Goditet banda shqiptare në Itali, ja si i vidhnin bizneset

Operacioni “Ulisse” (lloji i mikrobusit të përdorur për të kryer krime) i Policisë së Cuneo ka shkatërruar një grup shqiptar grabitësish, të cilët kishin si fokus vjedhjet sidomos gjatë natës të dyqaneve, lokaleve të basteve dhe makinave të fatit, në krahinat e Cuneo dhe Torinos.
Tetë persona janë lënë në burg, ndërsa një në arrest shtëpiak me akuza të ndryshme me njëri-tjetrin.
Mbi bandën e shqiptarëve rëndojnë akuza për 40 raste vjedhjesh me thyerje, dy grabitje dhe krime të tjera të kryera në periudhën mes dhjetorit të vitit 2014 dhe prillit të vitit 2016. Grabitje që kanë shkaktuar një dëm rreth 200 mijë euro.
Hetimet e autoriteteve italiane nisën në mes të vitit 2014 dhe 2015, kur, në provincën e Cuneo, u regjistruan një numër i madh dhe shqetësues i rasteve të vjedhjeve në lokale apo pika lojërash fati, por edhe vjedhje të ndryshme të karburantit (sidomos naftë) në dëm të fermerëve.
Në dy raste, në Fossano, në korrik 2015 dhe në shkurt të vitit 2016, banda e shqiptarëve gjatë sulmit hodhën gurë dhe tulla ndaj pronarëve, të cilët nxituan të shpëtonin dyqanet që po u grabiteshin.
Në disa raste kamerat e bizneseve të shënjestruara kanë regjistruar edhe rastet e grabitjeve të bandës së shqiptarëve. Shqiptarët që kanë përfunduar në burg janë: Erald Muja, 29 vjeç, Germando Ndoja, 22 vjeç, Agron Qahajaj, 40 vjeç dhe djali i tij Ernico Qahajaj (në arrest shtëpiak), Nelson Nersadja, 24 vjeç, Edrit Plepi, 25 vjeç, Cristian Mamica, 24 vjeç, Valentina Ejlli, 29 vjeç, Elson Nesdadja, 24 vjeç.
Si u kap trafikanti shqiptar në Padova
Bënte trafik kokaine nga Shqipëria në Padova, arrestohet në flagrancë narkotrafikanti shqiptar të cilit iu gjetën një kg drogë në mjetin me të cilin udhëtonte. Bëhet fjalë për shqiptarin me inicialet P.S. 31 vjeç. Mediat italiane shkruajnë se edhe pse ishte rezident në Padova, ai mbante kontakte me vendin e origjinës për të importuar sasi të mëdha droge, të cilën e shiste në sheshin e qytetit Santo.
Agjentët e skuadrës policore të lëvizshme vunë re një automjet “Suzuki” drejtuar nga një person, që në mënyrë të dyshimtë, filloi të ngadalësonte ecjen dhe që vazhdimisht shikonte në pasqyrën e pasme.
Në një përpjekje për të ikur pa u vënë re, shqiptari ndaloi në një lokal të vogël në zonën e Salboro për të pirë një kafe. Duke menduar se nuk ishte më duke u ndjekur, ai u çua nga lokali, por pak më larg u ndalua nga policia. Gjatë kontrollit atij iu gjet në dorezën e makinës, një pako me një kg kokainë. Shqiptari u arrestua dhe u dërgua në burg. Ai akuzohet për trafik ndërkombëtar droge.

Artikulli paraprakParalajmërohet arrestimi i Tahirit
Artikulli tjetërPlumb në kraharor 46-vjeçarit në Shkodër, autori largohet