Parku i Liqenit, asnjë transperencë për pistën 2.2 milion euro të biçikletave

Projekti i paraqitur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në Portalin e Ndërtuesve për Parkun e Liqenit të Tiranës përfshin 10 miniprojekte që do të zbatohen si pjesë e një masterplani që Bashkia e Tiranës ka në zbatim tashmë për këtë zonë. Në projekt jepen vetëm idetë, ndërsa nuk ka një detajim të kostove. Një prej tyre është rehabilitimi i digës, një tjetër është pista e vrapimit dhe zona e plazhit. Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili është financuesi i projekteve, ka vendosur që projekti i parë të jetë parku i madh i lodrave të fëmijëve, i cili tashmë ka përfunduar edhe pse reagimi i shoqërisë civile ndaj tij qe shumë i fortë. Zonat që janë liruar në Parkun e Liqenit do të nisin investimet, si dhe do të ketë një përkujdesje nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit. Më tej 10 miniprojektet përbëhen nga ndërtimi i shtegut japonez, shatërvani i liqenit, palestra e hapur 1, palestra e hapur 2, fusha e sporteve, pistat e biçikletave, lojërat ujore, parku i aventurave dhe 1000 selvitë. Hyrja në “Shtegun e qershive japoneze” konsiston në rregullimin pjesor dhe dekorimin e një rrugice ekzistuese të Parkut të madh të Liqenit. Shtegu do të ketë në qendër një sheshpushim të dekoruar me stola guri sipas stilit minimalist japonez. Kornizimi i rrugës do të jetë me pemë dekorative qershie, lulet e të cilave në japonisht quhen Sakura dhe plotësimi i saj do të bëhet me detaje të kulturës japoneze.
Projekti “Shatërvani në Liqenin e Tiranës” është një tjetër plan për parkun. Shatërvani i Liqenit përfshin një pajisje të avancuar teknologjike, notuese me komandim elektronik automatik, me ndriçim natën, sensorë dhe programues. Ky vlerësohet si i pari shatërvan lundrues me 21 m lartësi i këtij lloji në Shqipëri e Ballkan. “1000 Selvitë” është një projekt tjetër në park i planifikuar nga hyrja e “Rrugës së Elbasanit”. Projekti vlerësohet si kthim në identitet: Në krah të Fakultetit të Gjeologji-Minierave do të nisë mbjellja e 200 pemëve selvi, donacion i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.  Rehabilitimi, mbjellja, gjelbërimi i rrugës hyrëse për në Parkun e madh të Liqenit Artificial të Tiranës me pemën qeparis, (selvi) siç ka qenë historikisht e tillë nga krijimi, por dhe emërtimi i saj “Rruga e 1000 Selvive”, ashtu si ka hyrë në memorien kolektive të kryeqytetit. Është nga të parat monumente të gjelbërta në park dhe daton vitin 1959, vetëm një vit pas ndërtimit të Parkut të Madh.

Nuk ka detaje për koston e gjurmën e projektit

Këshilli Bashkiak javën e kaluar ka miratuar ndërtimin të një itinerari këmbësorësh me pistë vrapimi dhe biçikletash në Parkun e Liqenit, si pjesë e projektit për zhvillimin e liqenit. Vlera e projektit është përllogaritur në 307.5 milionë lekë (2.2 mln euro), nga të cilat 155 milionë lekë (1.2 mln euro) do të financohen më 2016. Bashkia nuk dha detaje të mëtejshme lidhur me këtë projekt, se ku do të kalojë gjurma e tij dhe si justifikohet kostoja e parashikuar prej 2.2 milionë eurosh. Anëtarë të Këshillit Bashkiak të opozitës pohuan për “Monitor” se as ata nuk kanë detaje të këtij projekti dhe në mbledhjen e Këshillit Bashkiak jo vetëm që votuan kundër, por edhe kërkuan të mbaheshin shënim ata që votuan pro, pasi sipas tyre ky projekt është tërësisht jo transparent dhe tepër i shtrenjtë.

Monitor

Artikulli paraprakAksidenti tragjik i nënës që u shtyp duke shpëtuar dy fëmijët
Artikulli tjetërTahiri nuk lejon zbulimin nga ajri të parcelave të drogës