Lamtumira e Pogba

Juventus në kërkim të zëvendësuesit të Paul Pogba. Lamtumira e francezit nga bardhezinjtë duket se është çështje ditësh dhe nisur nga ky fakt drejtuesit e klubit bardhezi kanë nisur punën e tyre për të kërkuar një mesfushor tjetër. Andre Gomes i Valencias pritej të ishte zyrtarizimi i radhës i kampionëve të Italisë, por në fakt nuk do të jetë kështu, pasi portugezi pritet të kalojë në radhët e Realit të Madridit. Në listën e drejtorit sportiv të Juventusit, Beppe Marotta janë gjithashtu dhe Axel Witsel, Moussa Sisoko, William Carvalho e Lucas Biglia. Belgu Witsel, i cili kërkohet edhe nga skuadra e Napolit, pavarësisht cilësive që ai ka nuk është prioriteti numër një i “Zonjës së Vjetër”, pasi në ditët në vazhdim Marotta do të ketë një takim me drejtuesit e Chelsea, për të folur në lidhje me të ardhmen e mesfushorit Nemanja Matiç, i cili duket se nuk është më në planet e trajnerit Antonio Conte.
Po në Angli, kampionët e Italisë kanë një tjetër takim me skuadrën e Newcastle. Francezi Moussa Sisoko, i cili ishte një nga më të mirët e kombëtares së Bluve në finale kundër Portugalisë, shihet si një përforcim cilësor, por problem mbetet shuma që duhet paguar për të pasur në dispozicion shërbimet e 26-vjeçarit. Trajneri Raffa Benitez duket se nuk dëshiron ta largojë futbollistin për një shumë të vogël, pavarësisht se këtë sezon skuadra e tij do të luajë në kategorinë e dytë angleze. Për Lucas Biglia Presidenti Lotito kërkon 30 milionë euro. Largimi i mundshëm i Pogba do të krijonte një hapësirë të madhe për mesfushën e Juventusit, por me paratë që do të sigurohen nga shitja e tij, transferimi i një lojtari cilësor duket se nuk do të jetë problem.
Tani luhet me letra të hapura. Tratativa mes Juventusit dhe Manchester United për Paul Pogba ka nisur zyrtarisht dhe mund të mbyllet shumë shpejt. Lajmi i ditës ka të bëjë me dëshirën e mesfushorit francez, që ka vendosur për t’i dhënë lamtumirën fanellës bardhezi. Nëpërmjet agjentit të tij Mino Raiola, Pogba iu ka komunikuar drejtuesve të Juventusit se ka si qëllim të pranojë ofertën e ish-skuadrës së tij. Pogba dëshiron të shkojë dhe në këtë mënyrë bie një nga kolonat e rezistencës bardhezi, me drejtuesit e Juves që më parë kishin deklaruar, “Pogba është i pashitshëm për ne, të paktën derisa të mos jetë vetë ai që të na kërkojë ta lëmë të lirë”. Ky moment tani ka ardhur, Pogba nuk i ka rezistuar thirrjes së Jose Mourinhos dhe mbi të gjitha joshjes së shumë milionave. Për këtë arsye Juventusi nuk mund të bëjë gjë tjetër veçse të pranojë ofertën e anglezëve, me objektivin për të shfrytëzuar sa më shumë që të jetë e mundur investimin e goditur që bëri kur e bleu Pogba vetëm për 1 milion euro 4 vjet më parë.
Pogba ka dalë hapur pasi ka arritur akordin me anglezët, kontratë 5-vjeçare me një pagë prej 12 milionë eurosh neto plus një tjetër në formë bonusesh në sezon, bashkë me të drejtat e imazhit do të fitojë 20 milionë euro në vit. Te Juventusi fiton 6 milionë në total bashkë me bonuset. Diferenca është e dukshme. Një tjetër sinjal, para se të nisej drejt Francës, Pogba kishte lënë shtëpinë që kishte në zonën e stadiumit “Olimpico”, duket se që atëherë kishte diçka të tillë ndër mend. Manchesteri është gati të ofrojë 125 milionë euro për lojtarin, prej të cilave 100 milionë do të shkojnë në arkat e Juvenutist, ndërsa 25 milionë shkojnë në xhepat e Pogba. Kjo pasi mesfushori dhe klubi bardhezi kanë një marrëveshje xhentëlmenësh në bazë të së cilës, Pogba në rast shitjeje përfiton 20 për qind të shumës.

Artikulli paraprakHysaj: Europiani? Një eksperiencë fantastike
Artikulli tjetërKomiteti Olimpik pret vendimin e KAS