Interit i mbeten vetëm tre ditë për të finalizuar operacionin e transferimit të Joao Mario, nëse zikaltërit duan ta bëjnë të tyrin menjëherë mesfushorin e Sportingut, që spikati me Portugalinë në Europian. Klubi italian në orët e fundit ka përshpejtuar tratativat për futbollistin, që mund ta blejë skuadra kineze e Jiangsou për ta huazuar më pas te Interi, ndërkohë që për mesfushorin kartoni i të cilit i përket Sportingut të Lisbonës, siç bën të ditur e përditshmja portugeze “O Jogo”, këto ditë është shtuar një pretendent më tepër, Chelsea i Antonio Contes.
Interi gjithsesi duket në avantazh, me sponsorët kinezë të Suning që kanë dhënë miratimin për mbylljen e tratativës, e cila do të realizohet sipas të gjitha gjasave nga Jiangsu, kështu që më pas lojtari mund të kalojë në huazim nën urdhërat e Roberto Mançinit, me Interin që në këtë mënyrë do të evitonte edhe kufizimet e vendosura nga Fair Play financiar. Sportingu pretendonte fillimisht pagimin e gjithë kluazolës së prishjes së njëanshme të kontratës prej 60 milionë eurosh, por në ditët e fundit Interi ka rritur ofertën në 35 milionë euro plus bonuset çka rrit optimizmin për mundësinë e realizimit të operacionit. Zikaltërit kanë në krahun e tyre dhe dëshirën e vetë lojtarit dhe një akord të arritur me të në parim për një kontratë pesëvjeçare.