Në studion e emisionit “Kjo Javë” gazetari Ylli Rakipi komentoi edhe protestat e opozitës, përshkallëzimin e tyre, si edhe krijimin e partisë së re “Bindja Demokratike” e cila u votua sot nga KQZ.
“Opozita nuk po kërkon të ndërrojë kokë për kokë, Edi Ramën me Lulzim Bashën. Nuk po thotë njeri të ikë Edi Rama, ai t’i lerë vendin një qeverie tranzitore që do të çojë vendin, me një paketë reforme, në zgjedhje të lira e të ndershme, për herë të parë, pas 30 vjetësh, dhe Edi Rama merr meritë në këtë rast. Opozita mund të humbë në zgjedhje dhe nëse ai ka siguri absolute sikundër thotë se votat e tij janë rritur, bujrum bëj proceset normale, bëj reformat, shko në zgjedhje, fito, rri 20 vjet në pushtet. Kjo opozitë, sipas meje këtë po kërkon”, u shpreh Rakipi.
“Ne jemi një popull interesant, ne e ulim shpinën menjëherë. Diktaturat te ne, kanë qenë më të egra më të ashpra sepse jemi vetë ne të tillë, ulim qafën. I ke parë parlamentarët që kanë vajtur atje, mbi c’bazë? E ke parë si qeshin ata kur flet Edi Rama. Kënaqen më shumë këta, opozita e re, sesa parlamentarët e Edi Ramës. I pash pardje duke buzëqeshur kur fliste të enjten kryeministri, dhe ata gjithë dritë e gjithë qeshje, opozita. Opozita që ka hyrë aty për të rrëzuar Edi Ramën”,u shpreh Rakipi.
Lidhur me partinë “Bindja Demokratike” e krijuar nga Astrit Patozi, e cila sot u votua edhe në KQZ, Rakipi u shpreh se kjo parti nuk e dëmton PD.
“Pa marrë formë të prerë gjykata për partinë e re të krijuar, maxhoranca vrapoi që ta regjistrojë. Pra, Edi Rama po luan edhe me faktin që i duhet edhe një parti për ta patur aty, që i duhet, ndoshta Patozin, mund të jetë nisur edhe nga qëllimi i mirë, në një moment krize, ku unë hyj dhe përfitoj. Po përfitimet në këtë rast janë në kurriz, jo vetëm të opozitës por të njerëzve dhe nuk është një moment i mirë për z.Patozi.” tha Rakipi.
Në kushtet kur në zgjedhjet vendore, nuk merr pjesë as PD, as LSI, Rakipi tha se Rama i jep një pjesë të votave partisë së re, apo opozitës që do të hyjë në zgjedhje.
“Bindet Edi Rama që t’ja japë një pjesë të votave edhe opozitës që do të hyjë në zgjedhje, jo vetëm Patozit, mund të ketë edhe njerëz të tjerë, dhe i ndan aty. I jep bashkinë e Klosit, ose të Mamurrasit, bashki që nuk i duhen ua kalon këtyre partive. Është në të drejtë të tij Astrit Patozi, e ka thënë vetë. Ka të drejtë ta krijojë partinë e vet”.
Ndërsa komentoi protestën e 13 prillit të opozitës së bashkuar, Rakipi tha se shumë njerëz kanë dalë të protestojnë, por duhet bërë dallimi: Kjo është një protestë politike, që organizon opozita, dhe jo një ngritje nga populli.
“Shumë njerëz vijnë, edhe militantë, po edhe njerëz në hall. Janë ata pak njerëz që kanë mbetur në Shqipëri, që nuk kanë mundur të ikin. Nuk ikin dot as në Greqi që është vendi më i thjeshtë për të ikur. Kanë mbetur një kategori këtu, për fat të keq të Edi Ramës, dhe ata janë ngritur se nuk kanë bukë një pjesë e mirë. Ne që jetojmë në këtë oazin e qendrës së Tiranës, e kemi pak të vështirë, jo gazetarët, se një pjesë e mirë i shohin këto problematike.
Por e vërteta është që aty dalin edhe njerëz që nuk kanë bukën e përditshme, nuk kanë asnjë mjet jetese. Niveli ekonomik është zero. Statistikat e atyre që dëshirojnë të ikin, sipas institucioneve prestigjioze, qoftë edhe atyre që janë afër qeverisë këtu, janë deri në 84 % është shifra e fundit. Edhe të këtyre që kanë mebtur duan të largohen nga ky vend. Pra, këtu pritet të mbetet Edi Rama, Lulzim Basha duke protestuar, ose vjen popullsi arabe e siriane e mbushet Shqipëria përsëri me banorë dhe e drejton edhe për ca vjet Edi Rama”, tha Rakipi.