Trajneri i Juventusit, Masimiliano Alegri, i ka hapur rrugë transferimit të mundshëm të Gonzalo Higuain te bardhezinjtë, për të përforcuar edhe më shumë skuadrën e cila ka dominuar futbollin italian në vitet e fundit. I pyetur për merkaton, ai ka evituar që të flasë direkt për Pol Pogba, i cili është shumë pranë firmës me Mançester Junajtid, por nuk i është shmangur një batute për sulmuesin argjentinas të Napolit.
“Pogba? Nuk flas për merkaton, nuk ka kuptim. Me këto gjëra po merrte klubi që po bën një merkato shumë të mirë. Për momentin kanë ardhur lojtarë të rëndësishëm si Benatia, Pjaniç dhe Dani Alvesh. Higuain? Ju thashë që nuk flas për merkato, por është e qartë se lojtarët e mëdhenj janë gjithmonë të mirëpritur. Për të konkurruar në nivele të larta duhen gjithmonë lojtarë me cilësi të mëdha. Në sulm për momentin kemi Manxhukiç, Dibala dhe Zaza”, tha Alegri.
Dhe duke parë merkaton e tyre, me afrime si Daniel Alvesh nga Barcelona, Miralem Pjaniç nga Roma, Mehdi Benatia nga Bajerni i Mynihut, por ndërkohë presin edhe Marko Pjacan nga Dinamo e Zagrebit, padyshim që skuadrës së Masimiliano Alegrit i mungon vetëm një bomber i frikshëm për të frikësuar favoritet për turneun më të rëndësishëm në Europë për klube.
Presidenti Andrea Anjeli, duke parë edhe fitimet e klubit që po vijnë në rritje, nuk kërkon të kursehet sivjet, por duket se ka urdhëruar edhe sulmin ndaj Gonzalo Higuainit. Ky i fundit i ka nënvizuar Napolit se nuk kërkon të rinovojë, por në të njëjtën kohë i ka dhënë edhe një sinjal se kërkon të provojë një eksperiencë tjetër.
Kaq ka mjaftuar që Juventusi dhe presidenti i tyre të hapin thesin. Ikën apo nuk ikën Pol Pogba, kjo është diçka që duhet parë dhe nuk hyn fare në këtë çështje. Sepse Anjeli, duke parë 30 milionët e ardhura nga Morata, por edhe 30 milionë eurot e tjera që pritet të sjellë Zaza (është gati të firmosë me Volfsburgun), të gjitha këto para ai është gati që t’i investojë për argjentinasin.
Duke qenë se prej më shumë se dy javësh Juventusi dhe Napoli po punojnë për të transferuar nga Torino në “San Paolo” Roberto Perejran, për 20 milionë euro, bardhezinjtë kanë menduar që t’ia “falin” Napolit mesfushorin e tyre dhe t’i shtojnë shifrës së kartonit të tij edhe 60 milionë, për të arritur te Gonzalo Higuain, për një total prej 80 milionë eurosh.
Dhe, ndonëse shumë klube të mëdha e ëndërrojnë kryegolashënuesin e sezonit të kaluar, oferta e “Zonjës së Vjetër” është padyshim më e larta që ka ardhur në drejtim të presidentit Aurelio De Laurentis, i cili këmbëngul se për Higuainin, ai që e do, duhet të paguajë klauzolën e tij, 94.7 milionë euro.