Nga John Psaropoulos
Vëzhguesit ndërkombëtarë thanë se zgjedhjet vendore në Shqipëri u mbajtën pa respektin e duhur për interesat e elektoratit. Vlerësimi paraprak kritik erdhi të hënën nga ambasadorja Audrey Glover, e cila udhëhoqi misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim.
‘Opozita vendosi të mos marrë pjesë dhe qeveria vendosi të mbajë zgjedhjet pa të. Në një klimë tensioni dhe polarizimi politik, votuesit nuk kishin një zgjedhje kuptimplotë mes opsioneve politike,’ tha Glover.
Misioni i OSBE do të punojë dy muaj për të mbledhur akuzat për mashtrim zgjedhor dhe shkelje, por disa prej tyre kanë nisur të dalin që tani.
Në qytetin verior të Shkodrës, pranë kufirit me Malin e Zi, kryebashkiakja Voltana Ademi tha për Al Jazeera se kishte mbledhur dëshmi të komisionerëve zgjedhore që votonin në emër të njerëzve të tjerë.
‘Komisionerët telefonuan familjet dhe individët që njihnin dhe u kërkuan numrat e kartave të identitetit… për të mbushur fletët e votimit që kishin dhe për të votuar për ta. Dhe ata nënshkruan në emër të tyre,’ thotë Ademi.
Ademi tha se beson se punonjësit e shtetit në shkolla dhe spitale, si dhe policia dhe shërbimi civil, u detyruan të votonin.
‘Ata duhej të votonin për t’iu bindur një urdhri që ishte dhënë ndaj tyre,’ thotë ajo. ‘Ata fotografuan votën, por pati edhe prej atyre që kanë shkruar: na detyruan ta bëjmë këtë’.
Pjesëmarrja e ulët
Që nga rënia e komunizmit në vitin 1990, Shkodra ka qenë bastion i Partisë Demokratike, tani në opozitë. Meqenëse demokratët bojkotuan zgjedhjet të dielën, këtu kishte vetëm një kandidat të Partisë Socialiste të pakundërshtuar.
Nëse qeveria i detyroi punonjësit e shtetit për të votuar, taktika të tilla ishin kryesisht joefektive. Sipas komisionit zgjedhor, më pak se 10 përqind e votuesve të regjistruar kanë dalë të votojnë dhe më pak se 7 përqind sipas një raporti komunal.
‘Njerëzit refuzuan dhe kjo është e mrekullueshme. Kjo nuk është politike, është qytetari dhe për këtë arsye ndjehem e lumtur sot,’ thotë Ademi.
Megjithëse rezultati i zgjedhjeve nuk ishte në dyshim- kandidatët socialistë nuk kishin kundërshtarë në 31 bashki dhe ishin përballë kundërshtarëve të dobët në 30 të tjera- pjesëmarrja e votuesve sugjeron se qeveria nuk ka motivuar as bazën e saj.
Edhe në bastionet socialiste si në kryeqytetin, Tiranë, dhe në qytetin port të Vlorës, pjesëmarrja ishte vetëm 26 dhe 21 përqind, respektivisht.
Politikë e fragmentarizuar
Pjesëmarrja e ulët është një frenim për prestigjin personal të kryeministrit socialist, Edi Rama, i cili injoroi një dekret të lëshuar nga presidenti Ilir Meta, që anulonte zgjedhjet e 30 qershorit dhe parashikonte 13 tetorin si datë të votimeve.
‘Le ta pranojmë, këto zgjedhje në aspektin se si duhej të ishin, nuk ishin më të mirat për vendin,’ tha Edi Rama në një intervistë ekskluzive për Al Jazeera në ditën e zgjedhjeve.
Ai fajësoi opozitën, e cila ka bojkotuar parlamentin që nga shkurti dhe ka nisur demonstrata në rrugë në përpjekje për të larguar Ramën, që thotë se i ka shkruar shtatë herë liderit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke kërkuar dialog.
‘Gjëja më e mirë që opozita mund të bëjë, është që të reflektojë dhe të kuptojë se politika ka të bëjë me idetë dhe lidershipin, nuk ka të bëjë me dhunën dhe pengesat. Sepse mund të dëmtosh vendin, por nuk mund të fitosh asgjë,’ tha Rama.
