Si e falimentoi OSHEE turizmin në Bregdetin e Jugut

Kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike e kishte “vëth në vesh” rregullimin e rrjetit, sidomos në bregdetin e Jugut. Për më shumë se dy muaj, zyra e shtypit në këtë kompani punoi rregullisht që të sqaronte qytetarët dhe pushuesit më 2015-n për arsyet e ndërprerjes së dritave, sidomos në zonat e Jugut.  Edhe pse u angazhuan 600 punonjës të OSHEE-së për të qenë në gatishmëri për të punuar aty, shpeshtia e defekteve bënte që zona si Himara, Qeparoi dhe Dhërmiu të mos kishin energji për orë të tëra. Faji kryesor për këto ndërprerje, sipas kompanisë, ishte rritja e konsumit, e kur e pyesje se dhe në vite të tjera konsumi ka qenë i njëjtë, atëherë përgjigjja ishte amortizimi i rrjetit të vjetër i kombinuar edhe me temperaturat e larta. Përpara një viti, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë dha një premtim për të gjithë: në vitin 2016, nuk do të kishte më ndërprerje të dritave në Jug, ndërsa po niste investimet. Në fakt, të gjitha këto investime u realizuan përveç një problemi që doli: Jugu vijonte të kishte ndërprerje të energjisë elektrike. Këtë herë nuk munguan as kritikat hapur të shoqatave të turizmit, të cilat në një deklaratë për mediat, thanë hapur se po rrezikohet turizmi shqiptar. “Në veçanti, Maqedonia vë në dispozicion një fond prej 5 milionë eurosh për të stimuluar fluturimet low cost dhe qëndrimet në vend, Mali i Zi po ndërton resortin më luksoz në Mesdhe, Serbia investon në pasurimin e portofolit të eventeve, ndërkohë që Shqipëria fillon sezonin e vonuar me energji 48% më të shtrenjtë dhe shërbime rikonstruktuese të sistemit të shpërndarjes së energjisë në vijën bregdetare nga 15-30 korrik dhe 12 orë ndërprerje energjie në ditë”, shprehet Shoqata shqiptare e Turizmit në një deklaratë për mediat. Ajo shkon më tej kur thotë se nuk mund të pretendohet të kesh turizëm, kur në këto vite nuk është bërë asgjë, por përkundrazi janë rritur kostot e paketës turistike. “Nëse do të ishte ky i vetmi problem i konstatuar dhe vuajtja e fundit e industrisë, ndoshta kjo deklaratë nuk do të ishte e nevojshme. Është lista e gjatë e problemeve që sa vijnë e shtohen që ka shkaktuar reagimin e industrisë kohët e fundit. Ndërsa në këto 3 vite, nuk u mbajt premtimi për stimulimin e industrisë me një paketë dinjitoze fiskale sikundër fqinjët, të paktën sot nuk duhet të kishim ndërprerje të energjisë, rritje të çmimit të energjisë në mënyrë abuzive, e konfirmuar kjo dhe nga ERE, luhatje tensioni dhe dëmtim pajisjesh në të gjithë vendin”.

