Një urim për socialistët shqiptarë

Sali BERISHA

Socialistët shqiptarë kremtojnë një muaj me vonesë 25-vjetorin e ditës së emrit, pra të ndryshimit të emrit të Partisë së Punës së Shqipërisë në Parti Socialiste të Shqipërisë, duke mbetur gjithnjë trashëgimtare juridike e PPSH. Asokohe PPSH mbeti e dyta Parti Komuniste e bllokut komunist, që nuk u shkri për t’i hapur rrugën krijimit të një force socialdemokrate, por nisi reformimin e saj vetëm me ndërrimin e emrit. Pavarësisht nga kjo, edhe vetëm ndryshimi i emrit ishte një hap pozitiv, që hapi rrugën e reformimit të mëtejshëm të kësaj partie.
Veçanërisht i rëndësishëm për këtë parti dhe për vendin ishte shndërrimi i saj gradual nga një parti antiNATO dhe antiBE, që propozonte në Parlamentin e 23 viteve më parë rezoluta kundër NATO-s dhe bashkëpunimit euroatlantik, e dominuar nga agjentura sovjetike, bashkëpunëtore të KGB, në një parti pro bashkëpunimit euroatlantik dhe europian. Përveç kësaj, pasojat e luftës së brendshme për pushtet nga fundi i viteve 1990 i dhanë mundësi Fatos Nanos, që në një garë, nga anëtar i thjeshtë të zgjidhet kryetar i PS dhe ta shkëpuste PSSH nga modeli stalinist pothuaj 60-vjeçar i partisë së një njeriu! Fatos Nano e aderoi PS-në në organizmat e socialistëve europianë dhe ka meritën e pranimit të rotacionit jo vetëm në parti, por dhe në nivel vendi! Ndaj dhe unë dua me sinqeritet të uroj socialistët shqiptarë për çdo arritje të tyre!
Por sot është rasti t’u rikujtoj atyre përgjegjësinë e madhe historike që kanë në krijimin nga neobllokmenët në krye të PS-së të monstrës politike që quhet Rilindje, e cila në të vërtetë nuk është gjë tjetër veçse rikthim nga bastardët e bllokmenëve hoxhistë të normave dhe standardeve antidemokratike, antikombëtare të etërve të tyre barbarë. Sot modeli i Rilindjes ka shndërruar Partinë Socialiste në një parti, kryetari i të cilës, si asnjë tjetër në Shqipëri, Ballkan, Europë nuk lejon konkurrimin, garën për kryetar të Rilindjes, por detyron anëtarësinë të votojë në referendum që kryetari të mos votohet, duke e rikthyer këtë parti në kohërat e saj staliniste më të zeza.
Sot modeli i Rilindjes, bazuar në doktrinën e etërve “të krimit të dobishëm për pushtetin”, ka shndërruar qeverinë shqiptare në një organizatë të rrezikshme kriminale të hajdutëve të shtetit që drejtohet nga kreu i meduzës së krimit të organizuar, Edvin Kristaq Rama. Sot modeli i Rilindjes, bazuar në këtë doktrinë ka shndërruar PSSH në konglomeratin dhe strofullën e vrasësve, pengmarrësve, trafikantëve, grupeve dhe organizatave më të rrezikshme kriminale, që me veprimtarinë e tyre, të mbështetur nga qeveria largojnë nga vendi për pasiguri qindra mijëra shqiptarë, bëjnë ligjin në Parlament, në qeveri, në biznese, prokurime publike e private, dogana, tatime dhe institucione të tjera të “mazhorancës së qelbësirave”.
Sot modeli i Rilindjes ka shndërruar Shqipërinë në vendin më të pasigurtë në rajon dhe Europë, në Kolumbi të Europës, Kanabistan, Tritolistan. Me gjithë këto, unë jam optimist dhe besimplotë se, pavarësisht nga gjendja aktuale dramatike e shqiptarëve, ata shumë shpejt do t’i rezervojnë monstrës së re të neobllokmenëve koshin e plehrave të historisë që i rezervuan partisë mëmë të etërve të tyre mizorë!

Artikulli paraprakDjalli i veshur në Drogë
Artikulli tjetërFaqja e parë