Ish Kryeministri Berisha deklaroi dje në Parlament se opozita është pro rolit të vëzhguesve ndërkombëtarë në lidhje me Reformën në Drejtësi por është kundër dhënies së sovranitetit. Berisha e cilësoi të papranueshëm propozimin që të jetë një grup ekspertësh të huajsh që do të vendosin për emërimet e gjykatësve dhe prokurorëve në një kohë që siç tha ai, këto lloj situatash ndodhin vetëm në ato vende që janë nën protektorat.
“A jemi ne kundër rolit të vëzhguesve? Absolutisht jo. Jemi plotësisht për një rol të rëndësishëm të ndërkombëtarëve në procesin e Vetting-ut. Ja u them unë që mbikëqyrja e procesit të Vetting-ut nga ndërkombëtarët është e një rëndësie jetike për procesin, por jo dhënie sovraniteti. Pse? Mendoni për një moment që shqiptarët t’i bëjnë letër Angela Merkel e t’i thonë që të jemi landi i 17-18. Gjermanët do të thonë rrini aty ku jeni e ndërtojeni aty demokracinë. Ose shteti 51 i SHBA. Amerikanët do të thonë rrini atje, ndërtoni aty demokracinë. Po ç’është kjo që të vijnë të emërojnë gjykatësit? A nuk është kryetari juaj që ka deklaruar pesëqind herë se ‘unë Vetting-un ia besoj amerikanëve dhe europianëve’. Ne nuk jemi kundër, jemi për prani dhe shumë serioze” u shpreh Berisha.
Ish kryeministri sqaroi me shembuj konkret rastet kur është aplikuar ky variant ndërsa përmendi Bosnje Hercegovinën që ka qenë protektorat i OKB, Kosovën si protektorat i SHBA dhe Sierra Leonen e cila ndodhet prej 20 vitesh në konflikt. Ndaj dhe Berisha argumentoi se Shqipëria nuk është rasti ku gjyqtarët e prokurorët duhet të emërohen nga faktorët e huaj.
“Hajde të bëjmë cilatdo kritere që të përcaktoni dhe urdhëroni të vëzhgoni zbatimin e çdo kriteri në çdo rast duke patur në dorë çdo dokument shtetëror të këtij vendi dhe duke sjellë çdo dokument që ekziston në përputhje me dokumentin e dekriminalizimit. Ta zëmë se këta shqiptarët nuk e zbatuan si duhet? Ti si monitor ke të gjitha të drejtat t’i thuash Komisionit Europian që ky vend është vendi më joserioz, kjo qeveri është më joseriozja, ky shtet nuk zbaton ligjin e vet, t’i thuash DASH se ky vend mik s’ka e s’njeh as ligj e asgjë. Pastaj ne përballemi me pasojat. KE s’të hap kapitullin e negociatave, SHBA bën raportin. Kështu që kjo është ajo që kërkojmë ne dhe kjo është garancia më e madhe se sa ideja që një grup ekspertësh të huaj të emërojnë gjykatësit dhe prokurorët shqiptarë ose të përcaktojnë se cilët mund të emërohen gjykatës ose prokurorë. Po pse duhet t’i gënjejmë qytetarët? Ne themi që nuk jemi dakord me këtë variant, por jemi dakord me variantin që thashë, që të vëzhgoni, të shprehni mendimin, t’i çoni raport në katër anët e botës për shkeljet që po bëhen në procedurë. Por emërimin nuk e pranojmë, s’mund të ndodhë. Emërimin ja u kanë bërë protektorateve.
Nëse Kroacia dhe Rumania dhe asnjë vend europian nuk e ka, e kanë dy vende, e ka Bosnja që ka qenë protektorat i OKB dhe Kosova që ka qenë protektorat i SHBA, e ka Sierra Leone në 20 vjet konflikt. Po s’mund të krahasohet vendi ynë me Sierra Leonen. Sigurisht që gjykatësit i emëron kur je protektorat i OKB dhe OKB sigurisht që të ndihmon të ndërtosh shtetin. Ne jemi qesharakë” u shpreh ish kryeministri.
