Një bashkëbisedim me Zbigniew Brzezinski, ekspert i politikës ndërkombëtare
Kur ju ishit Këshilltar për Sigurinë Kombëtare i Presidentit Carter, Moska ishte kryeqyteti i Bashkimit Sovjetik. Tani është vetëm i Rusisë. A bëhet fjalë gjithmonë për kryeqytetin e një superfuqie?
Në nivel strategjik, duke folur nga pikëpamja ushtarake, Rusia është Akoma superfuqi, por në nivel taktik nuk është më. Nuk është as edhe nga pikëpamja ekonomike, financiare dhe kulturore. I mungon parasëgjithash dimensioni global i superfuqisë.
Ministri i Jashtëm rus Primakov pëlqen të përsërisë se nevojitet një «pluralizëm gjeopolitik», një mënyrë për të thënë se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të jenë superfuqia e vetme. Jeni dakord?
Që Shtetet e Bashkuara janë aktualisht superfuqia e vetme në botë është një e dhënë faktike dhe nuk shoh se çfarë mund të bëjë Primakov që ta ndalojë një gjë të tillë. Me kalimin e kohës, ndoshta do të shfaqen edhe superfuqi të tjera dhe midis tyre sigurisht shpresoj që të jetë Europa, që do t’i bashkangjitet ndoshta Japonisë, Kinës, Rusisë dhe Indisë. Por shfaqja apo jo e superfuqisë varet nga niveli i zhvillimit të tyre politik dhe ekonomik.
A besoni se disa projekte rindërtimit të Perandorisë Ruse, si plani Surikov, që parashikojnë riintegrimin në Federatën aktuale të pjesëve të ish Bashkimit Sovjetik, prekin interesa jetike të Shteteve të Bashkuara? Dhe, në një rast të tillë, si do të duhet të reagojë Uashingtoni?
Për momentin, Rusia nuk e kërcënon sigurinë tonë dhe, për pasojë, mendoj se duhet bërë çdo përpjekje që ajo të integrohet në komunitetin ndërkombëtar dhe në mënyrë të veçantë të forcojë lidhjen me Europën. Rindërtimi eventual i Perandorisë Ruse mund të influencojë negativisht ndaj interesave amerikane në rast se do të ndodhte me detyrim. Përdorimi i forcës do të nënkuptonte se Rusia është bërë një diktaturë me karakter nacional – shovinist dhe, si e tillë, do të ishte një kërcënim për fqinjët e saj. Prandaj, Shtetet e Bashkuara duhet të mbështesin pluralizmin gjeopolitik në hapësirën ish sovjetike dhe mënyra më e mirë për ta favorizuar është mbështetja e shteteve të rinj të pavarur që synojnë të mbesin të tillë.
Riintegrimi i Bjellorusisë në Federatë duket tashmë një gjë e sigurtë. Është një prelud për rikthimin e Ukrainës dhe të Kazakistanit? Ku duhet të vendosë një limit Perëndimi dhe si?
Në mënyrë shumë të thjeshtë, limiti duhet të jetë kufiri i shteteve të pavarura që dëshirojnë të mbeten të tillë. Ky objektiv është i pajtueshëm me konceptin e pluralizmit gjeopolitik që Perëndimi do të duhet ta favorizojë. Vetëm në këtë mënyrë Rusia mund të bëhet një shtet komb normal europian, duke braktisur ambiciet perandorake.
Sipas jush, cili ka qenë gabimi më i madh i bërë nga Perëndimi ndaj Rusisë në epokën e rënies së Murit të Berlinit? Për shembull, a e mendoni korrekte qasjen e atyre që mbështesnin «terapinë e shokut» në fushën ekonomike?
Sipas mendimit tim dhe këtë e kam shkruajtur më përpara, zbatimi mekanicist i «terapisë së shokut» ndaj Rusisë ka qenë një gabim i madh. Nuk ekzistonin as kushtet politike, as ato ekonomike për zbatimin e një terapie të tillë. Tentativa për të imponuar modele perëndimore ka shkaktuar një reagim të natyrshëm antiperëndimor.
Domethënë nuk është rastësi që të gjithë liderët rusë properëndimorë herët a vonë bëhen jopopullorë ose tentojnë që të ndryshojnë mendim?
