Surprizojnë fansat. Kur të gjithë prisnin që finalizimi i Xherdan Shaqirit në sfidën mes Zvicrës dhe Polonisë të mos kishte rivalë në garën për golin më të bukur të këtij europiani, tifozët me votat e tyre në faqen zyrtare të UEFA-s kanë përzgjedhur realizimin e Zoltan Gerës në sfidën mes Hungarisë dhe Portugalisë si golin më të bukur të Euro 2016-të. Në minutën e 19-të mesfushori i Ferencvarosit me një goditje fluturimthi nga rreth 25 metra mposhti portierin e luzitanëve Rui Patricio, duke i dhënë avantazhin provizor Hungarisë.
Ai gol ka mbetur në mendjen e tifozëve, pasi 122 mijë persona e kanë votuar finalizimin e Gerës si më të bukurin e Europianit që u zhvillua në Francë. Goli i spektakolar i Xherdan Shaqirit ka zënë vetëm vendin e dytë në këtë klasifikim special, ndërkohë që është përzgjedhur gjithashtu si goli më i bukur i fazës me eliminim direkt.
Vetëm 29 mijë vota ka marrë djaloshi i lindur në Gjilan, i cili ndaj Polonisë realizoi një gol me të vërtetë të rrallë. Pas tyre pozicionohen Robson Kanu, që në sfidën ndaj Belgjikës shënoi një gol shumë të bukur dhe Dimitri Payet me finalizimin e tij në ndeshjen hapëse ndaj Rumanisë. Në vendin e 5-t pozicionohet Radja Nainggolan, që ndaj Uellsit shënoi me një gol me të vërtetë shumë të bukur, për të vijuar me finalizimin me finte të Crisitiano Ronaldos ndaj Hungarisë, golin fantastik të Luka Modriç ndaj Turqisë, rrjetën e Antoine Griezmann ndaj Islandës apo dhe golin e Marek Hamsik në sfidën mes Sllovakisë e Rusisë, ndërkohë që mbyll 10-shen e parë goli i Eder në takimin Itali-Suedi.