Historia nis në vitin 2014, kur Lulzim Basha, kryetar i djathtë i Bashkisë së Tiranës dhe Shkëlqim Cani, ministër i majtë i Financave kishin të njëjtin qëndrim, megjithëse të pakoordinuar ndërmjet tyre, për të mos lejuar dhënien me koncesion të përpunimit të mbeturinave të Tiranës.
Por, ndërmjet këtyre dy personave publikë gjendej Karlo Bolino, italo-shqiptari kontrovers, mik me Kryeministrin Edi Rama dhe “agjent ndërmjetësues” për çdo investitor italian që synon të shtrijë ekspansionin ekonomik në Shqipëri.
Burime të sigurta pranë qeverisë deklarojnë për “Boldnew.al” se, në mesin e vitit 2014, Bolino ka tentuar në të gjitha format për të afruar në Tiranë kompaninë “AGSM”. Kjo kompani kishte shprehur interes që të merrte me koncesion përpunimin e mbeturinave në Tiranë. Në filozofinë e kësaj kompanie përcillej ideja “inovatore” e ndarjes së mbeturinave sipas llojit të tyre. Në fakt, për Shqipërinë, kjo lloj ndarje nuk është realizuar ndonjëherë, por thuajse në çdo vend europian, një proces i tillë është rutinor. Pra, “AGSM-Verona” nuk kishte asgjë të veçantë nga kompanitë e tjera. Për më tepër, Shkëlqim Cani nuk ishte aspak dakord për realizimin e një marrëveshjeje të tillë koncesionare, pasi kishte dyshime mbi rezultatin ekonomik të saj. Po ashtu, edhe kryebashkiaku i asaj kohe, Lulzim Basha, refuzoi të nënshkruante një marrëveshje të tillë.
Disa muaj më vonë, në qershor 2015, një prej penguesve të kësaj marrëveshje, Lulzim Basha, largohet me votë nga pozicioni i kryebashkiakut, duke u zëvendësuar nga pasuesi i Kryeministrit Rama, Erion Veliaj.
Në shkurt 2016, Kryeministri Rama shkarkon nga detyra Shkëlqim Canin, “pengesën” e dytë të marrëveshjes koncesionare. Deri më sot, askush nuk di të thotë publikisht se përse u largua Shkëlqim Cani nga detyra e tij. Natyrisht, financat në Shqipëri janë në një situatë shumë të vështirë, por diçka e tillë nuk pranohet nga Edi Rama. Pra, duket se një arsye shumë e fortë e ka detyruar Kryeministrin të largojë ekonomistin me përvojë nga qeveria e tij. Në ambientet politiko-mediatike u diskutua shpesh se arsyeja lidhej me kundërshtinë e Canit për projektet koncesionare të qeverisë, ku natyrisht përfshihet edhe koncesioni për përpunimin e mbeturinave të Tiranës.
Duke i renditur lëvizjet sa më sipër, nis të plotësohet “puzzle” financiaro-politik. Dhe roli i Bolinos duket se rikthehet fuqishëm. Nëpërmjet shfrytëzimit të lidhjeve të tij në Shqipëri dhe Itali, Bolino duket se realizon projektin e koncensionit për mbeturinat e Tiranës. Ky skenar bëhet akoma më bindës, pasi “Boldnews.al” mësoi se Bolino është shoqëruesi kryesor i kryebashkiakut Veliaj gjatë vizitës së tij në Verona.
Karlo Bolino, i cili njihet prej vitesh në Tiranë si editor i suksesshëm mediash, prej fitores politike të Edi Ramës në vitin 2013, prezantohet si një biznesmen i fuqishëm. “Boldnews.al” ka raportuar më parë për disa kompani të tij, si edhe bizneset e familjarëve të moshuar të bashkëshortes shqiptare.
Sfida e tij për t’u përfshirë në industrinë e përpunimit të mbetjeve urbane mund të justifikojë edhe përfshirjen e mediave të tij kundër një tjetër sipërmarrësi italian në Shqipëri, Francesco Becchetti. Edhe ky i fundit, investitor prej shumë vitesh në vendin tonë, ka pasur si qëllim primar përfshirjen në përpunimin e mbeturinave të Tiranës.