Basha, që e konsideron qeverisjen e Edi Ramës si të korruptuar, është i zemëruar që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian duket se janë bërë me Ramën duke i parë këto zgjedhje lokale si legjitime.
‘Kjo është një situatë shumë e rrezikshme,’ tha Basha për Al Jazeera.
‘Të ndjehesh i tradhtuar nga ato institucione, vlerat e të cilave i aspirojnë shqiptarët, është një zhvillim shumë i rrezikshëm. Kjo potencialisht mund të çojë në trazira civile, në turbullira sociale… nëse nuk ka një dënim të qartë të farsës që ka ndodhur tashmë’.
Pyetja e BE
Shqiptarëve në të dyja anët e ndarjes politike u duket i pakuptimtë ky rebus kushtetues.
‘Është e drejta e qytetarëve që të votojnë. Nuk e përfshij veten në politikë shumë, dhe nuk e di se çfarë ka thënë presidenti, por sot ishte dita e zgjedhjeve dhe erdha për të votuar,’ thotë rrobaqepësja Majlinda Beqiraga, që votoi për kryebashkiakun socialist të Tiranës të dielën. ‘Nëse ka zgjedhje të tjera, do të votoj përsëri,’ tha ajo për Al Jazeera.
Avokatja Mirlinda Colago, e cila nuk ka votuar kurrë për socialistët, tha se zgjedhjet e së dielës kanë dëmtuar imazhin e Shqipërisë, ndërsa vendi po përpiqet që të hapë bisedimet e anëtarësimit me BE-në.
‘Procesi i integrimit në BE në thelb ka të bëjë me standardet, me respektimin e rregullave, me një shtet normal, të qeverisur nga një qeveri normale. Në të gjithë gazetat e huaja mund të shohësh se si mafia shqiptare po qeveris Shqipërinë. Kjo është një situatë e tmerrshme’, thotë Colago.
Deputetja Rudina Hajdari, fajëson gjeneratën postkomuniste të politikanëve për nxitjen e demokracisë drejt mosfunksionimit.
‘Kjo është kriza e një klase politike që ka luftuar 30 vitet e fundit për të vazhduar të jetë në pushtet,’ thotë ajo.
‘Ne me të vërtetë duhet të përqendrohemi për të treguar se jemi gati për të hyrë në BE dhe se po ecim përpara si vend. Por kriza politike e përkeqëson këtë panoramë, kur sheh protesta të dhunshme dhe një klasë politike që nuk duket se po e gjen gjuhën e përbashkët’.
‘Votuesit ndjehen të papërfaqësuar nga kjo klasë politike,’ shton ajo.
Kriza kushtetuese
Presidenti Meta thotë se vetëm Gjykata Kushtetuese mund të vendosë nëse ai ka të drejtën për të anuluar zgjedhjet e qershorit.
Kjo gjykatë nuk pritet të mblidhet deri në vjeshtë, sepse shumica e gjyqtarëve në Shqipëri janë pezulluar në pritje të një hetimi për financat e tyre. Verifikimi është pjesë e një reforme gjyqësore, të cilën qeveria e Ramës e kaloi me mbështetjen e BE dhe SHBA.
Por kryetarët e bashkive e përfundojnë mandatin zyrtarisht më 13 gusht dhe dy duzina prej kryebashkiakëve opozitarë kundërshtojnë të lëshojnë zyrat për fituesit e zgjedhjeve të së dielës, pasi nuk e njohin ligjshmërinë e tyre. Rama ka për synim të zbatojë rezultatin.
‘Nuk dëshiroj që të bëhen qesharakë deri në atë pikë, por nëse e bëjnë, ky do jetë problemi i tyre,’ tha ai për Al Jazeera. ‘Kjo nuk mund të ndodhë, dhe nëse sigurisht ndodh, ata do të përballen me ligjin’.
Ademi tha se prokurori i Shkodrës ka nisur tashmë procedimin ndaj saj, që mund të çojë në arrestimin dhe burgosjen e saj.
‘Në momentin ku jemi, zëri duhet të merret nga njerëzit dhe lëvizjet duhet të ndërmerren nga populli. Si politikanë, ne kemi bërë gjithçka duhej bërë,’ tha ajo.
‘Nëse qytetarët e Shkodrës refuzojnë të kenë një regjim, ata do e gjejnë një rrugë në fund, për të luftuar regjimin’.
Përgatiti: Mapo.al