Nick Duffell
Përveç flokëve të pabindura, gjuhës së ashpër dhe lëkurës së zbehtë, mund të mendohet se nuk ka asnjë ngjashmëri ndërmjet intelektualit me gjak blu anglez, Boris Johnson dhe manjatit amerikan të kazinove, Donald Trump. Megjithatë, ekziston diçka e përbashkët që ka ndikuar në rritjen dhe formimin e tyre, e cila na ndihmon të shpjegojmë shtrembërimet e ngjashme të personalitetit të tyre që pasqyrohen qartë në politikën që ndjekin: shkollimi në kolegjet që kanë ndjekur.
Kolegjet janë një prej tipareve që karakterizojnë kulturën angleze dhe Shtetet e Bashkuara së bashku me Mbretërinë e Bashkuar janë dy prej vendeve kryesore në botë që e kultivojnë me zell këtë praktikë shkollimi. Kolegjet elitare janë një pjesë e pandashme e sistemit të edukimit të këtyre vendeve dhe zgjedhja më e preferuar e shtresave të larta dhe atyre aspirante të shoqërisë që mund të përballojnë një tarifë studimi prej dhjetëra mijëra dollarësh ose paundësh në vit. Por për vendet e tjera europiane kjo është më shumë një praktikë e vjetër e nostalgjisë imperiale që rrit “zotërinj aristokratë” me trup shumë të zhvilluar, mendje pak të zhvilluar dhe zemër të pazhvilluar, siç e shpjegon edhe E. M. Forster.
Nuk e kanë gabim. Për më shumë se 30 vjet, kam studiuar dëmin psikologjik që i shkaktohet fëmijëve të elitës britanike që në vegjëli nga jeta e institucionalizuar e kolegjeve dhe konvikteve. Në vend të dashurisë prindërore, këta fëmijë rriten me disiplinë pothuajse diktatoriale dhe frikë. Nuk ekziston asnjë teori kontemporane të zhvillimit të fëmijëve që mbështet edukimin e tyre në institucione të tilla si konviktet, por praktika është aq e mbrojtur nga zakonet dhe privilegjet, sa defektet e mëdha të këtij sistemi edukimi shpesh anashkalohen. Kohët e fundit, një numër i madh psikologësh profesionistë kanë studiuar vështirësitë e mëdha që hasin “të mbijetuarit e kolegjeve” kur përballen me jetën normale pas shkollës.
Ky sfond ofron një pamje të rëndësishme të trazirave politike në Britani gjatë javëve të fundit. Brexit ka konfirmuar një shprehje që novelisti britanik, John le Carre e ka përsëritur shpesh: Tradhtia mund të ndodhë vetëm mes miqsh dhe mes njerëzve që duhen. Elitat e Britanisë tradhtuan njëri-tjetrin dhe besimin e vendit të tyre sepse edhe ata vetë u ndjenë të tradhtuar. Ky është një reagim i njohur i shtyrë nga dëmi psikologjik i shkaktuar gjatë fëmijërisë, veçanërisht gjatë viteve të kaluara në konvikt.
Le të marrim ai shembull Johnsonin, i cili pasi tradhtoi mikun e tij të ngushtë që në kohën e shkollës në Oxford, David Cameron, gjatë gjithë fushatës së referendumit u godit me thikë pas shpine menjëherë pas votimit nga aleati i tij, Michael Gove. Ishte pothuajse e pamundur të kuptoje plotësisht veprimet e Johnsonit përpara votimit të Brexit pa parë shtangien e paprecedent në fytyrën e tij nga pasojat që gjeneroi menjëherë votimi. Ishte e qartë se ai nuk kishte parashikuar që ta fitonte referendumin dhe nuk kishte parashikuar as të ndeshej me një pritje aq armiqësore nga njerëzit e mbledhur përreth shtëpisë së tij. Johnson nuk diti si të përballej me asnjërën prej këtyre situatave. Është pikërisht kjo paaftësi, ajo që shpjegon qartë papërgjegjshmërinë e veprimeve të tij.
