Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje pasditë në Vlorë, ku një i mitur ka rënë nga kati i katërt i pallatit duke marrë plagë të rënda. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se incidenti ndodhi dje rreth orës 19:00, në lagjen “Isa Boletini” të qytetit bregdetar, pranë konviktit të Universitetit “Ismail Qemali”. Mësohet se 4-vjeçari me inicialet J.I., ka rënë në tokë nga kati i 4-rt i pallatit dhe është dërguar menjëherë në Spitalin Rajonal të Vlorës, por për shkak të dëmtimeve të marra është nisur drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.
Ndërkohë, dyshohet se ngjarja ka ndodhur aksidentalisht, pasi fëmija ka rënë nga ballkoni i banesës në të cilën jetonte. Bëhet e ditur se, grupi hetimor ka shkuar në vendngjarje dhe po kryen veprimet e mëtejshme.
Po ditën e djeshme është aksidentuar rëndë një fëmijë 8-vjeçar në qytetin e Kavajës. Sipas burimeve, fëmija është përplasur nga një automjet në rrugën e fshatit Greth i Mesëm. 8-vjeçari është dërguar menjëherë në Spitalin e Durrësit dhe ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.