Beqja, tjetër skandal me ilaçet e rimbursueshme

Një tjetër skandal ka shpërthyer në Ministrinë e Shëndetësisë me ilaçet e rimbursueshme. Skandal që raportohet çdo ditë anë e kënd Shqipërisë dhe e vuajnë. Këtë radhë abuzimi ka të bëjë me një ilaç që përdorin pacientët që kurohen nga veshkat në të gjithë vendin. Bëhet fjalë për sëmundje të nefrologjisë që kanë kosto të larta dhe rimbursohen nga shteti.
Jo vetëm në spitale, por edhe për pacientët që kurohen me ilaçe të rimbursueshme po vuajnë mungesën e një preparati që quhet Ketosteril. Një ilaç mjaft i shtrenjtë që rimbursohet nga shteti, por ministri Beqja dhe vartësit e tij e kanë zëvendësuar këtë medikament me një tjetër për shkak të përfitimeve të tyre. Bëhet e ditur se ky medikament sot nuk ju jepet të sëmurëve, por ju është servirur një tjetër zëvendësues që pretendohet se është më i mirë.
Ndryshimi pozitivisht është për t’u vlerësuar, por në fakt duket të jetë me pasoja të rënda. Sipas cityneës, kemi të bëjmë me një skemë kriminale dhe korruptive e disa zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë që bie shumë ashpër mbi pacientët. Kështu, pacientët që janë në kurim e sipër me Ketosteril, nuk kanë medikamentin e tyre, kjo sepse është ndryshuar në listën e rimbursimeve dhe ofrohet në tjetër ilaç. Por rimbusimi me medikamentin e ri nuk bëhët direkt, por pacientëve u rikërkohet të shkojnë në Tiranë për të ribërë kontrolle, analiza dhe për të mbledhur disa vula në QSUT e më pas të shkojnë në qytetet e tyre për të marrë preparatin e ri. Nga Hasi, Delvina, Erseka, Saranda, Korça, Malësia e Madhe, të zbarkojnë pranë “kasapëve” në Tiranë, pas tyre të shpenzojnë lekë lart e poshtë, të sëmurë, të braktisur, por edhe të vjedhur.
Një pacient në kurim e sipër, duhet të ndalë një ilaç e të fillojë një tjetër, pasi një tufë me hajdutë kanë pushtuar sistemin shëndetësor. Jo vetëm kaq, por duhet të rifillojnë nga e para të njëjtat procedura që kanë kryer pak javë më parë, sepse nuk ju zëvendësohet ilaçi i rimbursuar. Një pazar kriminal ku pushtetarë, drejtues politikë, biznesmenë që merren me tregtimin e ilaçeve, zhytin duart e korrupsionit në sëmundjet e pacientëve jo vetëm duke ju ndryshuar kurimin në mënyrë vrasëse, por edhe duke i torturuar më parë, për të përfituar atë që ja u jep ligji, taksat dhe kontributet që ata kanë paguar gjithë jetën e tyre.
Ndërkohë, fëmijët e prekur nga kanceri kanë mbetur pa ilaçe. Ata janë më të pambrojturit e shoqërisë, por as për ta shteti nuk mund të përgjigjet. Bëhet fjalë për fëmijët e sëmurë me kancer, që dje kanë protestuar në ambientet e QSUT për shkak të mungesës së ilaçeve, nga ato më elementaret si paracetamoli deri tek ato të posaçme. “Fëmijë të sëmurë me kancer së bashku me familjarët, të mbështetur nga Shoqëria Civile (Together for Life) tubuan sot para QSUT për të kërkuar të drejtën e jetës. Në QSUT për këtë kategori mungojnë ilaçet dhe ata detyrohen t’i blejnë në treg e shpeshherë ato janë të pakontrolluara, duke mos u sjellë efektet e duhura, analizat i bëjnë jashtë spitalit, si edhe deri te ilaçet më elementare si paracetamoli apo gjilpërat detyrohen t’i blejnë”, shkruan Nisma “Thurje”.
Shoqëria Civile së bashku me të afërm të fëmijëve me leuçemi i kanë drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë një peticion ku kërkohet furnizimi me medikamente për pacientët e vegjël. Sipas tyre ilaçet mungojnë prej 6 muajsh dhe ata janë të detyruar t’i blejnë me çmime të larta jashtë spitalit.
Medikamentet që prindërit janë të detyruar t’i blejnë vetë kanë një kosto të papërballueshme. Vlera e tyre shkon në 150 mijë lekë, ndërkohë që këta prindër jetojnë me ndihmën ekonomike ose janë detyruar që të lënë punën për të ndenjur pranë fëmijës në spital.

R.POLISI

Artikulli paraprakPërgjimet e reja, bizesmenët përfituan 2 miliardë lekë tendera ushqimesh
Artikulli tjetërFaqja e parë