Ndërkohë që Johnson u dërgua në kolegj në moshën 11-vjeçare, Trump u dërgua në Akademinë Ushtarake të New York-ut kur ishte vetëm 13 vjeç dhe kjo eksperiencë ka ndikuar thellë në formimin e tij si individ. Në vitin 2015, kur e akuzuan për bulizëm gjatë shkollës ushtarake, Trump u mburr duke thënë se edukimi i tij në këtë shkollë i kishte dhënë më shumë trajnim ushtarak se shumica e djemve të tjerë që shërbejnë sot në ushtri. Imponimet brutale dhe konkurrenca e pamëshirshme janë karakteristikat dalluese të këtyre shkollave, regjimi i së cilave është krijuar në të shkuarën e vjetër patriarkale. Studimet e shumta psikologjike kanë treguar se kur djemtë e vegjël institucionalizohen në këto lloj shkollash, bulizmi dhe ngacmimet seksuale janë pothuajse të paevitueshme. Kjo mund të jetë edhe një prej arsyeve përse Trump promovon politika kaq agresive, që nga tortura tek deportimet në masë.
Por duke u përqendruar në aspektin dramatik të situatës, mund të na shpëtojë problemi kryesor që buron nga “braktisja e privilegjuar” e fëmijëve nëpër kolegje. Duhet të merret në konsideratë trauma bazë psikologjike me të cilën përballen djemtë e rinj si Donald dhe Boris. Të ndarë para kohe nga shtëpia dhe familja, nga dashuria dhe përkujdesja, fëmijët nëpër kolegje detyrohen të vetëtransformohen me shpejtësi në pseudo të rritur dhe të mbështeten vetëm tek vetja e tyre. Në këtë rast mund të përmendet si shembull këmbëngulja e Trumpit për të lavdëruar veten si një gjeni i biznesit që gjithçka e ka ngritur vetë.
Në institucionet me rregulla të pathyeshme dhe orare tepër të rrepta, fëmijët duhet të mësohen të jenë gjithmonë në gatishmëri dhe vigjilentë për të qëndruar larg problemeve. Më e rëndësishmja është që të mos duken kurrë të mërzitur, fëminorë, qesharakë apo të dobët, përndryshe do të bëhen viktima të bulizmit. Në këtë mënyrë, ata mësohen të shkëputen nga të gjitha këto veçori dhe e projektojnë veten në varësi të ambientit që i rrethon, duke krijuar kështu personalitet të dyfishtë. Ndoshta kjo është arsyeja përse shumica e agjentëve sekretë dhe spiunëve më të zotë janë shkolluar nëpër kolegje që në fëmijëri.
Duke qenë se empatia dhe inteligjenca emocionale nuk ndodhen brenda kurrikulumit, mbijetesa dhe tradhtia bëhen tipare të natyrshme. Përvetësimi kthehet në një mënyrë për të kompensuar të gjitha humbjet. Lustra falso e vetëbesimit, tipari thelbësor i mbijetesës, ruhet për shumë kohë edhe pas përfundimit të shkollës, por pas saj fshihet ankthi dhe pasiguria. Këto lloj personalitetesh nuk pranojnë dot gabime (si për shembull, Tony Blair i shkolluar në kolegjin Fettes) dhe dobësitë e tyre duhet t’ia atribuojnë patjetër të tjerëve, gjë që ndoshta shpjegon arsyen përse kur këta individë hyjnë në botën e politikës, vënë nën shënjestër të huajt dhe emigrantët.
Në librin “Liderë të plagosur”, në të cilin flitet për psikohistorinë e elitizmit britanik, edukimi në konvikt që në vegjëli e elitës është përshkruar si metodë e zhvillimit të hipokrizisë, përvetësimit dhe mizogjinisë. Aty shpjegohet krijimi i personalitetit të mbijetesës si një parapërgatitje e tmerrshme jo vetëm për jetën familjare në të ardhmen, por edhe për lidershipin. Njerëzit që nuk kanë përjetuar kurrë një përkatësi të vërtetë në shoqëri apo familje, e kanë tepër të vështirë të bashkëpunojnë në një mjedis komuniteti siç është Bashkimi Europian.
Duke qenë se janë rritur duke mohuar me çdo kusht dobësitë, si mund të rriten për t’u bërë liderë që të mbrojnë shtresat më të dobëta të shoqërisë? Individët e rritur në kolegje janë mësuar ta kompensojnë humbjen e jetës në familje me disiplinën, por kjo i ka bërë dyshues ndaj të huajve dhe liberalëve. Bulizmi bëhet rutinë e jetës së përditshme dhe shembull konkret janë institucione si Dhoma e Përfaqësuesve, ku anëtarët janë mësuar të tradhtojnë çdo ditë njëri-tjetrin, madje lideri i Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn është shembulli më i fundit.
