Edhe deputetja e Vlorës i shkruan Ramës: Gati largimi nga grupi i PS

Vetmia e Kryeministrit, thellohet akoma më tej! Duket se edhe deputetja e Partisë Socialiste, Mira Shehu, po i jep lamtumirën Edi Ramës.
Ja çfarë shkruante dje ajo në FB:
A ka ardhur momenti pas një çerek shekulli të analizojmë përse populli ka pakënaqësi të vazhdueshme nga politikanë dhe nga drejtues të lartë shtetërorë të të gjitha forcave politike?
Flasim për rëndësinë e dekriminalizimit në sektorin publik.
Po a ka ardhur koha të kthejmë vëmendjen drejt reformimit të partive politike, përmirësimit cilësor të drejtimit në strukturat drejtuese të partive politike të çdo niveli? Përmirësimi i dukshëm në cilësi i përfaqësimit të partive politike padyshim do të sjellë përmirësimin cilësor të qeverisjes, do të prodhojë drejtues me integritet të lartë, duke shërbyer me vetëdije dhe duke lënë mbrapa kultura të shitjes së pozicioneve të punës apo shërbimeve të shtetit dhe më keq akoma të pushtimit të vendeve të punës me të paaftë.
A do populli që elita politike të përfaqësohet nga elita intelektuale?
Që studentët e shkëlqyer në ekonomi t’i shohim nesër në drejtim të financës së vendit, studentët e shkëlqyer të drejtësisë të marrin drejtimin e sektorit të drejtësisë së vendit, që më të suksesshmit të jenë nesër kandidatët për kryetarë bashkie, partie apo për deputetë?
Mos vallë është kjo më pak e rëndësishme se ligji i dekriminalizimit?
Nisëm një punë të shkëlqyer ne rajonin Vlorë-Gjirokastër për reformimin e Partisë Socialiste të drejtuar nga deputeti Kokëdhima.
Me qindra djem dhe vajza të shkolluar u bënë pjesë aktive duke e përmirësuar dukshëm cilësinë e drejtimit në parti. Një përpjekje që dha rezultat deri në trefishim të anëtarësisë.
Ndryshimi apo risia në politikën tradicionale natyrisht që has pengesa apo pranohet me vështirësi, por kthim prapa nuk ka dhe nuk mund të ketë për sa kohë ndryshimin e kërkon koha dhe njerëzit.
Këtë mesazh mendova të ndaj në këtë 25-vjetor të Partisë Socialiste.
Gëzuar!

Artikulli paraprakPas reagimeve në PS, Kosta: Sqarimet i jap pas 21 korrikut
Artikulli tjetërKryetarja e FRESH në Shkodër: Kjo nuk është partia ime