Familja Rama ka nxjerrë shpatën duke paditur çdo kritik të të Çmendurit në krye të qeverisë. E fundit që ka bërë padi është vajza nga gruaja e fundit e Ramës, e cil ka pditur për shpifje gazetarin Artur Zheji.
Reagimi i Rea Xhillarit
Jam detyruar të vë në lëvizje gjykatën për të ushtruar kontrollin gjyqësor, mbi një shpifje të sajuar e të orkestruar ndaj meje, nga portale e individë për të cilët mësova se në gjuhën ligjore quhen “të paditurit solidarë”.
Ky sulm i mirëfilltë denigrues mbi bazën e një shpifjeje, e ka fillesën në mesin e muajit Janar 2019, kur jam vënë në shënjestër prej të paditurve solidarë. Ata apo më saktë fillimisht Artur Zheji pastaj të tjerët, kanë sajuar dhe përhapur lajmin e rremë, të shoqëruar me komente të turpshme, mbi një lidhje intime apo bashkëshortore timen me Z. Gent Caka, Zv. Minister për Evropën dhe Punët e Jashtme – person të cilin as e njoh personalisht dhe as e kam takuar kurrë ndonjëherë, qoftë edhe rastësisht.
Nuk i njoh as i kuptoj motivet që kanë shtyrë Artur Zhejin, një person në moshë goxha madhore, aq sa mund të ishte prindi im, të më sulmojë kaq ligësisht e paturpësisht dhe në mënyrë të vazhdueshme. Unë nuk merrem me politikë, nuk punoj dhe as kam punuar kurrë për shtetin. Respektoj cdo ligj dhe cdo detyrim si qytetare e vendit tim. Nuk kam përfituar kurrë prej shtetit asnjë privilegj apo favor të çfarëdo lloji.
I vetmi fill lidhës mes meje dhe botës së shpifjeve, mediokritetit dhe imoralitetit intelektual ku noton ky soj të paditurish solidarë, është fakti se jam vajza e Linda Ramës, e cila nga ana e saj, vetëm për shkak se është gruaja e Edi Ramës, është vënë në shënjestër, goditur, përbaltur nga i njëjti soj, me të njëjtat mjete denigruese të botës së tyre të ulët.
Në fakt, as nëna ime nuk ka përfituar kurrë ndonjë favor nga të qënit gruaja e kryeministrit. Jeta e saj vazhdon e njëjtë, pa asnjë lidhje të drejtpërdrejtë ose jo, materiale apo financiare me shtetin. Profili i saj është një model shëmbullor i një jete pa privilegje, me një përditshmëri të pandryshuar dhe të lidhur ngushtë me punën e saj, të cilën e kryen me profesionalizëm e pasion prej 30 vitesh, pavarësisht se i shoqi është prej afër 6 vjetësh Kryeministër i Shqipërisë.
Shpifjet kanë arritur deri tek im atë, Thanas Xhillari, profesor i mirënjohur i algjebrës përgjatë gjithë karrierës së tij profesionale në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, i cili gjithashtu respekton çdo ligj dhe çdo detyrim si çdo qytetar i këtij vendi.
Për interesat politike të atyre që kërkojnë t’i hedhin hije të shkuarës së nënës sime për të shtuar përbaltjen ndaj të shoqit, edhe im atë u përfshi prej të paditurve solidarë, përmes disa pseudoakuzave, në një tjetër maskaradë mediatike.
Ai u ballafaqua edhe me një proces të gjatë hetimi nga prokuroria, ku e tërë balta e hedhur mbi të u tret në lumin e fakteve kokëforta që dolën nga hetimi i provimeve të algjebrës, të disa pseudostudentëve që s’kishin marrë dot provimin.
Ashtu si nëna ime, babai im ështëgjithashtu një model shëmbullor i mungesës së kompromiseve që mund të dëmtojnë profesionin e tij të cilin e kryen me pasion e përpikmëri prej 40 vitesh.
Këto modele të cilat janë edhe udhërrefyesi im në rrugëtimin e jetës, siduket janë të papërfytyrueshme , të pabesueshme dhe të papranueshme për sojin e të paditurve solidarë. E vërteta për ta nuk ka asnjë rëndësi, ndërsa interesat e tyre mesa duket justifikojnë çdo mjet sado të ulët.
Por e vërteta mund të vonojë, po nuk harron asnjëherë, megjithëse kur ajo del mbi llumin e të paditurve solidarë këta të fundit refuzojnë ta ndajnë atë me publikun.
