Kush e nxit islamofobinë?

Kim Ghattas,
“Foreign Policy”

Një biznesmen arab, i cili vizitonte shtetin e Ohios javën e kaluar e gjeti veten të shtrirë në tokë përpara hotelit të tij nga një oficer i policisë, i cili dyshonte se mund të ishte terrorist. Dikush i kishte telefonuar policisë për të raportuar në lidhje me një person të dyshuar si militant i Shtetit Islamik. Të vetmet arsyetime të përdorura për akuzën ishin vjeshja e tij tipike arabe dhe fakti që fliste arabisht në telefon. Ky është vetëm një nga shembujt e shumtë që ilustrojnë trendin e rrezikshëm të kulturës amerikane që demonizon të gjithë arabët dhe myslimanët.
Çfarë e shtyn dikë t’i telefonojë policisë dhe të raportojë një të dyshuar si terrorist kur shikojnë një person të veshur si arab dhe flet arabisht? Po, mund të ketë arsye të forta për të qenë të frikësuar, por nuk duhet nënvlerësuar gjithashtu ekspozimi i vazhdueshëm i amerikanëve ndaj mbulimit mediatik, filmave dhe retorikës politike që i portretizojnë arabët dhe myslimanët si të jashtëm kërcënues.
Shembulli më konkret këtë vit ka qenë Donald Trump, i cili pas vrasjeve në Orlando bëri thirrje edhe një herë që myslimanët të mos lejoheshin më të hynin brenda Shteteve të Bashkuara, duke kërkuar gjithashtu një profilizim më të ashpër të myslimanëve që jetojnë në Amerikë dhe duke paralajmëruar se “Islami radikal është duke na trokitur në derë”.
Deklarata e Trump u përball me një kritikë të ashpër nga ana e Presidentit Barack Obama, i cili paralajmëroi pasojat e rënies në grackën e portretizimit të të gjithë myslimanëve si terroristë dhe theksoi se amerikanët nuk mund t’i shpallin luftë një besimi të tërë fetar. Hillary Clinton u pajtua me deklaratën e Presidentit amerikan, duke thënë se nuk mund të demonizohen të gjithë myslimanët, madje edhe vetë republikanët e kritikuan ashpër qëndrimin ofendues të Trumpit.
Por edhe pse deklarata të tilla të Trumpit janë kritikuar pothuajse gjithmonë publikisht, kjo nuk është aspak e mjaftueshme për të çrrënjosur islamofobinë nga jeta politike amerikane. Kandidati i mundshëm republikan nuk ishte personi i parë që hapi diskursin antimysliman në Shtetet e Bashkuara. Ai thjesht është duke i dhënë më shumë mbulim mediatik dhe është duke ofruar një platformë më të ashpër.
Deklaratat e tij nuk janë gjë tjetër veçse një manifestim akoma më i egër i perceptimeve negative të përhapura në të gjithë Amerikën për arabët dhe myslimanët. Një sondazh i vitit 2011 nga Universiteti i Maryland tregoi se 61 për qind e amerikanëve kishin bindje negative rreth islamit. Perceptimi publik duket se është rritur dramatikisht gjatë 15 viteve të fundit, pasi një sondazh i mbajtur menjëherë pas 11 shtatorit zbuloi se vetëm 39 për qind e amerikanëve e shikonin islamin si kërcënim.
Këto bindje përkthehen në krime të nxitura nga urrejtja në Shtetet e Bashkuara. Në vitin 2015, në prag të sulmeve në San Bernandino dhe Paris, krimet e urrejtjes kundër myslimanëve dhe xhamive u trefishuan në Shtetet e Bashkuara. Lindja e Mesme nuk është aspak burim lajmesh të mira, megjithatë nuk bëhet asnjë përpjekje për të shkuar përtej lajmeve të dhunës për këtë rajon në media. Lajmet e këqija që vijnë nga rajoni çojnë edhe në portretizimin e arabëve dhe myslimanëve si terroristë, duke ushqyer kështu një islamofobi të butë, që fillimisht mund të kalojë pa u vënë re, derisa një ditë manifestohet në incidente të ngjashme me atë në Ohio.
