Ishulli sovran…

Kujtimi i predominimit global, Kanali i La Manshit si barrierë, një ndjenjë e caktuar superioriteti…

Historiani Brendan Simms na shpjegon pikëpamjen angleze lidhur me botën.

Ka mundësi që përkufizimi më i mirë sesi anglezët shikojnë pjesën tjetër të kontinentit përmblidhet në një shprehje të Paolo Pombeni, Historian i Sistemeve Politike Europianë në Universitetin e Bolonjës: “Ata besojnë se Europa është e izoluar nga Britania e Madhe”. Në këto fjalë përmblidhet fati dhe karakteri i një populli që ndër shekuj ka kultivuar me krenari, thuajse në mënyrë religjioze, izolimin dhe dallimin e vet nga pjesa tjetër e kontinentit. Historia na e dëshmon qysh nga koha e Romës, kur Britannia, edhe pas 4 shekujsh dominimi romak, mbeti me shpirt britanik dhe asnjëherë latin.

Sigurisht, nuk është aspak rastësi fakti që anglezët e kanë shikuar gjithmonë Kanalin e La Manshit si një barrier fatlume për të kultivuar në paqen e shenjtë bahçen e tyre dhe gjithmonë, jo rastësisht, Henriku i VIII-të ka qenë sovrani që është shkëputur nga Roma dhe papa për të themeluar një Kishë të pavarur dhe, mbi të gjitha, angleze. Më pas, në shekujt në vazhdim, nënshtetasit e Madhërisë së Tij kanë kërkuar sa më shumë të jetë e mundur që të qëndrojnë larg konflikteve kontinentale dhe e kanë urryer e përçmuar si askush tjetër Napoleonin, që pretendonte t’i bënte ishujt britanikë një shtojcë franceze, duke u imponuar dominimin e tij dhe, më keq akoma, ligjet e tij.

Në fund ajo që anglezët kanë përkëdhelur gjithmonë ka qenë ai izolim, që jo rastësisht është quajtur i “shkëlqyer”, që i pa në ‘800 të merreshin vetëm me perandorinë e tyre, ndërsa Europa tronditej nga revolucionet dhe restaurimet. Në thelb, asgjë nuk ka arritur kurrë që t’i lëvizë nga timoni në të majtë i makinës, nga masat në inç dhe galonë, nga stërlina, bile as Bashkimi Europian ku kanë qenë gjithmonë pjesë me një këmbë brenda dhe tjetrën jashtë, përpara se të kërcenin në Brexit, lamtumirën e gjatë dhe të trazuar nga Europa e bashkuar, ende plot me të panjohura.

Në fund, për nënshtetasit e Elizabetës së II-të caput mundi ka qenë gjithmonë Londra dhe kurrë Roma e, aq më pak, Brukseli. Kështu, La Manshi duket i destinuar që t’i shënojë akoma më shumë kufijtë e universit britanik, një univers i banuar nga europianë që nuk ndjehen deri në fund pjesë e Europës dhe që kur shihen në pasqyrë shikojnë të pasqyruar unicitetin e tyre. Ai që e konfirmon një gjë të tillë është Brendan Simms, Docent i Historisë së Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Cambridge University.

Si e shohin anglezët Europën?

Midis tyre nuk ekziston një pikëpamje univoke. Por mund të pohojmë se në përgjithësi britanikët ndjehen njëkohësisht europianë, por edhe një hap larg nga Europa. Qartazi që kjo mënyrë të ndjeri është frut i trajektoreve të ndryshme të përjetuara nga Anglia dhe nga vendet europianë. Në vija të përgjithshme, Europa kontinentale ka një të kaluar të dominuar nga lindja dhe nga rënia e shteteve kombe dhe nga trauma të vazhdueshme. Anglia dhe Mbretëria e Bashkuar kanë në fakt një traditë pothuajse të pandërprerë sovraniteti pa fraktura. Kjo na ndihmon të kuptojmë edhe qqasjen e ndryshme të anglezëve ndaj Bashkimit Europian. Europa e bashkuar lind për të zgjidhur problemet dhe përçarjet në brendësi të kontinentit europian, por anglezët kanë pyetur gjithmonë se çfarë kuptimi do të kishte për ta hyrja në një organizëm për të cilin nuk kishin nevojë, pasi vendi i tyre nuk paraqiste përçarje.

Sipas mendimit tuaj, a ndjehen anglezët pjesë e historisë europiane?

Patjetër që Anglia dhe Mbretëria e Bashkuar (dhe nuk flasim për të njëjtën gjë, mos ta harrojmë!) janë pjesë e Europës nga pikëpamja gjeografike dhe historia e tyre në pjesën më të madhe është e lidhur me atë të kontinentit. Siç e kam theksuar në studime të ndryshme dhe në librin tim “Europe: The Struggle for Supremacy, from 1453 to the Present” (shtëpia botuese Penguin), konteksti europian është thelbësor për të kuptuar historinë britanike më shumë akoma sesa të ndjekësh ndodhitë e Perandorisë Britanike. Thënë këtë, duhet të kihet parasysh se anglezët dhe britanikët nuk ndjehen pjesë e ndonjë shteti çfarëdo të Europës. Janë ndjerë gjithmonë pjesë e një vendi dominues mbi continent dhe jo të destinuar që të dominohen. Besoj se nuk ekziston popull tjetër në Europë për të cilin ky diskutim është me më shumë kuptim.

