Politikat arsimore kanë dështuar

Haris VONGLI

Bilanci i dështimit të politikave arsimore është një bilanc turpi, në të kundërt shqiptarët nuk do të largoheshin për të studjuar dhe jetuar jashtë Shqipërisë. Çfarë besohet se mund të prodhojë më shumë një shoqëri ndërsa shteti nuk arrin të prodhojë dot siguri për jetën e qytetarëve dhe një edukim të shëndoshë?

133 mijë nxënës dhe studentë kanë braktisur në këto 4 vite shkollën, pra 1 në 6 nxënës dhe 1 në 4 studentë. Në arsimin e lartë janë regjistruar plot 44 mijë studentë më pak për të ndjekur vitin akademik. Këto janë shifra alarmante, pasi me këto ritme vendi rrezikon të shëndërrohet në një azil për të moshuarit.

Arsimi në Shqipëri ka sot një bilanc dështimi. Shqipëria përballet me një kolaps shokues të politikave arsimore por edhe të shoqërisë në tërësi. Arsimi në Shqipëri nuk ka arritur, në mënyrë të dukshme, të plotësojë objektivat kryesore të tij.

Ai ka për qëllim të krijojë, të zhvillojë, të përcjellë dhe të mbrojë dijet përmes mësimdhënies dhe kërkimit shkencor. Këto dy të fundit, pra mësimdhënia dhe kërkimi shkencor, janë dy shtyllat bazë që duhet të mbajnë në këmbë arsimin dhe për nga cilësia e tyre, këto shtylla, do të përcaktojnë gjithashtu cilësinë e arsimit e për pasojë cilësinë e shoqërisë shqiptare. Politikat arsimore në vend kanë dështuar të nxisin e të zhvillojnë artet, kulturën dhe letërsinë.

Ato kanë dështuar të formojnë specialistë të lart dhe të përgatisin shkencëtarë të rinj, në përputhje me prioritetet e zhvillimit të vendit. Qeveria ka dështuar t’i garantojë mundësi të barabarta shtetasve të saj, për të përfituar nga arsimi i lartë dhe vazhdimësia e tij, jetëgjatësia e thithjes së dijeve. Politikat e qeverisë shqiptare kanë dështuar të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor në nivel kombëtar. Ky është bilanci i arsimit gjatë 29 vjetëve tranzicion.

Një dështim që ka pasoja të rënda për zhvillimin e vendit, demokratizimin e sistemit dhe lirinë e individit, në nivel intelektual e shpirtëror.

Artikulli paraprakMobilizim i jashtëzakonshëm nga gjithë Shqipëria për Cunamin e nesërm!
Artikulli tjetërSot në 18:30 Cunami kundër Ramës, nis vërshimi drejt Tiranës!