Një studim i publikuar vitin e kaluar nga firma këshillimore “416Labs” tregoi se, përgjatë 25 vitesh mbulimi mediatik dhe titujsh në gazetë, portretizimi i islamit dhe myslimanëve në “New York Times” ishte më negativ se çështje si kanceri, alkooli dhe kokaina. Studimi zbuloi se nuk ka asnjë fjalë pozitive në 25 lajmet kryesore që lidhen me islamin apo myslimanët dhe vetëm 8 për qind e titujve për këto tema kishin konotacion pozitiv. Ndërkohë, lajmet pozitive rreth kancerit arrinin deri në 17 për qind.
Këto janë të gjithë faktorët që kanë ndikuar në ndërgjegjen kolektive amerikane dhe normalizon qëndrimet raciste. Ndërkohë që racizmi i hapur i Donald Trumpit ka fituar një vëmendje të jashtëzakonshme, fushata e kohëve të fundit është e mbushur me shembuj aludimesh dhe fanatizmi të rastësishëm. Në muajin janar, gjatë një debati presidencial të republikanëve, drejtuesja e “Fox News”, Megyn Kelly, pyeti guvernatorin e Nju Xhersit, Cris Christie për mbështetjen e tij për profilizimin e myslimanëve për të identifikuar terroristët, në kontekstin e sulmit në San Bernandino që kishte ndodhur në dhjetor. Kur Christie u tërhoq, duke aluduar se kishte edhe forma të tjera për të identifikuar planet terroriste, Kelli këmbënguli.
“Fqinjët kanë thënë se kanë parë një burrë që hynte dhe dilte nga garazhi. Ata kanë parë pako që dërgoheshin aty. Ata kanë parë myslimanë, por kanë menduar se kjo nuk ishte e mjaftueshme për të njoftuar policinë. Po ju si mendoni?”, pyeti ajo. Me frazën “ata pamë myslimanë”, Kelly sugjeronte se myslimanët janë në njëfarë mënyre menjëherë të identifikueshëm dhe të dyshuar si terroristë. Ata nuk përshtaten me pjesën tjetër të popullsisë. Ata nuk ngjasojnë me mësuesen, doktorin, shitësin apo avokatin tënd. Ata mund të jenë amerikanë, por janë “ndryshe”, këtë aludonte gazetarja.
Gjatë fushatës presidenciale të vitit 2008, një grua iu drejtua kandidatit republikan, John McCain gjatë një takimi dhe i tha se kishte frikë dhe nuk i besonte kandidatit demokrat, Barack Obama. “Kam lexuar shumë për të”, tha ajo, “ai është arab”. McCain mori në dorë menjëherë mikrofonin për ta ndërprerë dhe i tha: “Jo, zonjë. Ai është një zotëri që vjen nga një familje e ndershme. Është një qytetar amerikan me të cilin kam mosmarrëveshje për çështje thelbësore, ky është thelbi i çdo fushate. Ai nuk është arab”.
Përgjigjja e McCainit natyrisht u duartrokit shumë dhe u lavdërua si shmangie e fanatizmit dhe racizmit, megjithatë shumë pak njerëz theksuan faktin se, brenda përgjigjes së tij fshihej aludimi se të qenurit arab dhe të qenurit zotëri nga një familje e ndershme janë dy fakte që kundërshtohen.
Një tjetër republikan në fakt e kritikoi. “Përgjigjja e saktë do të ishte: ai nuk është mysliman, është kristian”, tha ish-sekretari i Shtetit, Colin Powell. “Madje përgjigje akoma më e saktë do të ishte: Po sikur të ishte mysliman? A ka ndonjë të keqe të jesh mysliman në Amerikë? Sigurisht që jo”.
Si e kishte krijuar gruaja që i drejtoi pyetjen McCainit bindjen se arabët nuk janë njerëz të besueshëm? Nuk janë vetëm politikanët amerikanë dhe mediat ato që krijojnë këto stereotipe, por është e rrënjosur edhe në kulturën popullore. Jack Shaheen, autor i librit “Arabët e këqinj: Si i përgjon Hollivudi njerëzit”, zbuloi në mbi 1 mijë filma të studiuar prej tij se arabët paraqiteshin negativisht në 932 prej tyre, tipikisht si terroristë, sheikë të ligj apo karaktere të ngjashme negativë. Vetëm në 12 filma arabët paraqiteshin si njerëz të mirë dhe në 56 të tjerë përshkrimi ishte neutral.
