Qindra denoncime, OSHEE u kërkon qytetarëve para kesh në dorë pa fatura

Publikimi i një seri investigimesh ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, ka detyruar qytetarët që të denoncojnë në “Boldnews.al” abuzime të rënda të kryera nga ky institucion publik. Më i fundit është denoncimi i një qytetari nga Saranda, i cili shprehet i shqetësuar për mënyrën sesi operojnë punonjësit e OSHEE. Qytetari me inicialet A.N., i cili zotëron një biznes në qytetin bregdetar rrëfen momentet e presionit të ushtruar nga punonjës të OSHEE. Sipas denoncimeve, 4 punonjës të OSHEE, mes tyre edhe faturuesja i kanë kërkuar biznesmenit që t’u paguante faturën e muajit qershor me para cash në dorë. Qytetari i habitur nga kjo lloj pagese pyet për shumën dhe kërkon faturën. Por punonjësit e OSHEE, të cilët kishin dalë të dielën në terren i bëjnë një llogari me hamendje dhe i kërkojnë 40 mijë lekë (të reja). Ndërkohë për faturën ata shprehen se është në sistem dhe se nuk ka dalë akoma. Atëherë qytetari refuzon të bëjë këtë pagesë me arsyetimin e mungesës së faturës. Madje qytetari, i cili zotëron hotelin në Ksamil dhe që nuk është debitor tek OSHEE, u thotë punonjësve se nuk kishte logjikë që të paguante një faturë paradhënie me para në dorë. Për të ushtruar edhe më tepër presion ndaj biznesit, njëri nga 4 punonjësit e OSHEE nxjerr pincat në tavolinë si shenjë për ndërprerje të energjisë elektrike nëse nuk paguante nën dorë shumën prej 40 mijë lekësh. Qytetari nuk pranon të bëhet pjesë e këtij pazari dhe pyet punonjësit e OSHEE përse kishin ardhur tek hoteli i tij. Ata përgjigjen duke thënë se ka shumë biznese që janë ankuar duke pritur në radhë për të paguar faturën dhe prandaj vijmë tek ju që të “shmangni” radhët. Qytetari deklaron se ai nuk është ankuar asnjëherë për radhë të gjatë, prandaj nuk ka ndërmend të paguajë para në formë tjetër përveçse në sportelet qendrore të OSHEE. Ky është një nga rastet ku inspektorët e OSHEE ushtrojnë korrupsion me çdo lloj forme dhe tentojnë të rrënojnë një hotel në bregdet, i cili mbijeton për vetëm disa muaj të verës.  “Boldnews.al” raporton se problemi i mbifaturimeve nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike vijon edhe në ditët e sotme. Qytetarët ankohen për pasaktësi në leximin e matësve nga punonjësit e OSHEE. Vetëm për vitin 2015, mbi 8800 ankesa u regjistruan në zyrat e OSHEE për mbifaturime të padrejta. Sipas OSHEE, çdo qytetar që bën ankimimin për mbifaturim nuk është i detyruar për të paguar shumën e faturuar për 30 ditë, derisa të bëhen verifikimet e nevojshme. Por shpresa për të gjetur zgjidhje duket se është e vakët, kjo pasi qytetarët shprehen se nuk marrin asnjëherë përgjigje për ankesat e bëra. Sipas tyre alternativa e vetme mbetet pagesa e faturave të fryra.

Artikulli paraprakSekuestrohen në Itali 800 kg drogë dhe armë nga Shqipëria
Artikulli tjetërNga erdhën 80 mijë dollarët e fotos së Ramës me Obamën