Grupi parlamentar demokrat ka qendrim unanim në lidhje me Reformën në Drejtësi. Kryetari i PD, Lulzim Basha mblodhi pasditen e djeshme grupin e deputetëve demokratë ku u diskutua në lidhje me negociatat e orëve të fundit mbi reformën në drejtësi. Pas mbledhjes në një prononcim për mediat, Basha vuri theksin tek rëndësia që ka shmangia e çdo keqpërdorimi politik në lidhje me Reformën në Drejtësi nga çdo palë politike.
“Mbledhja e grupit ka qënë një mbledhje jashtëzakonisht produktive ku grupi ka rrahur mendimet mbi situatën aktuale. Është informuar për marrëveshjen e djeshme dhe për fatin e keq pengesat e nxjerra pas arritjes së marrëveshjes në momentin e finalizimit të saj. Është informuar për qendrimin e Partisë Demokratike, timin, për vazhdimin e negociatave për të zgjidhur këto dy çështje si dhe vullnetin tonë për ta bërë këtë, nëse palët bien dakord, në sytë e opinionit publik, në mënyrë që të shmanget çdo politizim, çdo keqpërdorim politik në këtë fazë të fundit dhe shumë të rëndësishme të Reformës në Drejtësi nga cilado palë. Ndonëse është e qartë se cila palë e përdor reformën për kapital politik dhe për reformë elektorale, dhe cila palë po bën gjithçka për një reform që tu shërbejë shqiptarëve dhe jo partive politike” tha Basha për mediat.
Kreu i PD shprehu vullnetin pozitiv të Partisë Demokratike për të gjetur një zgjidhje të prirur jo nga bllokimi por nga vota konsensuale. “Ndaj mund tu them se qendrimi i grupit është unanim, është koheziv. Partia Demokratike është për miratimin e kësaj reforme, është pro draftit kushtetues bazuar mbi propozimin hibrid me të gjitha rakordimet e mbrëmshme dhe është gati që dy çështjet e shtruara në çastin e fundit ti diskutojë për ti dhënë zgjidhje. Ky është një vullnet pozitiv i cili priret nga zgjidhja dhe jo nga bllokimi, nga vota konsensuale si vota që meritojnë shqiptarët për Reformën në Drejtësi dhe jo nga skemat politike që dëmtojnë themelin e shëndoshë mbi të cilin duhet të qendrojë kjo reformë” u shpreh kryetari i PD.
-Po nëse nuk marrin zgjidhje…?
Tani, sot është e martë pasdite. Sonte, nesër gjatë gjithë ditës ne qendrojmë të hapur për negociata. Ne qendrojmë fuqimisht në parimet e shpallura botërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Bashkimi Europian, nga Komisioni i Venecias dhe jemi gati të ofrojmë, të kërkojmë dhe të pranojmë zgjidhje të argumentuara në bazë të kësaj kornize parimesh fare të qartë. Jemi shumë afër ndaj nuk jam pesimist. Sepse po të kishim malin e problemeve me të cilin u përballëm muaj më parë do të thoja që kjo është një reformë drejt dështimit. Sot u them se kjo është një reformë drejt miratimit. Por Partia Demokratike i bën thirrje maxhorancës që së bashku, njëra palë e ka bërë ftesën, dhe pala tjetër ta pranojë këtë ftesë, të ulemi dhe të gjejmë zgjidhjen përfundimtare për çështjen që e mban në mënyrë absurde peng konsensusin, çështje e akorduar dje. Por nëse kanë të tjera argumente le ti konfrontojnë këtu dhe po të duan edhe publikisht, nëse nuk duan në formatin e negociatave sepse shqiptarët meritojnë një zgjidhje konsensuale dhe Partia Demokratike dhe unë jam këtu për ti dhënë shqiptarëve një zgjidhje konsensuale të Reformës në Drejtësi.
-Keni pasur edhe kritika brenda grupit, sepse ne i marrim informacionet, dhe ndoshta kanë kritikuar për dëmtim të marrëdhënieve të PD-së me ndërkombëtarët?
Për fat të keq informacionet mbërrijnë të shtrembëruara. Shqetësimi i Partisë Demokratike është një shqetësim legjitim për shkak të keqpërdorimit që i është bërë kësja reforme. Tani po mundohem të vetëpërmbahem që të zbatoj në mënyrë vullnetare moratoriumin në këtë orë të rëndësishme dhe të ftoj maxhorancën për reflektim. Por qendrimi i Partisë Demokratike është koherent dhe unanim. Hiqeni nga mendja se është ndryshe.
-Z Basha, ka pasur edhe shqetësime në grup për qendrimin e SHBA-ve. Z Lu është shprehur i zhgënjyer, sipas tij nga qendrimi jo koherent i opozitës…
Qendrimet tona janë koherente. Ky është një debat që padyshim jam i gatshëm ta vazhdoj me partnerin tonë strategjik por ne dje kemi pranuar propozimet e partnerit tonë strategjik dhe presim që marrëveshja të shkojë drejt miratimit dhe jo drejt abortimit, me trupe apo me përparime që nuk i mbështesin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk i mbështet Bashkimi Europian dhe nuk i mbështet Partia Demokratike si partia e themeluar mbi vlerat euroatlantike. Ne mbështesim pikërisht këto vlera dhe në bazë të këtyre vlerave jam i sigurtë që me negociata do ti japim përfundimin dhe lajmin e mirë shqiptarëve.
-A është një po e lumtur kjo?
Është pak herët. Ky është vullneti im por duhet edhe vullneti i dy palëve të tjera.