Mesazhi i Ramës për negociatorin

Bledi KASMI

Kur gjithçka ishte përmbyllur me konsensus për draftin e Reformës në Drejtësi, në orët e para të mëngjesit të së martës, negociatori i Ramës merr një mesazh. Negociatori e kishte informuar shefin e tij në Kryeministri për konsensusin e arritur, duke i thënë me entuziazëm dhe i gëzuar se të gjithë kishin rënë dakort me draftin dhe se tani kishte mbetur vetëm që ai të votohej në Parlament dhe në këtë mënyrë zgjidhnim edhe punën e kërkuar nga SHBA e BE.
Ndërsa priste përgëzimin për punën që kishte bërë vjen surpriza e orës 1 të mëngjesit. Negociuesi la pjatën e makaronave të ngrohta që kishte nisur të hante bashkë me negociatorët e tjerë dhe filloi të lante sytë dhe t’i hidhte kokës ujë me akull.
Mesazhi nuk ishte aspak përgëzues dhe niste me një zemërim të madh. “Dëgjo o plehrë, se me atë që ke bërë sonte po më prish me të gjithë miqtë e mi që shpresonin tjetër gjë nga unë. Nuk të çova aty o idiot që të zgjidhësh punë, por ta ngatarrosh më shumë punën. Nuk të çova të shuash zjarrin e debatit, por t’i vësh tritolin atij vendi. Me këtë që ke bërë sonte do të merrem më vonë dhe për këtë sapo i telefonave edhe Armandos që të merret me ty të enjten në Parlament kur të vijë për Reformën në Drejtësi dhe do të shkosh e të hash një drekë andej nga Laguna e Patokut sapo ai të votojë reformën. Por, tani ke dy mënyra për të ndrequr këtë që ke bërë”.
Negociuesi që kishte filluar t’i dridheshin duart nxiton dhe e pyet; Çfarë të bëj shef? Mënyra e parë është që në atë draft konsensusi që ke gjetur ti me ata të tjerët të shtosh pretendimin më të çmendur që mund të prodhojë një mendje njerëzore mbi këtë tokë.
Cila është kjo shef? E pyet negociatori, të cilit në ato momente filluan t’i dalin djersë të ftohta. Përgjigja vjen menjëherë me sms-në e radhës. “Do t’u thuash atyre që në draft të shtojnë kërkesën që ekspertët ndërkombëtarë do të kenë të drejtën që të përjashtojnë kur t’u teket dhe si t’u ngrehet çdo gjyqtar apo prokuror nga çdo aplikim që ata bëjnë dhe të mos i tregojnë askujt se përse e kanë bërë këtë. Pasi ta vendosësh këtë kriter të ri do të shtosh edhe një tjetër. Do të heqësh me ligj çdo të drejtë që ndokush në këtë vend të mund të ankimojë këto dy pika të draftit në Strasburg. Kuptove, o idiot. Që ta shpjegoj më thjeshtë; Drafti i Reformës në Drejtësi duhet të jetë në kundërshtim të plotë me Gjykatën e të Drejtave të Njeriut që gjykon në Strasburg. Pra, është si pushkatimet pa gjyq. I ekzekutojmë pa i treguar askujt se pse e morëm këtë vendim. Kështu bënte edhe im atë Kristaqi o torrollak që nuk njeh as historinë”, përfundonte mesazhi i Ramës për negociuesin e tij.
Tani puna ka mbetur pikërisht tek ky mesazh. Si do të zgjidhë opozita këto dy pika. Që drafti i Reformës në Drejtësi të shkelë të Drejtat e Njeriut dhe që ekspertët të shkarkojnë kë të duan dhe kur të duan pa i dhënë askujt llogari. Sa për protestën për reformë urgjente në drejtësi, me organizimin e saj po merret gruaja e Kosta Bajrabës të dënuar në SHBA për vjedhje në supermarket.

Artikulli paraprakTë dënuar në SHBA protestojnë në Tiranë për Reformën në Drejtësi
Artikulli tjetërFaqja e parë