Berisha tha se është vet Komisioni i Venecias që citon se ndërkombëtarët nuk mund të kenë fuqi ekzekutive sepse nuk japin llogari para shtetit shqiptar . “Ne kemi sensin e mirënjohjes për çdo qindarkë e çdo dollarë që jepet, por ne gjithashtu gjykojmë se dhamë dhe japim ndihmesën tonë. U përballëm me sulme një muaj rresht për 88-tën.
Nga buron kjo e drejtë e opozitës thoni ju? Sepse në mënyrë absolute opozita nuk ka kërkuar qoftë dhe një favor minimal në këtë reformë përveçse ka bërë gjithçka për një drejtësi të pavarur. Po pse opozita thotë se të huajt nuk mund të emërojnë gjykatësit dhe prokurorët? Sepse e thotë Venecia në mënyrën më të kristaltë. Por po ta lexosh Venecian me gjyslyket e kryetarit të Komisionit të Drejtësisë, Fatmir Xhafaj sigurisht që del e kundërta. Por Komisioni i Venecias thotë se ndërkombëtarët nuk mund të kenë fuqi ekzekutive sepse nuk japin llogari para shtetit shqiptar, por para shtetit të tyre. Dhe ju na kërkoni që ne të votojmë këtu në Parlament raporte të të huajve, të miqve tanë? Po kjo s’mund të ndodhë, sepse ata nuk kanë shtetësi shqiptare, sepse ata nuk i merr Kushtetuta shqiptare. Ju thoni hajt të ndryshojmë Kushtetutën, por këtë e kanë bërë protektoratet e OKB-së, por jo asnjë vend sovran. Hajde ta heqim nga Kushtetuta që Shqipëria është vend sovran. Ju udhëhiqeni nga psikologjia e bllokmenëve, të cilët nxirrnin në treg çdo gjë të tyre vetëm për të ruajtur karriget e tyre. Kështu bëjnë bijtë e tyre sot.
Sulmojnë çdo ditë opozitën në një kohë kur ajo duhet të lavdërohet, sepse dha një kontribut historik në këtë reformë, pavarësisht se ju me mediat tuaja mashtroni e trilloni nga mëngjesi deri në darkë. Por të vërtetat kurrë s’mund t’i zhdukni. Ndaj dhe ne jemi për reformën, negocioni. Propozimi i fundit i opozitës është një propozim i shkëlqyer, është një propozim i negociueshëm” vijoi ish kryeministri.
Gjatë fjalës së tij ish kryeministri shprehu ngushëllimet për humbjen tragjike të nënës së re Dhurata Doku ndërsa ftoi deputetët të mbanin një minutë heshtje në nderim të saj. Gjithashtu Berisha përshëndeti edhe atleten Luiza Gega, e cila arriti të fitonte vendin e dytë në turneun europian të atletikës. “Dua t’i japë një përshëndetje të përzemërt atletes Luiza Gega, e cila u kthye me një rezultat të shkëlqyer europian, të përgëzoj suksesin e saj të madh për këtë sport, më fisnikun e sporteve të tjera, të përgëzoj Federatën e Atletikës për dinjitetin që tregoi dhe nuk lejoi që skizoidë në pushtet të na riprodhonin skema të Koresë së Veriut, të denja vetëm për Plenjanin e sotshëm. Por unë, krahas kësaj dua gjithashtu t’ju ftoj të nderuar deputetë, të nderojmë me një minutë heshtje nënën luaneshë, e cila dha jetën në një aksident automobilistik, duke shpëtuar jetën e vogëlushëve të saj, të ndjerën Dhurata Doku. I paharruar kujtimi i saj! Dhe kjo është më e pakta që mund të bëjmë me një njeri që dëshmon vlerat më të larta hyjnore dhe njerëzore të njeriut”.
Opozita nuk heq dhe nuk shton asnjë presje ndaj rekomandimeve të Venecias
Berisha i bëri thirrje mazhorancës të ulej në negociata me opozitën për të gjetur një marrëveshje të përbashkët për reformën në drejtësi ndërsa bëri të qartë se opozita i qendron në mënyrë rigoroze çdo propozimi të bërë nga Komisioni i Venecias.
