Komiteti Olimpik Ndërkombëtar vendosi për të mos vendosur. “Bomba” e raportit McLaren që provoi akuzën e dopingut shtetëror rus pritej që të sillte përjashtimin e Rusisë nga Lojërat Olimpike Rio 2016, por Komiteti Olimpik Ndërkombëtar vendosi që ta shtyjë këtë vendim në kërkim të rrugëve të sigurta ligjore. Kështu përsa i përket pjesëmarrjes së atletëve rusë në Lojërat Olimpike më parë Komiteti Olimpik do të vlerësojë me vëmendje raportin e WADA-s, Agjencisë Botërore të Antidopingut, për të parë nëse ekziston mundësia që një dënim kolektiv të prevalojë mbi të drejtat individuale.
Në fakt edhe qëndrimi i zyrtarëve rusë është mbështetur fort në këtë pikë, pasi pavarësisht dopingut masiv, autoritetet ruse pretendojnë se do të ishte diçka e padrejtë që me përjashtimin e gjithë vendit nga lojërat t’u hiqej e drejta për të garuar edhe sportistëve rusë që janë të pastër dhe nuk kanë rezultuar me doping. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar tani do të presë edhe vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, që i duhet të shprehet për apelin e atletëve rusë kundër Federatës Ndërkombëtare të Atletikës që vendosi përjashtimin në total të të gjithë atletëve rusë nga Olimpiada.
Vendimi i KAS do të jepet këtë të enjte, ndërkohë që Komiteti Olimpik Ndërkombëtar i ka kërkuar WADA-s t’i vërë në dispozicion emrat e atletëve rusë që janë përfshirë në manipulimin e ekzemplarëve të testeve antidoping. Ndërkohë është vendosur që të mos ju jepen akreditime për në Rio asnjë prej zyrtarëve të përfshirë në raportin e WADA-s, si dhe të mos jepet e drejta për organizimin e asnjë eventi sportiv në territorin rus deri në fund të vitit, duke ju kërkuar gjithë federatave ndërkombëtare të pezullojnë përgatitjet për eventet e mëdha në Rusi.
Fokusi tani zhvendoset mbi organizimin e Botërorit të Futbollit më 2018. Komiteti i Etikës në FIFA mund të marrë masa ndëshkimore për ministrin rus të Sportit, Vitaly Mutko. Në një komunikatë FIFA konfirmoi se i ka kërkuar Agjencisë Botërore të Antidopingut të gjitha informacionet në lidhje me çështjet e dopingut në futbollin rus. Pasi të marrë këto informacione FIFA do të ndërmarrë hapat e nevojshëm. Mutko është nën hetimin e FIFA-s pasi është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, si dhe kryetar i Komitetit Organizator të Botërorit 2018.
Gjithashtu ka filluar verifikimi për zyrtarët rusë të përmendur në raportin e Dr. Ricard McLaren, të pezullohet ministri rus i Sporteve, Vitali Mutko nga Olimpiada e Rios, i kërkohet z. McLaren të vazhdojë zbulimin e këtij skandali duke inkurajuar çdo anëtar të federatës ruse e zyrtarë që të ndihmojnë në këtë proces. Gjithsesi për një pezullim të të gjithë ekipit rus në Olimpiadë do të pritet interpretimi i rregullores nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv ditën e enjte.