Elona CASLLI
Alfabeti i Qëndresës
Lartmadhëri
Orëve të natës janë hequr gërmat mbi ndërtesën e Teatrit Kombëtar. Nëse do të kish qenë një veprim krejt i rregullt dhe në përputhje me ligjin do të ish kryer ditën dhe jo vjedhurazi natën.
Lind pyetja Lartmadhëri: Hoqët vjedhurazi gërmat e një ndërtese, por vallë a do të mundeni të hiqni gërmat e një qëndrese?!
Në atë shesh Lartmadhëri ka një bashkësi gërmash që nuk mund të vidhen as pas mesnate dhe as pas mesdite.
Dhe a dini se çka përfaqësojnë ato gërma Lartmadhëri?!
Përfaqësojnë atë që quhet Alfabet i Qëndresës.
E kush e njeh Alfabetin e Qëndresës, njeh vetëm një autoritet – Autoritetin e së Drejtës-.
Post Scriptum- Shkulja e gërmave nga Teatri Kombëtar nuk bën gjë tjetër veçse më risjell ndërmend Kamel Daoud-in …..
Duket se ata e urrejnë qytetin dhe duket sikur vijnë për të bastisur një vend të huaj. Qyteti për ta është plaçkë lufte. Ata e konsiderojnë si prostitutë plakë, e fyejnë, e keqtrajtojnë, e pështyjnë në surrat ……