Rrjeti publik televiz gjerman, ZDF, ka publikuar një reportazh të gjatë për rininë shqiptare.
Reportazhi titullohet ‘Rinia rebele e Shqipërisë’ dhe vjen pikërisht kur studentët kanë paralajmëruar një tjetër protestë. Reportazhi në fjalë është mjaft prekës dhe trajton problemin e madh të Shqipërisë: Largimin masiv të të rinjve.
“Nga fundi i komunizmit, Shqipëria ka humbur thuajse gjysmën e popullsisë. 4 milionë shqiptarë jetojnë jashtë. Në vend janë diku më pak se tre milionë.
Përse ikin të rinjtë shqiptarë? Sepse ka korrupsion, mungesë pune, mungese e të ardhmes. Një në 2 shqiptare po mendon të largohet. Kjo po shkatërron bazën e shoqërisë, familjen,” thuhet ndër të tjera në reportazh.
Në qendër të reportazhit janë dy studentët, Irisa Zhupa dhe Enrik Shehu, si dhe pedagogu Ervin Goci.
Duke u ndalur tek protesta masive e studentëve në dhjetor, Enrik Shehu që ishte një prej organizatorëve thotë se do vazhdojnë të protestojnë më tej për të drejtat e tyre.
Sipas ZDF, qeveria nuk i mori seriozisht protestat në fillim, madje u tallën. Në reportazh thuhet se korrupsioni ka lulëzuar edhe nën qeverisjen e Edi Ramës, duke theksuar se mes tij dhe studentëve ka pasur përplasje. Për ZDF, askush nga studentët nuk mund të përballojë humbjen e vitit shkollor, pasi kostot janë të larta.
Në reportazhin e mbushur me momente emocionuese, me lot prindërish që nuk duan të shohin fëmijët e tyre duke braktisur vendin, flitet edhe për betonizimin e Tiranës, për korrupsionin e përhapur në sektorin e ndërtimit dhe për protestën për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. “Ata mendojnë se tani është koha e duhur për protesta” mbyllet reportazhi.