A po provokon BE dhe SHBA kabineti i ri britanik?

Anne Applebaum, “Washington Post”

Në fakt, unë e kuptoj logjikën. Emërimet e para të Theresa May-t – Liam Fox si ministri i ri i Tregtisë Ndërkombëtare, David Davis do të drejtojë negociatat e daljes nga BE dhe Boris Johnson si sekretari i Jashtëm – kanë shumë kuptim. Ajo ka vendosur ithtarët e linjës së ashpër të Brexit, si përgjegjës për negocimin e tërheqjes së Britanisë nga politika europiane. Nga tani e tutje do të jetë e pamundur, për këdo të argumentojë se votuesit qenë të mashtruar. Nëse këta 3 njerëz nuk do të mundin të menaxhojnë procedurat e divorcit të Mbretërisë së Bashkuar nga unioni, atëherë nuk e bën dot askush tjetër.
Në të njëjtën kohë, May ka eliminuar me shkathtësi një burim të qartë të mosmarrëveshjeve të brendshme. Ashtu si Barack Obama me emërimin e Hilari Klintonit si sekretare Shteti, ajo i ka dhënë kritikut të saj potencialisht më të dëmshëm një detyrë të madhe, që do ta pengojë atë të shkruajë artikuj kritikë në “Daily Telegraph”. Një Johnson i mërzitur dhe mënjanuar, do të kishte mjaft kohë për të menduar plot ironi dhe sarkazma rreth Kryeministres së re dhe qeverisë së saj; tashmë ai do të jetë në një barkë me të.
Por zgjedhjet e May-t sugjerojnë ndërkohë një ndryshim më të thellë, të dukshëm prej disa kohësh, por vetëm tani në qendër të vëmendjes: Britania ose të paktën Britania konvervatore, nuk aspiron të jetë më një fuqi udhëheqëse perëndimore. Sigurisht May e di se Johnsoni është një figurë e urryer në Bruksel. S’ka dyshim se ajo e ka paramenduar që emërimi i tij do të shkaktonte të qeshura në Uashington. Por ajo nuk e vret mendjen për këtë sepse – ashtu si gjithë udhëheqësit e vendeve të vogla, pa aspirata mbi lidershipin ndërkombëtar – shqetësimet e saj janë më mendjengushta. Ajo nuk ka nevojë për një sekretar të Jashtëm që të merret seriozisht në kryeqytetet e huaja.
Ajo nuk u shqetësua as nga pasojat e mëtejshme të zgjedhjes që bëri. Johnson ka qenë në të shkuarën një provomues i shkëlqyer i Britanisë – një ambasador i madh për Londrën – dhe disa njerëz shpresojnë tashmë se ai do të vazhdojë të luajë atë rol. Por, në artikujt dhe fjalimet e tij të fundit, ai e ka bërë gjithashtu të qartë se aleanca tradicionale e Britanisë – me Shtetet e Bashkuara, me Europën – do të thotë shumë pak për të.
Në vend të kësaj, ai ka flirtuar me putinizmin, vlerësuar Bashar al-Asadin dhe ka frekuentuar gostitë tregtare në Kinë. Admirimi i Johnsonit për diktatorët e pasur i bën jehonë pikëpamjes së shumë figurave kryesore konservatore, madje edhe Xhorxh Osbornit, ish-ministri i sapodorëhequr i Financave. Johnson, Osborn dhe shumë konservatorë britanikë janë tani mjaft të kënaqur me idenë e Britanisë ose ndoshta thjesht Anglisë, si Dubai i Atlantikut të Veriut, Singapori i Hemisferës Perëndimore: një komb i vogël tregtar, një shtëpi offshore për paratë ruse, kineze, malajziane dhe nigeriane, një vend i rehatshëm për oligarkët e të gjitha llojeve – madje edhe me amerikanët, për aq kohë që ata kanë para – dhe shumë larg idealeve të vjetra theçeriane rreth demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Jo rastësisht, Partia Laburiste drejtohet tanimë nga një njeri me pikëpamje të ngjashme. Jeremy Corbin ka disa aleanca të ndryshme. Ai është shfaqur në “PressTV” dhe televizionin shtetëror iranian dhe lidhjet e tij janë me Hamasin dhe Hezbollahun dhe jo Kinën. Por ai është edhe më i çinteresuar ndaj Perëndimit, aleancat e Britanisë me Europën dhe Shtetet e Bashkuara apo në lidhje me ndikimin dhe fuqinë britanike.
Duke pasur parasysh refuzimin e kërkesës së Grupit parlamentar laburist për dorëheqjen e tij, ia vlen të pyetet nëse tek e fundit a interesohet ende për demokracinë parlamentare. Vizioni e tij për Britaninë, në atë masë sa e ka artikuluar publikisht, është ai i një vendi rrënjësisht izolacionist dhe që i vjen turp nga historia e vet. Natyrisht, çështja është nëse Britania mund të ruajë të paprekur demokracinë dhe sundimin e vet të ligjit, në qoftë se asnjë nga udhëheqësit e saj nuk vazhdon të promovojë në mënyrë aktive këto dy elementë.
Sistemi politik britanik tashmë është ndikuar shumë nga paratë e huaja të vendosura në parajsat fiskale dhe që tani rrjedhin në Londër. Grupe të tilla si Miqtë Konservatorë të Rusisë dhe Miqtë Konservatorë Kinezë, ku bëjnë pjesë shumë parlamentarë të shquar, ka lobuar haptazi në emër të këtyre vendeve brenda sistemit politik të Mbretërisë së Bashkuar.
Unë shpresoj shumë ta kem gabim. Por druaj se pa spirancën e Europës, mbledhjet e rregullta me aleatët, peshën e madhe të Gjermanisë, Francës dhe pjesës tjetër, klasa politike britanike do të dëshmohet edhe më e lehtë për t’u blerë se kurrë më parë. Do të ketë ndjesë për agresionin rus në Europën Lindore. Justifikime për agresionin kinez në Detin e Kinës Jugore. Gjithashtu të huajt do të kenë një rol gjithnjë e më të madh mbi ligjet dhe vendimet e marra brenda Britanisë. Kjo është mënyra se si funksionon bota: Nëse nuk përpiqeni më për të vendosur rregullat e lojës, ju duhet të pranoni që ato t’i vendosin të tjerët.

Artikulli paraprakBE: Turqia nuk do të kthejë dënimin me vdekje
Artikulli tjetërSi u organizua prita e vrasjes së tre policëve?