Reagimi antiperëndimor dhe antidemokratik në Rusi ishte thuajse i pashmangshëm. Në fund të fundit, kolapsi i fuqisë sovjetike nënkuptonte fundin e hegjemonisë ruse. Kjo ka sjellë një dozë të mirë frustrimi dhe mërie.
Në elitat ruse duket e përgjithshme antipatia ndaj zgjerimit të NATO-s. Në Moskë ka që theksojnë se Uashingtoni do ta përdorë zgjerimin e Aleancës Atlantike në funksion antirus, ashtu si në kohën e tij projekti i mburojës hapësinore u përdor kundër Bashkimit Sovjetik: për të ushqyer një garë armatimesh që do të minonte themelet e ekonomisë dhe të Rusisë si shtet. Nëqoftëse nuk është ky qëllimi, atëhere cila është arsyeja e zgjerimit?
Elitat ruse janë më shumë të preokupuara nga NATO sesa është opinioni publik. Sondazhet e opinionit lidhur me çështjen e zgjerimit demonstrojnë se shumicës së rusëve nuk u intereson kushedi se çfarë gjëja. Në thelb, kuundërshtimi i niveleve drejtuese mbështetet mbi aspirata fuqie. Ekspansioni i Europës nënkupton që Moska do të ketë më pak mundësi për të vendosur një predominim gjeopolitik në Europën Qendrore. Sipas mendimit tim, duhet proceduar me ekspansionin e Europës, ndërkohë që njëkohësisht duhet sqaruar se zgjerimi i NATO-s nuk bëhet në funksion antirus, por në fakt është i finalizuar në ndërtimin e një strukture të vlefshme sigurie për Europën. Ndërtimi i entitetit kontinental europian nuk mund të ndalet përballë kufijsh arbitrarë dhe antihistorikë të hequra në vitin 1945.
Sipas jush, anëtarët e ardhshëm të NATO-s si Polonia duhet të bëjnë pjesë me titull të plotë në klubin atlantik?
Po.
Sipas disa sondazheve të kohëve të fundit në Europën Qendrore demonstrojnë se opinionet publike e këtyre vendeve janë të interesuara për një integrim eventual në NATO, por janë shumë më pak të prirur që të zbresin në fushë për t’u mbrojtur reciprokisht në rast agresioni. E mendoni të mundshme që çekët të luftojnë për polakët dhe anasjelltas?
NATO është një strukturë sigurie kolektive dhe është për këtë që amerikanët nuk pyeten nëse janë të gatshëm apo jo që të japin jetën për Anadollin, por nëse janë të gatshëm që të bëjnë për sigurinë e përbashkët të Europës dhe të Amerikës. I njëjti diskutim duhet t’i zbatohet edhe Europës Qendrore, sidomos nëse Europa një ditë do të bëhet vërtet Europë.
Siç thoshte Lordi Ismay, mendoni se objektivi themelor i NATO-s është akoma ai për të “mbajtur larg rusët, brenda amerikanët dhe të nënshtruar gjermanët”? Në fund të fundit, a nuk mund të mendohet se i gjithë operacioni i zgjerimit është edhe një mënyrë për të kontrolluar dhe kufizuar fuqinë gjermane në Europën Qendrolindore? A mund të ketë në këtë rast një përkim interesash me rusët, apo jo?
Qëllimi kryesor i NATO-s është ai që të krijojë sistemin e sigurisë më të gjerë të mundshëm paralelisht me rritjet e një Europe më të madhe. Ata që i kundërvihen zgjerimit të NATO-s janë në fakt po ata që janë për një Europë të cunguar, të cilës disa do t’i mbesinin pak të sigurta, të përshkuara nga copëzime etnike dhe të ekspozuara ndaj ambicieve perandorake. Një Europë më e gjerë, politikisht më e bashkuar dhe e lidhur nëpërmjet një sistemi sigurie me Amerikën, do të eliminonte në fakt problemin e vjetër e fuqisë gjermane dhe do të krijonte bazat për një sistem marrëdhëniesh të qëndrueshme dhe reciprokisht të sigurtë me Rusinë. Me pak fjalë, Europa e zgjeruar është avantazhuese jo vetëm për europianët, por edhe për amerikanët e për rusët, pasi u vjen përshtat nevojave të sigurisë të të gjithëve.
(nga Limes Nr.2 i vitit 1996)
Përgatiti
ARMIN TIRANA