Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, thanë të hënën në Berlin se çdo zgjidhje e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të shmang tensionet dhe nuk mund të jetë në dëm të vendeve tjera të rajonit.
Ata i bënë këto komente në fillim të takimit me vendet e Ballkanit Perëndimorë, ku çështje kryesore është procesi i bisedimeve tashmë të pezulluara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kancelarja Merkel tha se nuk pritet zgjidhje nga takimi por do të ketë shkëmbim pikëpamjesh dhe se kjo nuk i zëvendëson negociatat e drejtuara nga Bashkimi Evropian. Ajo tha se takimi është një hap në rrugën e gjatë përpara, ndërsa theksoi se zgjidhja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk duhet “të bëhet në dëm të vendeve tjera të rajonit”.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se nuk synohet “imponimi i një zgjidhjeje për Beogradin dhe Prishtinën. Ne dëshirojmë që të shqyrtojmë gjitha mundësitë, por edhe të shmangim tensionet e mundshme në rajon të cilat mund të ndodhin për shkak të mundësive që janë në tryezë”.
Para se të fillonin darkën e punës me të ftuarit, të dy zyrtarët e lartë evropianë morën shembull marrëveshjen që Shkupi dhe Athina arritën për emrin e Maqedonisë së Veriut, duke nënvizuar se ajo është shembull se si mund të zgjidhen konfliktet.
Në një dokument që ata shpresojnë të miratohet në takim, thuhet se “Serbia dhe Kosova janë pajtuar që të përshpejtojnë përpjekjet për zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese dhe të përfshihen sërish në mënyrë konstruktive për në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me qilim që të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare”.
Por, as udhëheqësit e Kosovës dhe as të Serbisë, nuk shfaqën ndonjë pritje të madhe nga takimi.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se e sheh takimin si, mundësi, “por jo ndonjë mrekulli apo zgjidhje magjike që dikush do të mund ta sjellë.
Në këtë takim nuk do të ketë dialog, nuk do të ketë negociata në mes të Kosovës dhe Serbisë, sikurse që është larg arritja e ndonjë marrëveshjeje, mirëpo para së gjithash, siç ju e dini as dialog as negociata dhe as marrëveshje nuk ka pa rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Bashkimi Evropian është shumë i dobët dhe jo unik për të lëvizur gjërat përpara në Ballkanin Perëndimor”, tha presidenti Thaçi, pas takimit që zhvilloi më herët gjatë ditës me shefen e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini.
Pas takimit me të ai bashkë me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, u takua me ambasadorin amerikanë në Berlin, Richard Grenell.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se “nëse askush nuk dëshiron kompromis dhe mendon se duke bërë trysni mbi Serbinë mund të arrihet zgjidhja, atëherë këtu përfundon gjithçka”, ndërsa ritheksoi se pa heqjen e tarifave të vendosura nga qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe, nuk mund të ketë bisedime.
Por, presidenti Thaçi tha se tarifat janë e drejtë e ligjshme, “është legjitime, nëse Serbia vazhdon me veprime agresive ne vetëm sa do t’i shtojmë masat dhe do të shkojmë në nivel të reciprocitetit”.
Që nga paralajmërimi i takimit, janë ngritur shumë pikëpyetje se çfarë mund të sjellë ai në procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi.
Në qendër të të gjitha diskutimeve e analizave ishte ideja që ky takim do t’u jap fund ideve për ndryshime kufijsh, që ishin hedhur që në verën e vitit të kaluar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Në këtë frymë vëzhguesit i shpjegojnë edhe deklaratat e mikpritësve të takimit.
Më e zëshmja kundër ideve të tilla ishte Gjermania e cila i ka parë për të madhe dhe shefes së politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, faktin që lejoi të diskutohen ide të tilla në bisedimet e ndërmjetësuara prej saj.
Zonja Mogherini po qëndron në Berlin për të marrë pjesë në takim, por duke zëvendësuar presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, i cili ishte ftuar fillimisht nga organizatorët e takimit.
Mediet spekuluan gjatë javëve të fundit se Berlini do të mund të propozojë një “status të posaçëm” për veriun e Kosovës, mbështetur në marrëveshjen e pazbatuar për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, madje pati edhe ide për një sovranitet të dyfishtë në veriun e Kosovës. Por pohimet e tilla janë hedhur poshtë nga Prishtina por edhe nga Beogradi.