Çfarë lodhen joanglezët të kuptojnë nga anglezët? Cilat tipare karakteristike na shpëtojnë?

Gjëja kryesore është se europianët lodhen të kuptojnë natyrën e jashtëzakonshme dhe të veçantë të historisë britanike. Edhe nëse e kuptojnë në fund, nuk e pranojnë deri në fund këtë unicitet. Për shembull, europianët nuk kuptojnë se Mbretëria e Bashkuar nuk është një shtet komb, por një bashkim kombesh, ndërsa Bashkimi Europian është një konfederatë shtetesh kombëtare. Për këtë arsye, Bashkimi Europian mbështet rivendikimet e Republikës së Irlandës, që është një shtet kombëtar, kundrejt Mbretërisë së Bashkuar, që është një bashkim multikombëtar, dhe njëkohësisht mbështet nacionalizmin spanjoll kundër katalanasve.

Le të provojmë të bëjmë një identikit për të arritur të kuptojmë se cilat janë tiparet karakteristike të britanikëve…

Parasëgjithash që anglezët janë një bashkim prej 4 popujsh, të cilët janë bashkuar për t’u mbrojtur nga kushdo që do të vinte nga jashtë një hapësire gjeografike të përbashkët, institucionesh dhe vlerash politike të pranuar. Dhe në pjesën më të madhe të rasteve janë të vetëdijshëm e krenarë që e kanë bërë me rezultate shumë pozitive për qindra vjet.

Brexit është një moment traumatik në raportin midis Britanisë së Madhe dhe Europës. Si e përjetojnë anglezët një gjë të tillë?

Patjetër që ka diferenca midis mbështetësve të Brexit dhe atyre që do të kishin dashur të qëndronin në Bashkimin Europian. Për ata në favor të daljes, Brexit është rikthimi në atë traditë të historisë angleze që është ndërprerë në vitin 1973 me hyrjen në atë që në atë kohë ishte Komuniteti Ekonomik Europian. Për ata që do të kishin dashur të qëndronin në Bashkimin Europian, Brexit është një frakturë e thellë dhe traumatike që prish një rend tashmë të stabilizuar dhe të destinuar që të zgjasë gjatë. Brexit mund të krahasihet me efektet e Reformës Protestante, duke supozuar më pas që Brexit do të zgjasë vërtet gjatë.

Sipas mendimit tuaj, çfarë lloj lidhjeje do të mbesë midis anglezëve dhe pjesës tjetër të Europës?

Lloji i lidhjes varet nga shumë faktorë. Parasëgjithash, Britania e Madhe mbetet e lidhur me Europën nga pikëpamja e sigurisë ushtarake nëpërmjet NATO-s. pikëpyetja e madhe është se sesi do të konretizohen raportet midis Britanisë së Madhe dhe pjesës tjetër të Europës, raporte që deri më tani ushtroheshin nëpërmjet Bashkimit Europian. Do të jetë Mbretëria e Bashkuar ajo që do të diktojë rregullat apo do të jetë Bashkimi Europian? Kërkesa e Bashkimit Europian lidhur me çështjen e kufirit midis Irlandës dhe Irlandës së Veriut, e ashtuquajtura backstop, të bën të mendosh se do të jetë Europa ajo që do të diktojë rregullat. Megjithatë, le të provojmë të mendojmë sesi do të reagonte Italia në një situatë të ngjashme: çfarë do të ndodhte nëse vendi do të kërkonte ta braktiste Bashkimin Europian, por se do t’i imponohej ruajtja e situatës kufitare për sa i përket rajonit të Alto Adige, pasi me gjuhë gjermane dhe i lidhur tradicionalisht me Austrinë?

Kush është Brendan Simms

(Brendan Simms, i lindur në Dublin më 1967, jep Historinë e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Cambridge University. Studimet e Simms merren në mënyrë të veçantë me raportet historike midis vendeve europiane dhe me lidhjet midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Europës kontinentale. Është President i Project for Democratic Union, një organizëm i pavarur që punon për bashkimin e plotë politik të Europës. Libri i tij i fundit përqëndrohet mbi historinë e marrëdhënieve midis Mbretërisë së Bashkuar e Europës dhe titullohet “Britain’s Europe: A Thousand Years of Conflict and Cooperation” (shtëpia botuese Penguin))

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakEuro? Një ide e pakuptimtë
Artikulli tjetërRama nis hakmarrjen pas dështimit në Elbasan, arrestohet ish-deputeti i PD dhe 17 protestues