Shoqëria civile në shërbim të parasë e jo të qytetarëve

Një grup organizatash jo fitimprurëse protestuan sot përpara Kuvendit dhe kërkuan miratimin e reformës në drejtësi.
Edhe pse protesta u etiketua si reagim i shoqërisë civile, u duk se ajo mund të jetë nxitur nga organizata shumë të afërta me qeverinë,  për dy arsye:
Së pari, organizuesi kryesor i protestës ishte Fondacioni Soros.
Drafti i parë i reformës, që u hodh poshtë pjesën më të madhe të tij nga Komisioni i Venecias, u hartua nga ekspertë të këtij fondacioni dhe u mbrojt me këmbëngulje nga Qeveria Rama. Kreu i Komisionit të Posaçëm për Reformën Fatmir Xhafaj, në dhjetor 2015, pranoi publikisht se Fondacioni Soros e ka mbështetur hartimin e draft reformës teknikisht dhe financiarisht.
Financuesi i këtij fondacioni është biznesmeni George Soros, që ka marrëdhënie të afërta me Kryeministrin Rama. Fondacioni ka mbështetur financiarisht dhe dhjetëra projekte e nisma të tjera të qeverisë.
Së dyti, pothuajse të gjitha organizatat që protestuan sot financohen nga Fondacioni Soros.
Asnjë prej këtyre organizatave nuk kanë mbajtur qëndrime të mëparshme për çështje po kaq të rëndësishme të kohëve të fundit. Shumë prej atyre që protestuan sot kanë në qendër të vëmendjes të miturit, fëmijët jetimë, të rinjtë apo gratë. Asnjë prej tyre nuk ka mbajtur qëndrime publike apo ka marrë pjesë në protestat e shumta organizuar kundër dhunës fizike e seksuale ndaj jetimëve në Shkodër, ndaj dhunës e shkeljeve së të drejtave të jetimëve në Sarandë apo ndaj rasteve të shumta të dhunës ndaj grave të bëra publike kohët e fundit.
Disa prej organizatave mjedisore, të pranishme sot, nuk kanë mbajtur asnjë qëndrim publik për betonizimin e parkut të Liqenit apo për ndërtimin e parkimeve në hapësirat e gjelbërta të Tiranës (rasti i parkut Rinia), projekte këto të Kryeministrit Rama e Kryebashkiakut Veliaj. Ata nuk i janë bashkuar nismave të grupeve të tjera e qytetarëve aktivistë që prej muajsh po ngrenë zërin për shkatërrimin e gjelbërimit në Tiranë e qytete të tjera.
Këto organizata, me shumë gjasa ju bashkuan protestës së sotme të Fondacionit Soros, pasi mbijetesa e tyre varet direkt nga financimi prej Sorosit.

Artikulli paraprakIsh të përdjekurit: Të hiqen nga gjykatat ish-hetuesit komunistë
Artikulli tjetër13 akuzat e Italisë për vëllain e Fatmir Xhafës si trafikant droge