Ledian Memushaj nxjerr veten nga merkato dhe i premton besnikëri Pescarës. I intervistuar nga gazeta italiane “Corriere dello Sport”, mesfushori foli për interesin e disa klubeve të Serisë A, mes të cilëve edhe Bologna. 29-vjeçari që shkëlqeu me kombëtaren shqiptare në finalet e Euro 2016 u shpreh i lumtur në skuadrën abruceze. Sipas Memushajt “për aq kohë sa klubi e deklaroi të pashitshëm kjo do të thotë se ai mbetet një element i rëndësishëm i Pescara-s”.
Mesfushori kuqezi shtoi se, “asnjëherë nuk ka dashur të largohet nga ‘delfinët’, pasi ndihet mirë me klubin, shokët e ekipit dhe tifozët”. “Nuk kam asnjë arsye përse duhet të largohem”, tha Memushaj.
Me këto fjalë, vlonjati largoi të gjitha dyshimet rreth së ardhmes së tij, me klubin që i ka përgatitur rinovimin e kontratës, ndërsa pretendon të paktën 4 milionë euro për ta shitur mesfushorin. Ledian Memushaj konfirmoi se mbetet i përqendruar te projekti i Pescara-s dhe tashmë mund të punojë i qetë për debutimin me skuadrën në Serie A italiane.