“ Fenomeni i nepotizmit godet ashpër qeverinë Rama 2 në Ministrinë e jashtme tëShqipërisë. Në rrjetet sociale, dhe disa portale kohët e fundit po flitet gjithnjë e më shumë se vajza e gruas së Kryeministrit Rama, Linda Ramës, Rea dhe Ministri i Europës dhe Punëve të Jashtme-Genti Cakaj, janë në “bashkëjetesë” si i thonë në Shqipëri këtij lloj trendi ..[omissis] Madje, ka edhe dyshime se Ilir Meta-mund të kishte marr informacion nga shërbimet sekrete të sigurisë kombetare të Shqipërisë për këtë lidhje “dashurie” mes Genti Cakaj dhe Rea Xhillarit”…
Kjo është një copëz e nxjerrë nga moria e paragrafëve trillues, të shkruar gjatë këtyre ditëve me një gjuhë të lemeritshme në çdo drejtim, të cilët kam qenë e detyruar t’i lexoj dhe koleksionoj për gjyqin me këtë soj të paftuarish në jetën time.
Unë kam lindur në vitin e ndryshimit të sistemeve dhe nuk e kam njohur përveçse nga tregimet e gjyshërve, prindërve, mësuesve apo dhe nga leximet e rastit, barbarinë e regjimit komunist deri në fisin dhe farën e kundërshtarit politik. Nuk dua të bëj krahasime që çalojnë me një kohë kur edhe lidhjet e dashurisë, bëheshin shkak për pushkatime, internime apo denigrime publike vajzash.
Nuk e di nëse në atë kohë sajoheshin për qëllime politike, deri edhe lidhje të paqëna mes njerëzish krejt të panjohur për njëri-tjetrin. Por ajo që di me siguri është se shtrirja e kthetrave të dhunës verbale dhe presionit psikologjik të këtij soji , brez pas brezi, deri tek fëmijët e kujt konsiderohet kundërshtar politik, është shprehje e të njëjtës ligësi kriminale që karakterizon çdo sistem padrejtësie.
Në sistemin që lindi bashkë me brezin tim, personi është privat dhe jo pronë e shoqërisë. Në sistemin që lindi bashkë me brezin tim, gjëja e parë që mëson është se liria jote mbaron aty ku fillon liria e tjetrit. Sajimi i një lidhjeje të paqënë mes dy te rinjsh për të luftuar politikisht me prindin e njërit prej tyre, është një perversitet i pashoq që s’ka asnjë lidhje me këtë sistem.
Unë nuk kam asnjë armë tjetër për t’u mbrojtur nga pasojat e këtij perversiteti, përvecse duke i’u drejtuar drejtësisë.
Përgjigja e Artur Zhejit:
Të njoh vetëm nga portreti, në një foto të shkrepur në një stacion treni në Zvicër, në një qytezë të vogël universitare dhe jo vetëm, ku shfaqesh e qeshur, simpatike dhe e pastër si njeri. Por duhet të të sqaroj me ngut disa gjëra, që duhet ti dish burimisht prej meje:
Unë as nuk kam nga ta di dhe as e kam shpikur pjesën tënde personale të jetës, për të cilën ti, ende sa pa u vendosur diktatura e plotë në Shqipëri, ke të drejta të plota ta jetosh si të duash.
E dyta, bashkëjetesa nuk është as krim, as sharje dhe as fyerje për askënd, është maksimumi një koordinatë egzistenciale, që nuk përbën asgjë të keqe as për atë që bën dhe as për atë që e përshkruan.
Franca e madhe, deri para pak kohësh ka patur një president, Hollande quhej ai. Ky zotëri president arratisej herë pas here nga pallati presidencial, majë një scooteri, për të takuar një mikeshën e tij, duke ju larguar rojeve personale. E fotografuan, pamjet ishin flu, edhe mund të ishte, edhe mund të mos ishte presidenti i Francës, por u botuan ashtu si ishin, dhe asgjë nuk i ndodhi kërkujt, në një vend demokratik.
Tani le te kthehemi te rasti yt. Ti përmend ne pasion e sipër termin “imoralitet intelektual” apo “perversitet”, nuk e di se ndaj kujt, ndaj mediave apo ndaj meje, këto po që janë fyerje, ndaj të cilave ke për detyrim “barrën e provës”, për ta provuar, por këto për mua janë thjesht ca fjalë inatçore, që hidhen kollaj pas krahëve.
Unë po të them hapur dhe në të nxehtë se nuk kam sajuar asgjë të tillë, këto janë lajme apo pandehma të tilla që qarkullojnë rrjeteve, sepse ti, me padashjen tënde je person publik, për shkak të nënës tënde dhe lidhjes së saj zyrtare me kryeministrin.
Ti mund të ishe edhe subjekt për karikatura përshembull, edhe mbretëresha e Anglisë edhe princeshat e princat edhe të dashurat e tyre janë. Ndodhi një masakër e padëgjuar në Paris kundër karikaturave, e mban mend, te Charlie Hebdo dhe terroristët, tek vrisnin 12 vetë, bërtisnin me të madhe se ndaj Profetit të tyre ishte bërë një shpifje e madhe dhe xhaxhi Edi, vrapoi në Paris, kundër terroristëve dhe prokarikaturave, të atyre fatkeqëve që u vranë mizorisht për këtë.
