Grabitja e bankës në Vlorë, policia: “Gjetëm makinën, por jo autorët”

Policia e Vlorës njoftoi se ka gjetur makinën e grabitjes në qendër të qytetit të Vlorës, por jo autorët. Policia bëri të ditur se autorët kanë vjedhur 6 milionë lekë dhe 33.695 euro dhe deri tani është gjetur makina e braktisur prej tyre. Sipas Policisë, “nga hetimet e mëtejshme, dyshohet se pas kryerjes së vjedhjes, autorët janë larguar me një autoveturë të markës “BENZ-250”, me targë 453 AJL 06 në ngjyrë të bardhë, pasi në ndjekje e sipër nga shërbimet e policisë, u bë e mundur gjetja e këtij mjeti, i braktisur në lagjen “Lef Sallata”, pranë Shkollës Speciale të Prapambetjes së Lehtë Mendore.
Nga veprimet e kryera për automjetin e dyshuar të përdorur nga autorët në këtë ngjarje, rezulton se është vjedhur në datën 10.07.2016, në lagjen “Rilindja” Vlorë, pranë rrugës “Transballkanike”. Për vjedhjen e këtij automjeti, nga ana e Policisë janë kryer veprimet proceduriale dhe automjeti rezulton i shpallur në kërkim.
Gjithashtu, sipas inventarit të mbajtur nga ana e Auditit të Bankës, dyshohet se autorët kanë mundur të marrin një sasi prej 6 milionë lekë dhe 33 695 euro. Në bashkëpunim me Prokurorinë, vazhdojnë hetimet për të sqaruar edhe rolin e shërbimit të sigurisë private që ka nënshkruar kontratë për sigurinë e bankës. Policia po punon intensivisht për dokumentimin dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes”, thuhet në njoftim.
Kamerat e sigurisë të bankës, që u grabit në Vlorë regjistruan gjithçka ndodhi në pak minuta të vjedhjes. Sapo hynë brenda, grabitësit shtrinë në tokë të gjithë punonjësit. Klientët kanë qenë të paktë në atë moment, rreth orës 14:52 minuta. Njëri prej grabitësve i mbante pistoletën në kokë, rojës së bankës, ndërsa tjetri me një Kallashnikov në duar, kërcënoi punonjësit që të mbushnin qeset me para. Të dy ishin veshur me rroba kamuflazh dhe mbanin në kokë kapele me strehë, për t’iu fshehur sadopak kamerave të sigurisë. Ngjarja ndodhi në mes të Vlorës, pranë sheshit të “Flamurit”.

Artikulli paraprakPërplasen dy autobusë në Cërrik, plagoset shoferi dhe disa pasagjerë
Artikulli tjetërSkandal i Ujësjellësit, banorët e Kasharit me nga dy kontrata