Masat që mori OSHEE për sezonin turistik

Në të gjitha tryezat që organizoi Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit dhe Tregtisë për të përmirësuar masat që do të merrnin për sezonin, lista e gjatë me detyra për t’u përmbushur shkonte për përfaqësuesin e Ministrisë së Energjisë. Atij i lindte detyra që të bënte lidhjen ndërinstitucionale, në mënyrë që kompania e shpërndarjes të merrte masa për sezonin që ishte në prag. Sigurisht që kësaj liste nuk i shpëtonte as Ministria e Infrastrukturës dhe as Policia e Shtetit, e cila me postblloqet e saj në shumë pika kishte trembur turistët. Investimet në rrjetin e energjisë elektrike nisën që në fillim të marsit, për këtë vonesë OSHEE thotë se ishin edhe burokracitë për fillimin e tenderave, megjithatë deri në fund të qershorit ajo siguron se nuk do të ketë punime ekstra për të stabilizuar rrjetin, përveç atyre emergjente. Por në raportin e siguruar nga “Monitor” shihet qartë që punimet për investimin e nënstacionit të Dhërmiut dhe riparimin e linjave kabllore të Himarës do të përfundojnë në javën e fundit të korrikut. Në raportin e OSHEE, “Monitor” ka mësuar se do të jenë 550 punonjës, të cilët do të vihen në gatishmëri përgjatë gjithë pjesës bregdetare të Shqipërisë, e cila ndahet në rajone. Dy nga prioritetet që kanë vendosur OSHEE në këto zona janë fuqizimi i nënstacionit të Himarës dhe Dhërmiut. “Vendosja e personelit operativ në nënstacionin lëvizës të Himarës dhe nënstacionin e Dhërmiut, që do të ndërtohet si përforcues në nënstacionet me nivel tensioni primar 110 kv, për të garantuar furnizimin e pandërprerë me energji elektrike nga këto dy nënstacione”, shprehet raporti.  Kompania ka riorganizuar të gjithë punonjësit e saj nga degët, të cilat nuk ka sasi të shtuar konsumi, siç janë qytetet e Korçës dhe Beratit, drejt pikave të gatishmërisë që mund të ndodhë defekti. Përveç pjesës së Jugut, brigada do të ketë staf të gatshëm edhe në veri të vendit në rajonin e Shkodrës dhe të Durrësit. Në të gjitha këto pjesë, kompania ka ngritur shtabet e emergjencës. Gjithsej janë 10 shtabe, të cilat përbëhen nga 55 punonjës që do të ndihmojnë dhe riparojnë defektin në rast ndërprerjeje.

Në detaje, plani i masave të OSHEE jep këto përparësi:

1.    Vendosja e grupeve të gatishmërisë në institucione të rëndësisë së veçantë, hidrovore, spitale.
2.    Vendosja e personelit përforcues te kabinat në mënyrë që ekipet e terrenit të punojnë sa më shpejt.
3.    Mbajtja e bazës së materialit të emergjencës pranë çdo drejtorie rajonale, në mënyrë që të mos ketë vonesa.
4.    Ngritja e magazinës së emergjencës në Himarë dhe Dhërmi.
5.    Mbajtja në gatishmëri e makinave teknologjike dhe aparateve portative në rast defektesh në rrjet.
6.    Mbajtja në gatishmëri e mjeteve të transportit për riparimin e avarive.

Vjetërsia e rrjetit të energjisë

Një nga problemet më të mëdha të rrjetit të shpërndarjes së energjisë është vjetërsia e tij. Edhe pse me miliarda lekë janë investuar në vite, shqiptarët janë ende të varur nga shprehja “ikën dritat”. Buxheti për të investuar në linja të reja ka ardhur gjithnjë në rritje, ndërsa vetë Banka Botërore ka miratuar një kredi gjigante një vit më parë prej 1.2 miliardë dollarësh për të rritur eficencën e këtij sistemi. Më 2016-n, buxheti i këtij viti miratoi nga kjo kredi 50 milionë dollarë huadhënie neto për sektorin e energjisë elektrike.Pavarësisht investimeve që parashikoi të bëjë në vitin 2016, OSHEE nuk ka përfunduar tërësisht rikonstruktimin e plotë të rrjetit të Jugut. Në planin e investimeve të saj parashikohet që në dy vitet që vijnë të investohet në linja dhe kabina të reja, vlera totale e të cilave shkon në 16 milionë dollarë. Himara: Investim 530 milionë lekë, ku përfshihen 4 fidera, 53 kabina elektrike. Dhërmiu: Investim 880 milionë lekë, ku përfshihen 4 fidera, 45 kabina elektrike. Qeparoi: Investim 114 milionë lekë ku përfshihet rikonstruktimi i plotë për 15 kilometra linjë, 20 kabina të reja.

Artikulli paraprakLigji i ri, shtetësia shqiptare “shitet” për 2 milionë euro
Artikulli tjetërLuftë klasash me fondet, qeveria u jep vetëm 2.5% të fondeve bashkive të opozitës