Në vitin 2014, filmi “Snajperi amerikan”, i cili rrëfen jetën e marinsit Chris Kyle, tërhoqi një numër rekord audience, por edhe kritika të ashpra për përshkrimin pozitiv të luftës në Irak dhe për lavdërimin e vrasjes së mijëra arabëve. Kyle është një personazh real, një hero i njohur si snajperi më i aftë i historisë amerikane, por në memoaret e tij ai mburret shpesh për vrasjen e “egërsirave” gjatë luftës së Irakut.
Në këtë film, irakenët përfshirë edhe gratë dhe fëmijët, paraqiten si çnjerëzorë. Publikimi i këtij filmi gjeneroi një shpërthim të vërtetë urrejtjeje dhe kërcënimesh kundër myslimanëve dhe arabëve në rrjetet sociale. “Filmi ‘Snajperi amerikan’ më bën të shkoj të vras ca arabë të ndyrë”, shkruante një përdorues i Twitter-it.
Atëherë, zgjidhja është të publikohen filma dhe artikuj që i përshkruajnë arabët dhe myslimanët amerikanë pozitivisht? Jo domosdoshmërisht, sipas Amer Zahr, shkrimtar, komedian dhe profesor drejtësie në Universitetin e Detroitit. Zahr e përdor komedinë si formë proteste kundër stereotipeve, por është i ndërgjegjshëm se njerëzit që ndjekin filmat e tij janë të hapur ndaj këtij mesazhi. Për këtë arsye, ai shfaqet shumë shpesh në “Fox News” për të sfiduar drejtpërdrejt njerëzit që i shohin arabët dhe myslimanët si të rrezikshëm dhe terroristë.
“Racizmi nuk mposhtet kurrë duke bindur racistët apo duke shfaqur anën e mirë të islamit apo arabëve. Racizmi mposhtet duke e sfiduar ballë për ballë”, thotë Zahr. Me fjalë të tjera, etiketimi publikisht i racistëve si racistë, është mënyra më e mirë për ta bërë atë të papranueshëm. Kjo është edhe mënyra se si racizmi kundrejt afro-amerikanëve u bë i papranueshëm në Amerikë, edhe pse diskriminimi vazhdon aty-këtu të ekzistojë.
Kam folur gjithashtu me Maz Jobrani, një komedian amerikano-iranian, i cili është përpjekur të luftojë stereotipet që lidhen me iranianët dhe myslimanët për vite me radhë. Që nga viti 2005 deri në vitin 2011, ai ka qenë pjesë e një turi komedish të quajtur “Aksi i ligësisë”, ku një grup prej katër komedianësh talleshin me keqkuptimet perëndimore dhe atë të Lindjes së Mesme, duke trajtuar njëkohësisht çështje të mëdha si terrorizmi dhe bombardimet.
“E di mirë që lufta vazhdon, por nuk është një kauzë e humbur”, thotë ai. “Mendoj se përmirësime të situatës ka pasur dhe shpresoj se brezi i ri i Shteteve të Bashkuara është më tolerant, më i hapur dhe më ndërkombëtar”. Puna e fundit e Jobranit është një film komedi ku heroi nuk është amerikan, por një emigrant iranian, i cili i shpëton të gjithë.
Por nëse është e rëndësishme të portretizohen arabët dhe myslimanët për të luftuar racizmin, nuk duhet harruar gjithashtu se islamofobia lidhet ngushtë edhe me racizmin që tregohet edhe kundrejt qytetarëve amerikanë me prejardhje, qoftë edhe të largët arabe apo që kanë zgjedhur të kenë besimin fetar islam.
Nga ana tjetër është vërejtur një përpjekje e madhe e politikanëve amerikanë për ta luftuar me çdo kusht islamofobinë dhe racizmin. “Kemi vënë re përpjekje nga më të ndryshmet, deklarata nga politikanë që thonë se duhet të respektojmë myslimanët pasi ata janë linja jonë e parë e mbrojtjes”, thotë H.A. Hellyer e “Atlantic Counsil”. “Megjithatë, amerikanët myslimanë nuk janë një mjet kundër terrorizmit. Ata janë fillimisht qytetarë, amerikanë ose jo, të cilët duhet të ndihen njëlloj si ne”.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakBerisha: Ramës po i ngushtohet rrethi në skandalin Bilalgate!
Artikulli tjetërÇfarë liderësh po prodhojnë shkollat elitare