Ndërkombëtarët, monitorim të Reformës sipas “Venecias”

Eurodeputetët Eduard Kukan dhe Knut Fleckeinstein shprehen për monitorim të Reformës në Drejtësi nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe jo për rol ekzekutiv të tyre në këtë proces. Dy eurodeputetët e cilësojnë rolin e autoriteteve shqiptare në këtë proces si thelbësor. Përmes një deklarate të përbashkët, dy eurodeputetët theksojnë rëndësinë e respektimit të rekomandimeve të bëra nga Komisioni i Venecias, ndërsa vlerësojnë se roli i vëzhguesve ndërkombëtarë në procesin e Vetingut duhet të jetë rol mbikëqyrës.
“Ne po ndjekim zhvillimet e fundit rreth Reformës së Drejtësisë në Shqipëri shumë ngushtë. Ne kemi mbështetur këtë reformë nga fillimi e saj shumë dhe ne vazhdojmë ta mbështesim atë, së bashku duke nxitur partnerët tanë përkatës politikë në Shqipëri për të gjetur zgjidhje kompromisi të shëndoshë, duke kërkuar standardet më të larta të mundshme për një reformë tërësore gjyqësore. Na vjen keq që propozimi i kompromisit i fundit i bashkësisë ndërkombëtare nuk është pranuar. Megjithatë, ne jemi të bindur ende se zgjidhja është brenda mundësive.
Kjo është një detyrë e shtetit shqiptar për të garantuar sundimin e ligjit për qytetarët e saj dhe kjo është përgjegjësi e liderëve politikë në Shqipëri për të miratuar një reformë të besueshme gjyqësore, e cila do të garantojë një sistem të pavarur dhe efikas të drejtësisë”, thuhet në deklaratën e përbashkët të dy eurodeputetëve.
Kukan dhe Fleckeinstein e cilësojnë si thelbësor rolin e autoriteteve shqiptare në procesin e Vetingut ndaj dhe ata theksojnë se një rol mbikëqyrës i faktorit ndërkombëtar në procesin e verifikimit të kandidatëve për gjyqtarë e prokurorë nuk do të zvogëlojë rolin e autoriteteve shqiptare.
“Ne mbështesim rolin e parashikuar për Operacionin Monitorues Ndërkombëtar për të mbikëqyrur të gjithë procesin e verifikimit. Sipas mendimit tonë, kjo nuk do të zvogëlojë pronësinë e autoriteteve shqiptare, e cila është thelbësore. Përfshirja internacionale do të forcojë kredibilitetin e reformës në sytë e publikut shqiptar dhe të bashkësisë ndërkombëtare dhe është në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj reforme për publikun shqiptar, për një të ardhme të begatë të vendit dhe për progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, ne qëndrojmë së bashku të gatshëm për të ndihmuar partnerët tanë politikë në Shqipëri për të arritur marrëveshjen e nevojshme për miratimin e reformës”, vijohet më tej në deklaratën e eurodeputetëve.
Kukan dhe Fleckeinstein inkurajojnë politikanët për të gjetur një zgjidhje të besueshme për Reformën në Drejtësi në Shqipëri. Ata theksojnë se është një detyrë e shtetit shqiptar që të miratojë sa më shpejt Reformën në Drejtësi, në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias.
“Ne inkurajojmë fuqimisht liderët politikë në Shqipëri të vazhdojnë bisedimet e tyre në frymën e vullnetit të mirë, duke pasur parasysh qëllimin kryesor të kësaj reforme. Krijimin e një sistemi të besueshëm, të pavarur dhe efikas të drejtësisë në Shqipëri”, mbyllin deklaratën dy europarlamentarët, Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein.
Insistimi i socialistëve për rolin e vëzhguesve të huaj në procesin e vetingut bëhet mbi një propozim të pakërkuar dhe të pambështetur nga ndërkombëtarët. Bylykbashi sqaroi të enjten në Parlament, në mënyrë të detajuar se në çfarë konsiston propozimi hibrid i ndërkombëtarëve si dhe propozimi i bërë nga PS në lidhje me pikën mbi rolin që do të kenë ndërkombëtarët në procesin e vetingut.  Bylykbashi sqaroi se janë vetë ndërkombëtarët që kanë bërë të qartë se nuk kërkojnë kompetenca ekzekutive në lidhje me procesin e përzgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Zonja Nuland tha se, duke dëgjuar mirë palët, PS dhe PD ambasadorët propozuan një model hibrid. Shumë e kujdesshme zonja Nuland tha se, kjo është diçka hibride midis asaj që propozon PS dhe asaj që propozon opozita. Pra, është e jona kanë bërë bashkë një model mos e shisni si propozim që vjen nga ndërkombëtarët është hibridi ynë.
Çfarë thotë BE dhe SHBA, se ju vet dilni dhe thoni se nuk e kërkojmë ne një gjë të tillë. Këta partnerë thonë nuk duam kompetenca ekzekutive në veting, në asnjë fazë, as të gjyqtarëve dhe prokurorëve që prezumohen të korruptuar dhe as të atyre që do të hetojnë këta gjyqtarë dhe prokurorë. Rekomandim maksimumi”, u shpreh Bylykbashi.

A.Shahini

Artikulli paraprakBasha: Të rikthehen negociatat për zgjidhje, PD është gati
Artikulli tjetërPse varianti i qeverisë shkel rekomandimet e Venecias