Fitimet që kompanitë me kapital të huaj në Shqipëri kanë transferuar në vendet e tyre të origjinës në tre muajt e parë të këtij viti, kanë shënuar rënie të ndjeshme në muajt e parë të këtij viti. Sipas statistikave të bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë, në janar-mars 2016, kompanitë e huaja transferuan 36 milionë euro, nga 69 milionë euro në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rënie të ndjeshme prej 45%.
Ulja e fitimeve të bankave duket arsyeja kryesore që ka ndikuar në këtë tendencë. Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave për vitin 2015, fitimi i sistemit sipas standardeve ndërkombëtare (IFRS, në bazë të së cilit deklarojnë tek tatimet) shënoi një rënie të ndjeshme, nga 12.2 miliardë lekë në 2014-ën, në 4.9 miliardë lekë në 2015-ën. Edhe kompanitë celulare kanë raportuar fitime më të ulëta, si rrjedhojë e maturimit të këtij tregu.
Situata është krejtësisht e ndryshme nga dy vitet e kaluara, kur transferimi i fitimeve nga kompanitë e huaja shënoi një rritje të ndjeshme. Në 2015-ën, të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se sipërmarrjet e huaja transferuan jashtë vendit 238 milionë euro, me një rritje prej 11% në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2014. Në krahasim me 2013-ën, fitimi i transferuar u trefishua.
Bankat (14 prej të cilave janë me kapital të huaj, nga 16 gjithsej) dhe dy kompanitë e mëdha të telekomunikacionit janë ndër sipërmarrjet më fitimprurëse në vend, që një pjesë të ndjeshme të tij e transferojnë te mëmat e tyre jashtë Shqipërisë. Shumat e larta që ato transferojnë kanë ndikuar shpesh edhe në zhvlerësimin e ndjeshëm të lekut, pasi rrisin kërkesën për euro.
Niveli i ulët i transferimit të fitimeve në tre muajt e parë të këtij viti, ka bërë që dhe monedha vendase të jetë relativisht e fortë, ku një euro ka zbritur në rreth 138 lekë.