Fjalë, imzot, fjalë…

Balil GJINI

Po. Kështu ishte zoti Rama. Ju, kur u betuat në Parlament, thatë se fjala e qeverisë do të ishte puna, kurse puna e opozitës do të ishte fjala. Në fakt, gjatë këtyre gjashtë viteve ju jeni shndërruar në një mulli që rreh krahët në erërat e propagandës, dhe blun në mokrrat e gurta kallzat e verdha të fjalëve. “Fjalë, imzot, fjalë!” – kështu i përgjigjet Hamleti Pollonit, kur e pyet se çfarë po bënte. Por le ta themi hapur: Hamleti shrirrej si i marrë, ju, me ç’duket, jeni i tillë me të vërtetë.

Asnjëherë fjalët s’kanë qenë kaq të shkëputura nga sendet dhe objektet që përfaqësojnë, sesa në ligjërimet tuaja. Dihet se sendet i krijoi Zoti . Ai, në të madh të vet, thoshte “kun!” (“të bëhet!”), dhe sendi buiste nga Hiçi. Emërtimet ia la në dorë Adamit. Kësisoj lidhja është arbitrare. Kur ti thua mace (në këtë rast se kam fjalën për mackat e kabinetit qeveritar, por për një mace reale), në kokën tënde ka ndodhur një plojë: macja në kokën tënde vinte si imazh, domethënë e ngordhur. Jo më kot Blanchot ftillon se sa herë shqiptojmë një fjalë ne bëjmë një vrasje. Jo më kot edhe shumë njerëz të penës, që i njohin këto huqe të fjalës, para se të fillojnë të shkruajnë, nomatisin e yshtin letrën e bardhë.

Po si kështu mor, zotëri? Ç’u bënë fjalët “Shok”, “vëlla”, “ekip”, fjalë atletike të veshura me kilota e bluza sportive, që synonin të na i paraqitnin qeverinë të re, të freskët, tamam si dikush që e ka zhytur surratin mu tek burimi i kultit të rinisë së përjetshme. Ky kult do të fillonte të ushqehej duke përdour si biberon fjalët «risi» dhe «novitet», fjalë të huajtuara nga fusha e artit dhe s’kanë shumë lidhje me politikën. Po nejse! E kemi fjalën në çfarë lëndine leksikore kullotin tani këto fjalë, çfarë ujqsh të murmë u rrinë në shteg, ç’humnerë I pret përpara!

Zotëri, ju që e mbani veten pasues të Konicës e Nolit, duhet t’ju vijë disi turp kur flisni kësisoj. Sepse tek ju kemi parë veçse personazhet e Konicës, ata doganierë që lëpijnë gishtat nga lyshtra e korrupsionit, ata administratorë allaturka që ishin të gatshëm të fusnin panxhat e duarve në xhepat e gjithkujt. Ju, në fakt, na jeni shfaqur me pamjen dhe aletet e një masterchefi kuzhine, që, i zbrazni fjalët nga rropullitë e tyre, ashtu siç zbrazin ata një speckë të kuqe nga farërat dhe të brendshmet. Tani mbi parvazin e buzëve tuaja s’rrinë më fjalët koketa, që tundin këmbë nazike, me buzët e lyera me të kuq, por fjalë që e kanë ngjyer trupin me zift të zi: fjalët burg, arrestim.

Personazhet më interesantë në dramat e Shekspirit janë Lolot. Buzët e tyre të hapura nga e qeshura janë humnera dhe varri i çdo situate tragike. Flasin allasoj, vishen allasoj (përgjasimi juaj me ta është tëpkë). Lolot, ose kllounët, thonë edhe fjalë të mençura , por, ama, në thelb, mbeten kllounë. Në të vërtetë zoti Rama, tek ju ka diçka kontraverse: sa kuturisnit të ishit artist, shtirreshit si politikan, tani që jeni politikan, shtirreni artist. Populli ju besoi votat dhe ju dha skeprin e mbretit, ju mbani në dorë kapelen e Lolos. Por vjen një kohë që kjo kapele s’shkakton dot më magjira. Koha e kllounizmit mbaron dhe kapelja zgjatet përpara për të kërkuar mëshirë, a ndjesë…

Artikulli paraprakPresidenti Meta diskuton dekretin për datë të re të zgjedhjeve
Artikulli tjetërPas largimit të Këshillit të Europës, vetëm 178 vëzhgues për 5600 qendra votimi