Trump zyrtarizohet: Do sjellë madhështinë e këtij kombi

Partia Republikane zgjodhi zyrtarisht manjatin e pasurive të patundshme, Donald Trump si kandidatin e saj presidencial. Ish-rivalë të zotit Trump dhe udhëheqës republikanë i dhanë mbështetjen e tyre kandidatit, ndërsa partia kërkon të bashkohet në garën kundër kandidates demokrate, Hillary Clinton.
Të martën, ditën e dytë të Kuvendit Kombëtar të partisë në Klivland të Ohajos, delegatët zhvilluan votimin e secilit shtet duke i dhënë zotit Donald Trump 1,237 votat e nevojshme për të siguruar emërimin.
“Kandidatët e mëposhtëm kanë marrë këto vota: Trump 1725, Cruz 475, Kasich 120, Rubio 114, Carson 7, Bush 3, Paul 2. Donald J. Trump ka marrë shumicën e këtyre votave dhe zgjidhet kandidati i Partisë Republikane për President të Shteteve të Bashkuara”. Pak pas zyrtarizimit të kandidaturës, Donald Trump Jr. mbajti një fjalim të fuqishëm në mbështetje të të atit, duke theksuar se si qasja e tij në botën e biznesit do të përkthehej në Shtëpinë e Bardhë.
“Një President që thotë atë që mendon dhe jo vetëm kur i intereson. Që nuk i duhet të ketë një grup fokusi apo të përdorë të dhëna analitike për të qenë në gjendje të formojë thjesht një opinion. Që thotë atë që duhet të thotë dhe jo atë që do të dëgjosh. Një President që do të sjellë madhështinë e këtij kombi tek të gjithë ne. Që do t’u japë burrave dhe grave punëtore të këtij vendi të madh përsëri zërin e tyre”.
Delegatët dëgjuan gjithashtu një seri fjalimesh ku sulmohej kandidatja e pritshme demokrate, ish-sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton. Guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie e përdori fjalimin e tij për t’i dhënë një lloj gjykimi publik zonjës Clinton, duke tërhequr thirrje “fajtore” nga audienca.
“Tani kohë pas kohe, bazuar në fakte dhe vetëm fakte, të çojnë në të njëjtin vendim. Përreth botës dhe këtu në vend. Në Libi, Nigeri, fajtore. Në Kinë dhe Siri fajtore, në Iran, Rusi dhe Kubë fajtore, dhe këtu në vend kur rrezikoi sekretet e Amerikës për të mbrojtur të sajat dhe gënjeu për t’i mbuluar – fajtore”.
Folësit në natës e sotme do të përfshijnë disa kundërshtarë të zotit Trump si guvernatori i Floridës, Marco Rubio dhe senatori i Teksasit, Ted Cruz. Por kryesori do të jetë guvernatori i Indianës, Mike Pence, i cili është zyrtarisht që nga e marta kandidat për postin e nënpresidentit.
Në zgjedhjet presidenciale të 8 nëntorit, Trump do të përballet me ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, e cila pritet të marrë nominimin e Partisë Demokratike, javën e ardhshme në Filadelfia. Biznesmeni miliarder ka udhëhequr një fushatë të jashtëzakonshme për 13 muaj dhe ka mundur 16 rivalë.
Por, thirrjet e tij për të penguar myslimanët që të hyjnë në SHBA dhe për të ndërtuar mur në kufi me Meksikën janë cilësuar si përçarëse dhe ofenduese jo vetëm nga demokratët, por edhe nga shumë republikanë të shquar, të tillë si ish-presidentët George W. Bush dhe George Bush.
Sidoqoftë, të martën mbrëma, folësit në Konventën Republikane janë përqendruar kryesisht në kritikat për zonjën Clinton, duke e portretizuar kandidaturën e saj si përpjekje për të vazhduar me, siç është thënë, politikat e dështuara të Presidentit aktual, Barack Obama. Kryesuesi i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, akuzoi demokratët për përçarje të njerëzve, “duke luajtur një grup kundër tjetrit”.
Republikanët, po ashtu, e kanë cilësuar Clintonin si “gënjeshtare”, e cila ka vënë vendin në rrezik, duke përdorur e-mail-in privat për çështje zyrtare. “Hillary Clinton është kujdesur më shumë për të mbrojtur sekretet e saj dhe jo sekretet e Amerikës”, tha guvernatori i Nju Xhërsit, Chris Christie.

Artikulli paraprakAnçeloti: “Nuk e shesim Lewandowskin”!
Artikulli tjetërRoli i komunitetit mysliman në fushatën e Donald Trump