Më shumë se 4100 të arrestuar nga Interpoli për bastet e paligjshme gjatë Euro 2016. Ditët e fundit, Interpoli ka kryer arrestime të shumta në 11 vende, kryesisht në Azi, por dhe në disa vende të Europës, përfshi Italinë, Greqinë dhe Francën duke sekuestruar dhe 13.6 milionë dollarë në vazhdën e dy operacioneve masive policore, që kishte si objektiv qendrat dhe faqet e internetit ilegale të basteve sportive në Azi dhe Europë. Sipas asaj që raporton vetë Interpoli, shumë pika të jashtëligjshme bastesh janë mbyllur në vendet e lartpërmendura, por dhe Singapor, Malajzi, Tajlandë dhe Vietnam, të cilat kishin qarkulluar një xhiro prej 649 milionë dollarësh gjatë zhvillimit të Europianit në Francë.
Ky është cilësuar si një nga operacionet më të mëdha të të gjitha kohërave, sidomos në Azi, ku tregu i basteve të paligjshme është rritur në mënyrë të ndjeshme në vitet e fundit. Sipas drejtuesve të Interpolit, këto lloj bastesh prodhojnë të ardhura për rrjetet e organizuara krimininale, të cilat shpesh janë të lidhura me korrupsionin, trafikun e qenieve njerëzore apo pastrimin e parave. Falë këtyre dy aksioneve policore të Interpolit, kanë mundur të mbyllen rreth 3400 pika bastesh të jashtëligjshme, të cilat mendohet se kanë qarkulluar deri në 6.4 miliardë dollarë në ndeshjet e ndryshme të sportit apo garave me qen.