Asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin e opozitës së bashkuar dhe koalicionit tonë politik. Largimi i Edi Ramës është kusht i panegociueshëm për të hapur rrugën e dialogut politik që do të çojë drejt qeverisë tranzitore.
Jemi në një krizë të thellë, një krizë politike, një krizë kushtetuese, një krizë ekonomike dhe sociale. Do të vazhdojmë aksionin tonë në të gjitha planet. Nesër në orën 18:00 do të nisë aksioni në 12 qarqet e vendit për bllokimin e akseve kryesore si një intensifikim, si një përshkallëzim i mosbindjes civile.
DEKLARATA PËR MEDIA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA
Pyetje: z. Basha çfarë diskutuat në selinë e LSI?
Lulzim Basha: Rëndësi nuk ka vendi, rëndësi ka Kuvendi, apo jo?! Me zonjën Kryemadhi dhe me të gjithë aleatët po konkordojmë hapat që opozita do të hedhë në përshkallëzimin e aksionit opozitar.
Jemi në një krizë të thellë, një krizë politike, një krizë kushtetuese, një krizë ekonomike dhe sociale. Dhe siç u bë e qartë edhe 24 orët e fundit në një krizë totale të procesit më jetik për Shqipërinë, atë të integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
Shkaku i kësaj krize është qeveria e lidhur me krimin që ka asgjësuar Kushtetutën, ka asgjësuar demokracinë, ka asgjësuar zgjedhjet, themelin e llogaridhënies demokratike të qeverisë para qytetarëve që është vota e lirë.
Ndaj ne do të vazhdojmë aksionin tonë në të gjitha planet. Nesër në orën 18:00 do të nisë aksioni në 12 qarqet e vendit për bllokimin e akseve kryesore si një intensifikim, si një përshkallëzim i mosbindjes civile. Paradite në orën 11:00 do të shpalosim bashkë me koalicionin tonë opozitar detyrat e qeverisë tranzitore për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe ndërkohë po punojmë intensifikisht për programet tona respektive politike dhe ekonomike për ofertën tonë për shqiptarët; jo vetëm për ta nxjerrë vendin nga kriza por për t’iu dhënë atyre sigurinë, liritë, mundësitë për një jetë dinjitoze me mundësi për punësim dhe mirëqenie për të gjitha.
Pyetje: Z.Basha nëse do të ketë një tryezë me disa parti politike, do të pranoni të uleni në këtë tryezë ku të jetë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, qoftë edhe si kryetar i PS?
Lulzim Basha: Asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin e opozitës së bashkuar dhe koalicionit tonë politikë, koalicionit më të madh, maxhorancës së re numerike, politike dhe morale të vendit : Largimi i Edi Ramës është kusht i panegociueshëm për të hapur rrugën e dialogut politik që do të çojë drejt qeverisë tranzitore.
Detyrat e së cilës, në veçanti sa i përket organzimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, do t’i shpalosim nesër publikisht në orën 11:00 në Tiranë në praninë e medias, përfaqësuesve më të lartë të koalicionit dhe një numri të madh të ftuarish.
Pyetje: Z. Basha por ju thatë që propozimi i partive të vogla që kërkojnë pikërisht thirrjen e kësaj tryeze ishte në harmoni me Partinë Demokratike, çfarë ka ndryshuar që i riktheheni qëndrimit tuaj?
Lulzim Basha: Asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin tim. Rivizitoni qëndrimet tuaja. Faleminderit, ditë të mbarë.