Ministri i Jashtëm gjerman, Maas shprehet në favor të hapjes së negociatave me Shqipërinë, por sipas lajmit të DW është Bundestagu gjerman që e kundërshton këtë hapje të negociatave me Shqipërinë, ndërsa është në favor të hapjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut.
Shefi i diplomacisë gjermane e përforcoi edhe njëherë pozitën e ministrisë së jashtme të Gjermanisë pro çeljes së negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke argumentuar në adresë të skeptikëve dhe frenuesve se duhet mbajtur premtimi i dhënë një vit më parë, pasi të dy këto vende i kanë përmbushur kushtet. “Në se i kthejmë shpinën Ballkanit Perëndimor, këtë vakuum do ta mbushin fuqi të tjera”, tha Maas. Ai pranoi se çelja e negociatave diskutohet në mënyra të ndryshme në vendet e BE-së.
Lobim i përforcuar
Kohët e fundit Shqipëria ka dërguar një sërë ministrash për të bërë lobim në Gjermani për çeljen e negociatave me BE-në. Javën e kaluar ishin ministri i brendshëm Sandër Lleshaj dhe ministrja e drejtësisë Etilda Gjonaj, si dhe kryetari i grupit parlamentar të socialistëve në Kuvendin e Shqipërisë, Taulant Balla. Ndërsa të enjten, përveç ministrit Cakaj, në Berlin ndodhej edhe ministrja e mbrojtjes Olta Xhaçka, e cila u takua me homologen e saj, Ursula von der Leyen.
Vendimin për çeljen e negociatave qeveria gjermane duhet ta kalojë nga parlamenti gjerman, Bundestagu. Ky pritet të merret në shtator me këtë çështje, megjithëse këshilli i ministrave më 26 qershor 2018 kishte marrë vendim se do ta shqyrtonte çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në Këshillin e BE-së, në 18 qershor 2019.
Por deputetët demokristianë, sidomos nënkryetari i grupit parlamentar, Johann David Ëadephul, janë të mendimit, se nuk mjafton afati deri në qershor. Ëadephul ka edhe rezerva të tjera ndaj Shqipërisë për shkak të mosfunksionimit të organeve gjyqësore të larta dhe krizës aktuale në Shqipëri.
Maqedonia e Veriut para Shqipërisë
Për Maqedoninë e Veriut parlamenti gjerman duket se ka tjetër mendim. Edhe deputetët e CDU/CSU-së, sipas qarqeve diplomatike dhe deputetëve në Bundestag, janë të mendimit se sidomos pas zgjidhjes së konflikteve me vendet fqinje, ajo e meriton çeljen e negociatave. Zyrtarisht kancelarja gjermane ende nuk e ka dhënë mendimin e saj. Javën e kaluar ajo raportoi në komisionin e Bashkimit Evropian se vendimi nuk mund të merret në qershor, por në shtator, për shkak të nevojës së harmonizimit të opinoneve brenda partisë së vet.
Një shtyrje, që Maqedonisë së Veriut nuk i pëlqen aspak, pasi nuk dëshiron të bëhet peng e Shqipërisë. Te enjten kancelarja gjermane priti në Berlin homologun e saj nga Maqedonia e Veriut, Zoran Zaev, dhe ministrin e jashtëm të Maqedonis. Nikola Dimitrov. Biseda ishte konfidenciale, por pas takimit, Zaev ishte shprehur besimplotë se Maqedonia e Veriut do të hapte negociatat deri në fund të vitit.