Juventusi i papërmbajtshëm në merkato. Bardhezinjtë po provojnë goditjen e madhe, duke blerë Gonzalo Higuain nga Napoli, e njëkohësisht synojnë të blindojnë Paul Pogba. Bardhezinjtë kërkojnë me çdo kusht të mbajnë në skuadër mesfushorin francez, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të kërkojnë të realizojnë objektin Champions, trofe që mungon prej dy dekadash.
Edhe pse 23-vjeçari nuk shkëlqeu në Kampionatin Europian, ku kishte shumë presion dhe dhuroi pak paraqitje cilësore, sinjalet nga skuadrat e interesuara për shërbimet e tij nuk mungojnë. Pogba mbetet një objektiv i merkatos së Realit të Madridit dhe Manchester United. “Djajtë e Kuq” cilësohen në avantazh, sepse nëpërmjet menaxherit Mino Raiola afruan në “Old Trafford”, Zlatan Ibrahimoviç dhe Henrix Mkhitaryan.
Por, edhe oferta e skuadrës së Jose Mourinho është e rëndësishme, pasi Manchester United ofron plot 120 milionë euro për mesfushorin e Juventusit. Por, megjithë shifrën e çmendur, Zonja e Vjetër provon të mos dorëzohet. Beppe Marotta e Fabio Paratici këmbëngulin se lojtari nuk është në shitje, ndërsa janë të gatshëm t’i rinovojnë kontratën që përfundon në vitin 2019.
Oferta është gati, për ta zgjatur qëndrimin e mesfushorit në Torino edhe për disa vjet, me përmirësim të dukshëm të pagës. Nga 4,5 milionë euro neto që përfiton aktualisht, sipas marrëveshjes së re Paul Pogba do të paguhet nga 6,5 deri në 7 milionë euro në sezon. Bardhezinjtë janë të gatshëm të ngrenë tavanin e rrogave në skuadër, ku trajtim të njëjtë si Pogba pritet të ketë edhe mbrojtësi Leonardo Bonuçi, për të cilin Manchester City ka ofruar 60 milionë euro.