Pra, duket se dy italianë, me fuqi ekonomike dhe mbështetje politike të ndryshme, u përplasën për mbeturinat e kryeqytetit shqiptar. Duke ndjekur këtë logjikë, deri më tani duket se i fituar është Bolino, pavarësisht se Becchetti nuk është tërhequr dhe është në proces arbitrazhi me qeverinë shqiptare, pas një hetimi të nisur ndaj tij për “pastrim parash”.
Bolino ishte pjesë e “delegacionit hije” të kryebashkiakut Veliaj në Verona dhe me shumë mundësi është “kumbar” i kompanisë “Eco Tirana”, e krijuar më 22 qershor 2016 dhe është një “joint venture” mes Bashkisë së Tiranës me 51% të aksioneve dhe Bashkisë së Veronas, e cila përfaqësohet nga “HOLDING AGSM ALBANIA”, me 49% të aksioneve. Kompania “HOLDING AGSM ALBANIA” është një kompani publike e Bashkisë së Veronas, ku një prej administratorëve është një tjetër figurë kontroverse në Itali, Andrea Miglioranzi.
Portali “exit.al” e përshkruan Miglioranzin një “neofashist”, nisur nga e shkuara e tij. Sipas “exit.al”, anëtari i Bordit Administrativ të “AGSM Holding” dhe president i “AMIA”-s (një nga dy kompanite ortake të “AGSM”-së) është Andrea Miglioranzi, një personazh i njohur i kronikave politike dhe gjyqësore italiane. Në gjysmën e dytë të viteve ’90-të Miglioranzi, atëherë eksponent i shoqatës Veneto Fronte Skinheads dhe drejtues i Projektit Kombëtar (lëvizje neofashiste), ishte ndër të parët persona të dënuar me burg në Itali për nxitje të urrejtjes racore.
E megjithatë, pas një të kaluare jo shumë komode me drejtësinë, Miglioranzi përfshihet në fushatën elektorale, në të cilën zgjidhet si kryebashkiak i Veronas, Flavio Tosi. Dhe ky i fundit nuk ia harron ndihmesën, duke e vendosur një prej administratorëve të kompanisë publike “AGSM Verona”.
Nga e gjithë kjo histori, mbetet për t’u vlerësuar nëse do të realizohet ose jo “profecia” e ish-ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, i cili ka paralajmëruar se ky koncesion nuk duhet realizuar, pasi ai rrezikonte financat e Bashkisë.
Por, ajo që tashmë dihet është se, pasi u larguan disa nga “kundërshtarët” e projektit, secili në llogoren e tij, projekti është nënshkruar. Lulzim Basha, Shkëlqim Cani dhe Francesco Becchetti, tri personazhe që nuk lidhen me njëri-tjetrin, janë njëlloj humbës në qëndrimin për këtë projekt, përballë pushtetarëve aktualë, Edi Rama, Erion Veliaj dhe Karlo Bolino.
“Boldnews”
Ligji i shumëdebatuar i menaxhimit të mbetjeve
Tre deputetë socialistë i kërkuan Kuvendit të miratojë një amendim për ligjin e shumëdebatuar të menaxhimit të mbetjeve, për t’i rihapur rrugë importit të mbeturinave, të cilat u ndaluan pas një beteje shumëvjeçare të shoqërisë civile nga mazhoranca aktuale e kryesuar nga Partia Socialiste në shtator të vitit 2013. Relacioni i projektligjit, i firmosur nga deputetët Eduard Shalsi, Ervin Bushati dhe Bujar Derveni dhe i publikuar në faqen e internetit të Parlamentit, thotë se propozimi i tyre vjen si kërkesë e Shoqatës së Ricikluesve, një organizatë që përfaqëson interesat e disa kompanive që punojnë në fushën e grumbullimit të metaleve të përdorura, të plastikës dhe kartonit.
“…Investimet në këtë fushë zënë rreth 120 milionë euro dhe janë të punësuar rreth 35 mijë punonjës”, thonë të tre deputetët në relacion pa dhënë burimin e këtyre statistikave.
“Ndalimi i importit solli si pasojë që industria e riciklimit të punojë me 30% të kapaciteteve, duke i shkaktuar një dëm të madh ekonomik, si dhe shkurtim të fuqisë punëtore”, vijon më tej relacioni, i cili argumenton se Shqipëria sot, për shkak se ka Inspektorat Mjedisi, është në gjendje të kontrollojë situatën dhe të mos lejojë që bashkë me mbetjet për riciklim, në Shqipëri të importohen edhe mbetje për groposje.