2.2 miliardë euro për koncesionet e 7 rrugëve, një rrugë u rrit nga 113 në 260 milionë euro

Në shtator të vitit të kaluar Partia Demokratike lancoi platformën kundër oligarkisë, duke prodhuar edhe pakënaqësi, sepse për herë të parë një forcë politike denoncoi me fakte, me shifra dhe me emra korrupsionin që po ndodhte me tenderat dhe koncesionet, por dhe personat përgjegjës për këtë. Jo vetëm kaq, por ofruam një zgjidhje dhe rrugëdalje nga ky sistem oligarkësh.

Sigurisht që i gjithë ky sistem, i ngritur ka një dhe vetëm një përgjegjës, Edi Ramën. i cili ka ideuar, krijuar e ngritur një sistem korruptiv unik për Europën e më gjerë, ku çdo herë që ka një projekt publik nuk është kurrë interesi publik në qendër, por ai privat.

7 projekte ka programi 1 miliardë, i cili ka shkuar në 2,2 miliardë dhe të shtatë kanë të njëjtat probleme: kostot të fryra,aq sa kosto për një kilometër shkon deri në 22 milionë euro, propozime të pakërkuara, kompani që janë të vetme në konkurim duke qenë ofertues të vetëm dhe të gjitha me lidhje me mazhorancën dhe Partinë Socialiste.

Rruga që ka ndjekur qeveria për të fryrë kostot e rrugëve Milot-Balldren dhe Orikum-Llogara është e njëjta me skemën e ndjekur për ndërtimin e tre Inceneratorëve, Unazës së Re apo dhe çdo lloji tjetër të PPP-ve.

Për Milot-Balldren kosto fillestare me të cilën kompania ANK fitoi e vetme PPP-në ishte 113 mln euro. Kjo vlerë u rrit fillimisht në 161 mln euro dhe jo më larg se disa ditë më parë qeveria propozoi një tjetër rritje që e çon koston e rrugës në256 mln euro (me TVSH) me një afat 15 vjeçar si PPP.

Sa i takon rrugës tjetër “Orikum-Llogara”, qeveria në tenderin e parë për këtë PPP kishte vendosur shifrën prej 50 mln euro e cila u fitua nga kompania Gjikuria për një periudhë 13 vjeçare. Por kjo shifër kapërcen në 70 mln euro sot me kontratën e re.

Në kundërshti të plotë me këshillat dhe udhëzimet e FMN, qeveria ka vendosur që vjedhurazi të rrisë kostot e PPP-ve përkëto dy rrugë. Duke fshehur procedurat dhe duke i shkelur ato, qeveria ka kaluar dy VKM të cilat fryejnë artificialisht kostot e secilës rrugë.

Ndonëse qeveria është e detyruar të publikojë kontratat, derimë sot nuk kemi lexuar asgjë në platformën elektronike, vendi ku sipas detyrimit ligjoror duhet të shfaqej njoftimi për ndryshimet. Asnjë prej tyre nuk ishte transparente deri kur u publikuan sot pasi u dorezuan me procedurë të përshpejtuar në kuvend.

Sipas kontratave që ajo ka dërguar në kuvend, rruga “Milot-Balldren” tanimë kushton 256 mln euro me tvsh, një vlerë që është 147 mln euro më e lartë se sa kosto e përllogaritur në fillim të dhënies së kontratës. Sakaq, për rrugën tjetër “Orikum-Llogara” vlera e re e kontratës është 70 mln euro pa TVSH, që është një vlerë mbi 20 mln euro më lartë se sa ajo e parashikuar në kontratën fillestare. Megjithëse gjasat janë që këto të mos jenë vlerat përfundimtare të këtyre kontrateve.
Kjo skemë e shëmtuar e fshehjes së kostove reale shumë shpejt do t’i kushtojë buxhetit të shtetit dhe xhepave të shqiptarëve shtrenjtë.

Sa më shumë të gërmosh në kontratat e PPP-ve të qeverisë aqmë shumë zbulon projekte anti-ligjore dhe në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Europian. Projekte që rëndojnë xhepat e qytetarëve dhe e trajtojnë buxhetin e shtetit si një qese ku mund të hapësh një të çarë nga ku do të rrjedhin pafundësisht paratë e shqiptarëve në xhepat e oligarkëve dhe qeveritarëve.

E vetmja mënyrë për të luftuar këtë situatë është implementimi i shpejtë i ligjit anti-mafia dhe anti-oligarki që opozita ka propozuar. Beteja jonë kundër oligarkisë është e sinqertë. Shqipëria dhe shqiptarët janë sot të etur për një ekonomi të shëndetshme, për një qeveri që e trajton buxhetin me seriozitet dhe jo që fryen kostot e projekteve për të mbushur xhepat e oligarkëve. Kushdo që ka tenderuar e do të firmosë ato kontrata duhet të jetë sot para drejtesisë!

Kontratat e paraqitura sot në kuvend, janë vetëm fillimi i fryrjes artificiale të projekteve “1 mld euro”. Babëzia e kësaj qeverie është e atillë saqë pushtetin do ta përdorin për abuzime dhe vjedhje edhe më të mëdha edhe më të paskrupullta. Beteja jonë është të çlirojmë të tashmen nga duart e oligarkëve dhe të ardhmen nga skllavërimi i shqiptarëve.

Artikulli paraprakMbahet sekret goditja e rëndë në sistemin elektroenergjetik, pa drita në dimër, reagimi i Vasilit
Artikulli tjetërRrëfimi i Pochettinos: Si Maradona i gjuajti me armë gazetarët, Bielsa i ndoqi tifozët me granatë…