Ligjvënësit izraelitë votuan për shpërndarjen e Parlamentit pasi kryeministri Benjamin Netanyahu dështoi të formojë koalicionin qeveritar.
Votimi shkaktoi zgjedhje të reja, të cilat do të mbahen më 17 shtator.
Netanyahu nuk mundi të arrijë marrëveshje për një koalicion të ri të krahut të djathtë, pas zgjedhjeve të muajit të kaluar.
Në qendër të ngërçit ishte një ligj ushtarak i rekrutimit që rregullonte përjashtimet për studentët ortodoksë hebrenj. Është hera e parë në historinë e Izraelit që një kryeministër i emëruar dështon të formojë koalicionin.
Netanyahu do të mbetet në pushtet deri në zgjedhjet e shtatorit. Nëse atëherë formon koalicionin e ri qeveritar, Netanyahu, 69 vjeç, do të bëhet kryeministri me kohën më të gjatë në detyrë.