Në Shqipëri, Gjykata e Lartë rrezikon të mos kryejë më as funksionet më minimale, pasi që prej ditës së sotme ajo ka mbetur vetëm me dy gjyqtarë. Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) vendosi shkarkimin nga detyra të anëtarit të kësaj gjykate, Edmond Ismailaj, i cili në qershorin e vitit të shkuar kishte kaluar me sukses, filtrin e parë të procesit të verifikimit.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) nuk kishte gjetur asnjë problem në të tre shtyllat e procesit, si atë që lidhej me pasurinë, ashtu dhe me integritetin e tij moral dhe përgatitjen profesionale.
Por pak javë më vonë Komisioneri Publik vendosi të ankimojë vendimin e KPK-së për Islamajn. “Në vlerësimin e Komisionerit Publik, në rastin konkret, hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nuk është i plotë.
Për rrjedhojë, faktet dhe provat e administruara në përfundim të këtij hetimi administrativ janë të pamjaftueshme për të mbështetur vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit”, shpjegonte në korrik të vitit të kaluar Komisioneri Publik.
Problemet për anëtarin e Gjykatës së Lartë, sipas Komisionerit, lidheshin me pasurinë e tij. Për disa seanca me radhë Zoti Islamaj u mbrojt përpara KPA-së duke theksuar se të gjitha provat janë në linjë me vendimin e marrë më parë nga KPK-ja dhe se nuk bëhet fjalë për deklarime të rreme apo fshehje të pasurisë duke qenë se një pjesë e madhe e saj, është e trashëguar.
Por në vendimin e sotëm Kolegji i Posaçëm i Apelimit, trupa gjykuese tha se sipas saj gjyqtari nuk kishte mundur të provonte se disa pasuri të paluejtshme të bashkëshortes së tij (një apartament, një lokal dhe një garazh) kishin burime të ligjshme, sikundër dhe për vlerat në cash të deklaruara prej tij. Kolegji ishte i mendimit se deklarimi i gjyqtarit nuk ishte i saktë.
Gjykata e Lartë, sipas një ndryshimi ligjor të vitit 2013 duhet të ketë 19 anëtarë. Ligji e rriti me 5 numrin e gjykatësve të saj, por përplasjet politike mes shumicës dhe ish presidentit Nishani, bënë që anëtarët shtesë të mos zgjidheshin. Përpara nisjes së Vettingu-t, 5 nga gjykatësit e Lartë dhanë dorëheqjen, pasi kishin mbushur vitet e mandatit në detyrë, ndonëse ligji parashikon se ata mund të qëndrojnë deri në momentin e zëvendësimit.
Mes 9 anëtarëve të mbetur, vetëm 4 prej tyre i rezistuan Vettingut. Njëri prej tyre Mehdi Bici, u largua pasi u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor. Pas vendimit për gjyqtarin Islamaj, në Gjykatë mbetet vetëm kryetari i saj Xhezair Zaganjori, ndaj të cilit gjithashtu është një proces i hapur në KPA, dhe Ardian Dvorani. Disa dhjetra mijëra dosje janë grumbulluar ndërkohë, në pritje të shqyrtimit.