Presidenti Meta takohet me kongresmenin Engel…

Presidenti i Republikes Ilir Meta ka takuar në Tropoje Kongresmenin Eliot Engel gjatë një ceremonie të vndosjes së emrit të rrugës që lidh Kosovën me Shqipërinë të Kongresmenit të njohur.

Presidenti Meta theksoi se “Nuk ka forcë në botë, që të vendosë në diskutim aleancën shqiptaro-amerikane! Asnjë intrigë gjoja në emër të SHBA, nuk mund ta përçajë atë”

Njoftimi i plotë i zyrës së shtypit të Presidentit Meta

5 korrik 2019

Tropojë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi sot një takim me Kryetarin e Komisionit të Politikës së Jashtme në Kongresin Amerikan z.Eliot Engel dhe mori pjesë në ceremoninë e vendosjes së emrit “Kongresmeni Eliot Engel”.

Duke iu drejtuar të pranishmëve në ceremoninë e përurimit, Presidenti Meta vuri në dukje se:

“Të gjithë urojmë shtetin e Kosovës për ditëlindjen në 17 shkurt! Unë e kam shumë përzemër këtë datë, për shkak se më 16 shkurt kam ditëlindjen e vajzës. Këtë 17 shkurt, unë e urova Kosovën duke bërë një postim në rrjetet sociale me një foton time në zyrën e Kongresmenit Engel me Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës në sfond.

Sepse sa herë që ne shkojmë në zyrën e tij, gjithmonë do të takojmë Shqipërinë, Kosovën, dhe historinë e marrëdhënieve të shkëlqyera shqiptaro-amerikane.

U shpreh mirënjohjen më të madhe bashkive të Tropojës dhe të Gjakovës që i kanë vendosur kësaj rruge emrin e Eliot Engelit, por unë jam i sigurt që emri i tij është i gdhendur në çdo zemër shqiptare që rreh shqip këtu në Malësinë e Gjakovës, në Nju-Jork, në Shqipëri, në Kosovë e në të gjitha trojet tona e kudo në botë.

Kudo, në të gjithë botën de kam ndjerë kujdesin e përpjekjet e tij për njohjen e Kosovës.

Sot, në praninë e Tij dua të theksoj diçka shumë të thjeshtë:

Nuk ka forcë në botë, që të vendosë në diskutim aleancën shqiptaro-amerikane!

U përpoq komunizmi për pesëdhjetë vite të shuante çdo ndjenjë proamerikane, por ja që nuk ia arriti dot për shkak se historia e dy vendeve dhe kombeve tona është shumë e thellë dhe është e parrezikuar, pavarësisht se intrigat asnjëherë nuk do të përfundojnë për t’i përçarë shqiptarët në emër gjoja të Shteteve të Bashkuara të Amerikës!

Shqiptarët nuk qëndrojnë në këtë aleancë si një popull pa dinjitet, por qëndrojnë si një popull, i cili ka vuajtur historikisht shumë nga pushtimet dhe nga tiranitë.

Populli shqiptar i do dhe do të luftojë më shumë se çdo popull tjetër në botë për idealet amerikane të lirisë dhe dinjitetit njerëzor, që janë jo vetëm idealet e Amerikës, por edhe të qytetërimit botëror ku edhe ne bëjmë pjesë.

Prandaj i dashur Kongresmeni Engel, ju falëminderit shumë për gjithçka që keni bërë për kombin tonë dhe për gjithçka që ju do të vazhdoni të bëni!

Ju uroj shëndet! Zoti t’ju  japë fuqi, sepse nga zyra juaj dhe nga dritarja juaj në Uashington shikohen aq qartë dhe aq pastër marrëdhëniet shqiptaro-amerikane që unë jam i bindur se ne do t’i forcojmë akoma edhe më tej!”, u shpreh Presidenti Meta.

Miku i madh i shqiptarëve, Kongresmeni Engel, pasi u vlerësua edhe me titullin “Qytetar Nderi i Tropojës” për kontributin historik dhënë për miqësinë shqiptaro-amerikane dhe përkushtim ndaj çështjes shqiptare, dhe falënderoi Presidentin Meta, vuri në dukje se:

“Aleanca mes popullit shqiptar dhe atij amerikan gjithmonë do të sjellë fat.

Dëshiroj t’ju falënderoj të gjithëve sepse është vërtet një nder kur një rruge i vihet emri im dhe jam gjallë për ta përjetuar këtë.

Ua them miqve të mi në Nju-Jork dhe Uashington se mund të udhëtosh anembanë botës si amerikan, por askund nuk do të trajtohesh aq mirë se sa nga miqtë tanë shqiptarë. ”

Pas kësaj ceremonie, Presidenti i Republikës së bashku me Kongresmenin Engel vendosën në shenjë respekti një buqetë me lule te shtatorja e Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari në sheshin kryesor të Bajram Currit, në prani të personaliteve të ftuar dhe drejtuesve të pushtetit vendor.

2 3

3 2

5 1

Artikulli paraprakPlazhet të pasigurta, të shtëna me armë tek Shkëmbi i Kavajës
Artikulli tjetërRama tmerrohet nga protesta e opozitës, ndryshon orën e seancës parlamentare