e Kampionëve, edhe kur e kishte grupin e plotë të lojtarëve”.
Së fundi, disa fjalë të mëdha për Cristiano Ronaldon, të cilin e konsideron si një luks të merituar, duke folur sportivisht: “Ne kemi folur edhe në të kaluarën për meritat e Ronaldos. Një lojtar, që ka bërë 15 ditë masazh, është rikthyer në fushë për të qenë në më të mirën e tij. Në të dyja ndeshjet me Ajax-in, ai shënoi. Po të tjerët, bashkë me Allegrin, çfarë bënë, ku ishin?”