Oferta Zako!…

Erl KODRA

Zakonisht, shumica e ofertave brenda tyre kanë një përqindje të lartë mashtrimi. Jo të gjitha, kuptohet. Por ndodhë që shpesh herë, ka oferta me datë skadence të manipuluar.

E tillë me duket edhe oferta e BD-së së Astrit Patozit. Sepse ky person thotë se e krijoi partinë për 24 orë, grumbulloi 3000 firma, i çoi në Gjykatë; i verifikoi një për një, mori vendimin në dorë, me vrap dhe e rregjistroi në KQZ për zgjedhje!

Magjike, apo jo!

Apo është mashtrim banal?!

Nejse, por problemi është se ky person ka si kalë beteje ndryshimin e sistemit, të cilin pretendon ta ndryshojë… me magji! Sepse për të ndryshuar sistemin, duhet të kesh numra, ose mbështetje njerëzore, ashtu siç ka Partia Demokratike dhe Rilindja. Deshem apo nuk deshëm, numrat i kanë këta të dy, pavarësisht rrethanave dhe pozicioneve ku ndodhen, në një betejë për jetë a vdekje.

Betejë e ravijzuar qartësisht, ashtu siç janë të ndara e mira me të keqen.

Në fakt, sistemi rrëzohet duke dalë nga ngrehina e sistemit, duke e denoncuar atë, duke ia shembur një e nga një alibitë, falsitetin dhe gënjeshtren. Nuk mund të shembet godina duke qëndruar brenda saj. Kjo nuk ka sens, madje në vetvete, kjo është gënjeshtër e pastër.

Si mund të shembësh një sistem kur hynë brenda sistemit, duke i dhënë legjitimitet atij?! Me çfarë do ta detyrosh sistemin që të ndryshojë? Me cilët njerëz, figura, mbështetës? Apo me ato 3000 fantazmat që firmosën për ty?!

Në të vertetë, e vetmja forcë reale politike që mundet ta ndryshojë sistemin është Partia Demokratike. Këtë fakt e ka artikuluar Lulzim Basha qysh në vitin 2013. Përpjekjet e Opozitës shqiptare kanë qenë sistemike, të pandërprera, me luftën kundër krimit në politikë, në ekonomi dhe në administratë. Ligji i Dekriminalizimit është prova. Vetting-u në politikë është prova tjetër.

Së fundi, fjala e Lulzim Bashës në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike është programi politik i saj, i artikuluar qartë dhe prerë;

Sistemi aktual duhet shembur!

Kjo që po bën Astrit Patozi është plagjiaturë, madje nga ato vjedhjet e shëmtuara dhe banale. Të vjedhësh ide qe as nuk di t’i artikulosh është fëlliqësi e patolerueshme.

Partia Demokratike ka dhënë prova se mundet të shembë sisteme, shumë më të egra dhe barbare se sa ky i sotmi.

Sistemi nuk shembet me urdhër peshku, as duke u ulur në prehër të Edi Ramës. Ndaj oferta jote Astrit Patozi është një ofertë mashtruese.

Çdo mashtrim e ka një hile dhe një arsye. Hilja jote është e trashë, arsyeja neveritëse.

Artikulli paraprakGjermania e prerë: S’ka demokraci në Shqipëri, të dënohen blerësit e votave
Artikulli tjetërFaqja e pare