Xhaxhi Edi, ose kryeministri për ne, u thotë gazetarëve ditë pas dite, “pjellë e kazanit, kadrinj, derra që zhgryhen studiove” e të tjera si këto, duke nxitur urrejtje dhe kërcënime të papara për gazetarët, sidomos ndër militantët e përndezur, që sipas tyre, u rrezikohet vendi i punës, nëse ikën xhaxhi Edi nga pushteti.
Megjithatë, më vjen keq, sidomos për ty dhe vetëm për ty, që je lënduar, sepse më kujton lëndimin e përditshëm të fëmijëve të mi, kur me komandën politike nga xhaxhi Edi sot dhe nga xhaxha të tjerë politikanë të djeshëm, grupi i madh i sharësve politikë, që paguhet me taksat tona, bën kërdinë mbi emrin tim, në rrjetet sociale, me fyerje të mirëfillta dhe me emra të fshehur e me profile fake.
Sdi çtë them më tepër, në planin personal, por adresimi tek unë është krejt i gabuar. Një këshillë, meqë më ke përmendur edhe moshën, ndoshta e kam gabim edhe këtë, se e lexova me shumë shpejtësi këtë lajm, në portale gjithashtu, vepro si ta mendosh TI, më mirë.
TI, personalisht, sepse “rastësisht”, unë, me fare pak të tjerë, kemi mbetur të fundmit gazetarë opozitarë në këtë vend dhe ky adresim i yti ndaj meje, bëhet sa hap e mbyll sytë, një adresim politik që xhaxhi Edi, njëkohësisht edhe kryeministër, mund ta ketë shtyrë përpara. Në shpërthimet e tija emocionale tashmë të famshme si në Kuvend, ashtu dhe ku të mundet.
E pra, të këshilloj, edhe si prind, meqë e kishe nënvizuar edhe këtë, që kjo gjë nuk bën për ty, për moshën dhe për formimin universitar perëndimor që besoj se po merr. Ndoshta në Mendrisio, ku ke dalë bukur në foto, në Canton Ticino të Zvicrës, sepse ka një superuniversitet arkitekture aty dhe shumë fakultete të tjera, që ma bëjnë zili edhe mua sot, pavarësisht moshës jo fare të re që kam.
Po të bësh ti Rea, një kërkim të pavarur, do të shohësh se unë personalisht nuk të kam përmendur kurrë, përveç ditës së sotme, dhe portali që unë drejtoj me 1001 vështirësi, nuk ka qenë asnjëherë burim, e aq më tëpër sajues i një lajmi të tillë. (shiko links në fund të shkrimit)
Por ti e drejtove gishtin te unë, me emër e mbiemër dhe me përshkrime të pakëndëshme për mua, kjo përbën pak habi dhe është një rastësi, aspak e paqëllimshme duket, anipse për mua, janë thjesht ca goditje puplore, nga një vajzë e mirë si ty, sepse unë jam mësuar me vajzat tashmë.
Por shoh përtej mjergullës dhe me trishtim të thellë, se xhaxhi Edi, kërkon të na përdorë të dyve, në një gërshetim të panatyrshëm, ku ti je “viktima” dhe unë xhelati, dhe kjo është e pafalshme, të paktën në Perëndim…
Unë e dashur Rea, e pranoj, kam edhe fajin e madh që kam vënë deri disa vite më parë, disa dhjetëra tulla, në ngrehinën njerëzore të këtij kryeministri, që sot, është në shëmbje e sipër, kurse ti, je realisht një krijesë pa asnjë faj në këtë mesele, prandaj të këshilloj, nëse nuk do të bësh një hap përpara në politikë, edhe kjo e drejta jote është, kjo nisëm nuk bën për ty.
“Bashkëjetesa” jote më Cakajn, është ndoshta një shpikje, që buron nga panatyrshmëria absolute se si Cakaj, u katapultua nga xhepi i vogël i xhaxhi Edit, në atë detyrë të lartë, nuk e di çtë them… se po të shumosh komplimentet e xhaxhi Edit për Cakajn, bëhen disa kulla të larta dhe disa mullarë bari për kusur…
Ndoshta pra, pikënisja buron nga absurdi që më ciniku i politikanëve të sotshëm shqiptarë, nuk dihet ku i gjeti ato kuintalë mjalti në ngritjen e statujës së rrejshme, të këtij Cakajt, që na u bë edhe qejfi tanimë, që krijuam bindjen se s‘ke fare lidhje, falë fjalëve të tua, edhe të hidhura qofshin…
Së fundi, në bindje të plotë se edhe xhaxhi Edi do ti lexojë këto rradhë patjetër, shpreh dyshimin se, nëse edhe Edi, do të kishte guximin dhe të gjente dot, një qelizë të dlirë në qënien e tij, e të mund të shkruante edhe ay, një letër të ngjashme.
E di vetë ai, se kujt…