“Shikoni çfarë mediash janë. Këto media që nga mëngjesi deri në darkë mbajnë ison e qeverisë i kanë dhënë zero informacion shqiptarëve për draftin që ka dorëzuar opozita. Për ata, të cilët kanë marrë lapsin në dorë për të shkruajtur, kanë harruar se në këtë mënyrë janë shndërruar në mercenarë të qeverisë. Nëse duan të shkruajnë për reformën, le t’i shohin pak propozimet e opozitës. Cili prej tyre nuk qëndron? Cili prej tyre cenon pavarësinë e drejtësisë, cenon transparencën? Ju kujtoni se kemi impresione nga drejtësia juaj? Kurrë. Harruat ju që kishit vënë në Gjykatën Kushtetuese gjykatësin, anëtarin e kryesisë së PS, gjykatësi i fundit që kishte varur Havzi Nelën në Kukës? Harruat ju që kishit vënë në krye të Gj. së Lartë ish-ministrin socialist dhe anëtarin e kryesisë së PS? Harruat ju drejtësinë politike që ndërtuat? E kush u impresionua prej saj? Askush.
Pa t’ju pyes pak për BKH. A deshët të ndërtonit një BKH në varësi të zyrës së Ramës? Dhe këtu ja u rrëzoi publikisht një nga juristët më të mëdhenj të botës, profesor Frouline, u tha që kjo është e paimagjinueshme. Ju e bëtë dhe e sollët këtu, e çuat në Gj. Kushtetuese, e cila e rrëzoi. Çfarë bëtë mbrapa? A jeni ju që mblodhët qeverinë e miratuat dhe thatë do e çojmë prapë në Parlament? Opozita e kundërshtoi dhe lukunia juaj u lëshua kundër opozitës duke thënë se opozita është kundra reformës, çakej nga të gjitha anët, por opozita është diamanti moral i shoqërisë, beteja me opozitën është betejë e humbur përfundimisht, vetëm atë s’e fiton njeri. Çfarë u bë me BKH-në tuaj, ku e keni? Ndaj dhe thirrja ime është të lini sulmet se nuk fitoni asgjë, uluni në negociata dhe opozita në mënyrë kategorike e absolute nuk do të kërkojë as dhe një presje apo fjalë jashtë rekomandimeve të Venecias. Por ju problemet i keni me rekomandimet e Venecias, ju thoni se ka edhe disa mbirekomandime. Ato mbajini për vete, ne qëndrojmë tek rekomandimet e Venecias” u shpreh Berisha.
Gjatë fjalës së tij ish kryeministri shprehu ngushëllimet për humbjen tragjike të nënës së re Dhurata Doku ndërsa ftoi deputetët të mbanin një minutë heshtje në nderim të saj. Gjithashtu Berisha përshëndeti edhe atleten Luiza Gega, e cila arriti të fitonte vendin e dytë në turneun europian të atletikës. “Dua t’i japë një përshëndetje të përzemërt atletes Luiza Gega, e cila u kthye me një rezultat të shkëlqyer europian, të përgëzoj suksesin e saj të madh për këtë sport, më fisnikun e sporteve të tjera, të përgëzoj Federatën e Atletikës për dinjitetin që tregoi dhe nuk lejoi që skizoidë në pushtet të na riprodhonin skema të Koresë së Veriut, të denja vetëm për Plenjanin e sotshëm. Por unë, krahas kësaj dua gjithashtu t’ju ftoj të nderuar deputetë, të nderojmë me një minutë heshtje nënën luaneshë, e cila dha jetën në një aksident automobilistik, duke shpëtuar jetën e vogëlushëve të saj, të ndjerën Dhurata Doku. I paharruar kujtimi i saj! Dhe kjo është më e pakta që mund të bëjmë me një njeri që dëshmon vlerat më të larta hyjnore dhe njerëzore të njeriut”.
A.Shahini