Dy javë para zgjedhjeve për Parlamentin e BE-së, kryetarët e shteteve dhe të qeverive të vendeve të BE- në Sibiu të Rumanisë konsultohen për kursin e ardhshëm të unionit. Në sfondin e ec e jakeve për Brexit në takimin e nivelit të lartë të BE-së në Sibiu kryetarët e shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtarë synojnë në radhë të parë të demonstrojnë unanimitet.
Grindja për daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja e ka frenuar zellin e reformave në union. Megjithatë ose pikërisht për këtë arsye në tryezën e bisedimeve në samitin në Sibiu në Rumani do të shtrohen për diskutim një sërë ideshë për ripërtëritjen.
Kryetarët e shteteve dhe të qeverive në një “deklaratë të Sibiut” duan të theksojnë vlerat themelore të BE-së si demokracia, shteti ligjor dhe drejtësia. Ata shprehen fuqishëm për bashkëpunimin korrekt dhe një rol më të fuqishëm të Europës në arenën ndërkombëtare.
Në Sibiu gjithashtu do të shqyrtohet edhe “agjenda strategjike” për pesë vitet e ardhëshme. Për këtë Komisioni i BE-së ka paraqitur një listë sfidash që nga migracioni e deri tek digjitalizimi dhe politika ekonomike e mbrojtja e mjedisit. Të 27 qeveritë duan që ta vendosin këtë agjendë në samitin e BE-së në qershor dhe tani paraprakisht të demonstrojnë unanimitetin në Sibiu me deklaratën e samitit.
Në takim marrin pjesë të 27 vendet pa Britaninë e Madhe. Britania e Madhe do të duhej të shkëputej qysh në mars nga unioni. Por deri tani ende nuk ka një mazhorancë në dhomën e ulët të parlamentit britanik për të pranuar marrëveshjen e negociuar me BE-në për daljen nga unioni. Si rrjedhojë afati i daljes është shtyrë deri nhë fund të tetorit.
Shumë pjesëmarrës vijnë në këtë samit me kërkesa për reforma. Kancelari austriak Sebastian Kurz kërkon vendime më të shpejta, një Komision të zvogëluar të BE-së dhe rishqyrtimin e marrëveshjeve të BE-së. Në twitter para samitit ai shkruan: “BE-ja ka nevojë për një ndryshim gjeneratash dhe një marrëveshje bashkëkohore të BE-së”. Ai shton, se “Ne duhet të biem dakord për rregulla të qarta loje, në mënyrë që BE-ja në shekullin e 21 të jetë e aftë për të vazhduar të jetë e sukseshme.”
Politikani socialdemokrat Jo Leinen kërkon, që BE-ja përmes një detyre të parimit të unanimitetit të jetë më e aftë të veprojë. Europa duhet të flasë me një zë dhe nuk duhet të lejojë që të përçahet nga politika e fuqive të mëdha SHBA, Rusi dhe Kinë, deklaroi Leinen.
Në sfondin e sfidave të tilla si mbrojtja e klimës, migracioni apo tregtia jo e balancuar botërore “BE-ja nuk mund t’i përballojë më bllokadat e vazhdueshme të vendeve të veçanta”.
Thirrja e krerëve të shteteve për zgjedhjet
Preisdenti i Gjermanisë, Frank-ëalter Steinmeier, dhe njëzet presidentë të tjerë të vendeve të BE-së përmes një apeli të përbashkët vlerësuan zgjedhjet që janë në prag për Parlamentin Europian. Ata së bashku u bëjnë thirrje qytetareve dhe qytetarëve duke kërkuar “një BE të fuqishme dhe të aftë për veprim me institucione të përbashkëta”, shkruan gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.
Edhe ekonomia gjermane kërkon pjesëmarrje në zgjedhjet europiane. Në një deklaratë të përbashkët të Shoqatës së Industrisë BDI, unionit të punëtorëve BDA dhe Kongresit të dhomave të Tregtisë dhe Industrisë DIHK thuhet, se të gjithë qytetarëve u bëhet thirrje ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës, shkruan “Süddeutsche Zeitung”.
Kërkohet një kryetar për Komisionin e BE-së
Në samitin e Sibiut nën presidencën e Rumanisë do të diskutohet edhe çështja e personelit të ardhshëm në Komisionin e BE-së. Parlamenti Europian dhe Këshilli i BE-së duhet të bien dakord pas zgjedhjeve nga 23 deri më 26 maj për një president të ri të Komisionit. Ndaj në Sibiu pritet të diskutohet edhe për procesin e zgjedhjes së presidentit.
Si kandidat i partisë popullore europiane mund të ketë shanse për këtë post të rëndësishëm politikani kristiansocial Manfred Weber. Zgjedhjet europiane zhvillohen nga 23 deri më 26 maj. Në Gjermani votimet janë më 26 maj.