Të gjitha këto hipoteza janë të mbështetura nga prova neuroshkencore. Profesori Stephen Porges, studiues në Departamentin e Psikiatrisë në Universitetin e North Carolina, ka zbuluar se në kushte të stresit të lartë, njerëzit janë të aftë ta fikin plotësisht sistemin e tyre nervor që lidhet me eksperiencat emocionale dhe shprehitë sociale për të ruajtur energjitë, njëlloj si minjtë që hiqen sikur kanë ngordhur. Kështu, muskujt e fytyrës nuk furnizohen më me gjak dhe ne nuk mund të lexojmë shprehitë emocionale apo të komunikojmë me gjestet e fytyrës.
Porges sugjeron se gjendje të tilla bëhen kronike për të mbijetuarit e fëmijërisë traumatike apo të mjediseve si kolegjet e rrepta. Këta individë vuajnë nga aftësia për të vlerësuar siç duhet rrezikun dhe bota shihet papritur si një mjedis kërcënues. Kjo shpjegon një nga problemet më të zakonshme klinike të raportuar nga ish-studentët e kolegjeve dhe familjeve të tyre; paaftësia për të dalluar nëse veprimet e të tjerëve janë intime, miqësore apo armiqësore.
Tani, le ta bashkojmë këtë studim me atë të profesorit Antonio Damasio në lidhje me funksionimin e trurit, i cili thotë se: Njerëzit kanë nevojë për emocione për të pasur gjykim të shëndoshë. Edukimi tepër racional në kurriz të inteligjencës emocionale që ofrohet në kolegjet tradicionale dhe konvikte, tashmë duket si receta ideale për lidershipin shkatërrimtar.
Një tjetër studim që lidhet me pasojat e studimit në kolegje të ndryshme e zgjeron edhe më shumë pamjen. Së bashku me pavarësinë e mendjes, kolegjet thonë se promovojnë dhe ushtrojnë aftësinë e përshtatjen. Por psikologia Olya Khaleelee kohët e fundit ka arritur në konkluzione surprizuese të studimeve të saj, pasi ka analizuar të dhënat e përftuara nga testimi disa vjeçar i ekzekutivëve që merren me punësimin dhe rekrutimin e “kokave të mëdha”.
Duke përdorur metoda të zhvilluara në Zvicër për të vlerësuar menaxhimin e stresit për pilotët e Air Force, ajo zbuloi se ata që vuajnë nga shoku i ndarjes nga familja në fëmijëri, kishin krijuar tendencën që, kur ndodheshin nën presion të lartë, të humbisnin lidhjen me inteligjencën emocionale. Ky fakt i bënte ata më të prekshëm ndaj stresit, më të paaftë për t’u përshtatur me situata të ndryshme dhe të paaftë për të bërë gjykime të arsyetuara.
Shumica e njerëzve të intervistuar në studim kishin studiuar në kolegje kur ishin fëmijë. 50 për qind e personave që nuk kishin studiuar në kolegj, por në institucione të tjera, qëndronin gjatë gjithë kohës të lidhur me inteligjencën e tyre emocionale, krahasuar me 33 për qind të pjesës tjetër, të cilët ishin tepër të paaftë për të dalluar dhe vlerësuar rrezikun. Në një artikull të “Organisational and Social Dynamics”, Khaleelee ngrinte pikëpyetje nëse kjo mund të shpjegonte në njëfarë mënyre atë që i ndodhi Cameronit, i cili teksa mbështeste referendumin, u tregua tërësisht i paaftë për të dalluar përçarjet brenda partisë dhe kombit të tij.
Por çfarë implikimesh mund të kenë këto studime mbi britanikët dhe amerikanët apo mbi një presidencë të mundshme të Donald Trumpit? Si fillim, ata që studiojnë sjelljet njerëzore dhe proceset psikologjike duhet të jenë në kontakt me komentatorët politikë për të identifikuar liderët e rrezikshëm dhe emocionalisht të distancuar. Nëse mediat informohen siç duhet, mund të identifikojnë dobësinë dhe bulizmin që fshihet shpesh pas politikës populiste, një politikë që tipikisht i shtyn njerëzit të votojnë kundër interesit të tyre më të mirë. Brexit i tregoi botës se demokracia mund të sjellë edhe shkatërrim kur qytetarët drejtohen nga elita, e cila nga ana e saj drejtohet më shumë nga traumat e veta të fëmijërisë se sa nga ndjenja e përgjegjësisë kundrejt popullit që përfaqëson. Tani bota i ka sytë nga amerikanët që të mos bëjnë të njëjtin gabim të britanikëve.
Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI