Pas apelit të koalicionit politik në Gjermani CDU/CSU drejtuar sot spektrit politik në Shqipëri ku kërkojnë që palët të diskutojnë për çdo temë, madje për të shtyrë zgjedhjet lokale, ka reaguar edhe lideri i opozitës, Lulzim Basha.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Basha i shpreh mirënjohjen e tij Gjermanisë.
“Mirënjohje Gjermanisë mike dhe mbështetëse të Shqipërisë, për vëmendjen dhe shqetësimin ndaj problemeve që kanë penguar integrimin europian, si mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, lidhjet e politikës me krimin, mungesa e luftës ndaj krimit dhe korrupsionit.
Në emër të PD dhe të Opozitës së Bashkuar konfirmoj gatishmërinë tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe mirëpres angazhimin e Gjermanisë mike për zgjidhjen e kësaj krize dhe hapjen e rrugës europiane të Shqipërisë”, shkruan Basha në postimin e tij.