Raporti i fundit/ Shqipëria furnizuesi kryesor i BE me kanabis, reagon Berisha: Damkosje tjetër e rëndë!

Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar pas publikimit të nga Observatori i Shoqërisë Civile Kundër Krimit të Organizuar në Evropën Juglindore, ku thuhet se, Shqipëria është furnizuesi kryesor i BE me kanabis, ndërsa politika është e lidhur me elitat kriminale.

Berisha shkruan në një postim në Facebook se, ky raport është një damkosje tjetër e rëndë!

Postimi i plotë i ish-Kryeministrit Berisha

Shqiperia narkoshtet!
Damkosje tjeter e rende!

Miq, krimi i organizuar ne Shqiperi eshte sipermarrje e perbashket e politikes, biznesit dhe elitave kriminale!

Kjo deklarohet ne raportin me te ri per krimin e organizuar te publikuar nga Zeri i Amerikes (VOA) dhe pikerisht ky zhvillim perben bazen e instalimit, konsolidimit dhe funksionimit te narkoshtetit ne Shqiperi.

Me poshte keni permbledhjen e raportit ne fjale! sb

Raporti i fundit/ Shqipëria furnizuesi kryesor i BE me kanabis, politika e lidhur me elitat kriminale

Një raport i ri arrin në përfundimin se trafiqet ilegale që rrjedhin përmes porteve, qyteteve dhe pikave kufitare të Ballkanit Perëndimor mundësohen nga një ekonomi politike e krimit, e cila është e rrënjosur në vendet e rajonit.
Raporti i publikuar nga Observatori i Shoqërisë Civile Kundër Krimit të Organizuar në Evropën Juglindore, pasqyron pikat e nxehta të krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor.

Raporti thotë se në rajon marrëdhëniet e ndërthurura mes politikës, biznesit dhe elitave kriminale e kanë shndërruar aktivitetin në një sipërmarrje të përbashkët mes strukturave shtetërore dhe grupeve kriminale. Një tjetër tipar i përbashkët i rajonit të Ballkanit Perëndimor është se shumë pak raste të krimit të organizuar dërgohen në gjykata dhe edhe kur kjo ndodh, në shumë pak raste jepen dënime.

E ashtuquajtura vijë ballkanike përshkon disa vende të Ballkanit dhe mundëson trafikun e paligjshëm drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Shqipëria dhe Kosova radhiten ndër pikat e tranzitit të heroinës, ndërsa përsa i përket kokainës, Shqipëria së bashku me Malin e Zi janë shndërruar në pika të rëndësishme hyrëse drejt Evropës të kësaj droge të ardhur nga vende të Amerikës Latine.

Shqipëria

Ballkani vazhdon të radhitet si furnizuesi kryesor i kanabisit për Bashkimin Evropian dhe Shqipëria përmendet si vendi kryesor i prodhimit, megjithë një rënie të konsiderueshme të kultivimit që nga gjysma e vitit 2017, si dhe një rritje domethënëse të konfiskimit. Rajoni vazhdon të shërbejë si një territor i përshtatshëm për kontrabandën e armëve, kontrabandën e cigareve, trafikun e qenieve njerëzve dhe tashmë vihet re edhe rritja e pranisë së drogave sintetike.

Ndër pikat kufitare dhe portet hyrëse nëpërmjet të cilave zhvillohen aktivitete të shumëllojshme kriminale radhiten Shkodra, Durrësi, Vlora dhe Saranda, ndërkohë që zonat përreth Kurbinit dhe Lezhës përshkruhen si zona të nxehta të krimit të organizuar. Aktiviteti kryesor i grupeve të përqëndruara në kryeqytetin Tiranë është në funksion të aktiviteteve në vende të tjera, si në Hollandë, Belgjikë, Spanjë, Zvicër, Gjermani, Itali, Kosovë dhe Mbretëri e Bashkuar, ndërkohë që lidhjet kriminale shtrihen në Turqi dhe Amerikën Latine. Zona të tjera të nxehta janë Elbasani dhe Fieri.

Kosova

Raporti e përshkruan Kosovën si pjesë e “trekëndëshit të krizës”, zona ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë Jugore, të cilat për shkak të zhvillimit të ulët ekonomik, paqëndrueshmërisë, kufijve porozë dhe qeverisjes së dobët, janë të ekspozuara ndaj krimit të organizuar. Veriu i Kosovës përmendet në veçanti si një zonë gri dhe e përshkuar nga aktivitete të paligjshme.

Nga përfundimet e raportit

Raporti arrin në përfundimin se ka shenja që popujt e Ballkanit janë të tejngopur me ndikimin e krimit të organizuar në komunitetet dhe vendet e tyre. Protestat më të fundit në disa prej vendeve të rajonit dëshmojnë për irritimin në rritje me elitat dhe korrupsionin e tyre.

Megjithatë, raporti thotë se ekonomia politike e kriminalitetit është tashmë e rrënjosur thellë. Rrjetet kriminale janë zhvilluar prej dekadash dhe ekzistojnë faktorë të jashtëm të interesuar në mbajtjen dhe shfrytëzimin e status quo-së për mundësi përfitimesh të paligjshme. Raporti thotë se do të jetë e vështirë të ndryshohet sistemi, nëse nuk krijohen institucione më efikase dhe një sistem kontrolli dhe balancimi të pushtetit për të përmirësuar llogaridhënien, transparencën dhe integritetin.

Observatori është pjesë e Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar. Ai financohet nga Fondi për Konfliktet, Stabilitetin dhe Sigurinë i Mbretërisë së Bashkuar dhe lidh aktorët e shoqërisë civile në Ballkan./VOA/

Artikulli paraprakKryemadhi shpërthen ndaj Ramës: Po qurravitet, ka frikë, gati të bëjë çdo…
Artikulli tjetërDëshmia e fortë në sallën e gjyqit: Drogën e mbolli shteti…