Socialistët, proçesverbale fiktive për zgjedhjen e kryepleqve në Lushnjë

Këshilltarët socialistë në Bashkinë e Lushnjës kanë zgjedhur në mënyrë të jashtëligjshme kryepleqtë në të gjitha fshatrat e 10 njësive vendore të kësaj bashkie. Socialistët kanë plotësuar proçesverbale fiktive, duke shkaktuar në disa fshatra incidente deri në kacafytje. Ky skandal është denoncuar publikisht nga kryetari i PD, Lushnjë, Myslim Murrizi. Në një postim në rrjetin social Facebook, Murrizi shkruan se, këshilltarët e mazhorancës i tremben votës së qytetarëve dhe i zgjedhin kryepleqtë në mënyrë të jashtëligjshme.
“Në konferencë shtypi me kryetarin e grupit të këshilltarëve të PD në Bashkinë e Lushnjës, Jakup Beqiri, denoncuam proçesin e zgjedhjes së kryepleqve në të gjitha fshatrat e 10 njësive vendore të kësaj bashkie, si proçes i manipuluar, në kundërshtim me ligjin dhe vendimin e Këshillit Bashkiak. Një proçes i turpshëm, farsë dhe në mënyrë hajdutëshe. Këshilltarët e mazhorancës i tremben votës së qytetarëve dhe nxitojnë si të pabesë të plotësojnë proçesverbale fiktive, duke shkaktuar në disa fshatra incidente deri në kacafytje. I bëjmë thirrje të zbatojnë kërkesat e ligjit dhe të respektojnë vullnetin e banorëve”, shkruan Myslim Murrizi, kryetar i PD, Lushnjë.
Ndërkohë, në fshatin Lifaj Njësia Administrative Krutje dje është zhvilluar një protestë për mënyrën e paligjshme të zgjedhjes së kryeplakut. Protesta është mbështetur edhe nga këshilltarët e PD dhe të PR të Lushnjës. “Së bashku me grupin e këshilltarëve të PD dhe PR të Këshillit Bashkiak Lushnjë në mbështetje të protestës janë bashkuar edhe banorë të fshatit Lifaj Njësia Administrative Krutje. Të indinjuar dhe revoltuar për mënyrën e zgjedhjes së kryeplakut të këtij fshati, ndjehemi të fyer dhe poshtëruar, theksuan ata që një këshilltar i PS vjen fshehurazi si hajdut për të emëruar kryeplakun.
Këshilltarë që i tremben votës tonë janë të pamoralshëm për të qenë në këshill. Të gjithë këshilltarët e opozitës janë në mbështetje të plotë të një të drejte ligjore të tyre të mohuar. Ky fenomen është pothuajse në çdo fshat. Pas denoncimit tonë sot para mediave ky është reagimi i vetë banorëve, të cilët u shprehën se nuk njohin asnjë të vetëzgjedhur në mënyrë hajdutëshe nga një pseudokëshilltar i PS”, shkruan Murrizi.
E njëjta situatë është edhe në disa rrethe të tjera të vendit ku bashkitë drejtohen nga socialistët. Në Pukë, kryepleqtë nuk janë zgjedhur, por janë emëruar në kundërshtim me ligjin nga kryetari i Bashkisë. Kreu i Bashksië ka emëruar kryepleq njerëzit e tij të njohur dhe të afërt për të mos denoncuar parcelat me drogë që janë në pronësi të tij dhe të shefit të policisë.

Artikulli paraprakPlumb në kraharor 46-vjeçarit në Shkodër, autori largohet
Artikulli tjetërVetëm dje 8 aksidente, 1 i vdekur dhe 13 të plagosur